Një epokë e madhe me njerëz të mëdhenj

Sevi Agolli

Kur vendosa të punoj me redaktimin e librit “Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim”, të autorit Osman Osmani, teksa shfletoja materialin për t’u njohur me të, vërejta që ky libër do të ishte si një lloj sfide për mua. Sfidë, sepse të redaktosh një libër biografik-publicistik, që sjell fragmente të gjalla të një epoke të madhe dhe të një veprimtari të madh të kësaj epoke, që deri para këtij libri nuk e njihja, sigurisht që nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë të shkruash, por as të redaktosh një libër që flet mbi një histori të shkruar me gjak…

Gjatë punës sime me këtë libër më duhej të isha kaq e vëmendshme dhe e kujdesshme ndaj çdo analize, çdo fakti, çdo fraze, çdo termi, çdo fjale. Madje kishte raste që, edhe pse gjuhësisht mund të ndërhyja e korrigjoja, pas një rileximi të dytë e të tretë konstatoja se disa fakte, kujtime e meditime duhej të rrinin ashtu siç ishin shkruar nga vetë autori. Nuk qe vërtet një punë e lehtë, por me bindje të thellë them që qe një punë e bukur, mbresëlënëse!

E këtu dua të citoj një shprehje që e ilustron kaq mirë punën e redaktorit dhe timen në këtë rast: “Bëj punën që dua, ndaj nuk më duhet të punoj asnjë ditë”. Çdo punë që bëj, më hap horizonte të reja e të panjohura, më ndriçon skuta të errëta dhe më mëson mbi kohë e njerëz të epokave të panjohura për mua. Dhe autorë si Osman Osmani dhe shumë e shumë autorë të tjerë nga Kosova, me veprat e tyre ma kanë ndriçuar kaq bukur dhe saktësisht atë kohë, që për mua ishte e mjegullt. Dhe nuk ka punë më të bukur, kur teksa punon, çdo ditë mëson kaq shumë, siç arrita të mësoj edhe në këtë libër për një njeri të madh, të veshur me epitete kaq të bukura njerëzore nga bashkëveprimtarët, bashkëkohësit dhe miqtë e tij, si Skënder Ibishi. Mësova dhe u ndriçova për një epokë të madhe, që përmbante personalitete të mëdha, që vetëm kohëra të vështira mund t’i lindin!

Përpjekjet e popullit të Kosovës për të arritur në pavarësinë dhe sovranitetin e saj kanë kulluar gjak. I kam përjetuar pakëz edhe vetë këto kohë të mbushura me dhembje, kur populli i Kosovës u shpërngul dhunshëm dhe mizorisht nga trojet e tij dhe u strehua në shtetin amë, në Shqipëri. Mbaj mend, edhe pse e vogël, që kishim strehuar një familje të madhe, me shumë anëtarë, që na flisnin për tragjeditë që kishin kaluar, për plaçkitjet, dhunimet, përdhunimet, djegien e banesave dhe mizoritë e pafundme dhe të paimagjinueshme që ishin bërë ndaj tyre. Atëkohë më dukeshin sikur ata njerëz që flisnin shqip, ashtu si ne, vinin nga një epokë tjetër, nga një epokë e errët, si gërmadhat e vatrave e trojeve të tyre të shkrumbuara nga serbët…

Kohëra të tilla kanë nevojë për njerëz të mëdhenj, guximtarë dhe të mençur; kanë nevojë për bashkim forcash dhe botëkuptimesh, për të mbrojtur më të shtrenjtin që një komb ka: atdheun e tyre. Dhe sot jetojmë të lirë e të pavarur në trojet e vatrat tona, falë heronjve të kombit tonë, që dhanë jetën dhe kaluan tortura çnjerëzore nga regjimet e egra e barbare që sundonin mbi ne.

Në këtë monografi, autori Osman Osmani ka sjellë kaq bukur përpjekjet e shumë atdhetarëve të kohës para demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe pas tyre, si dhe veprimtarinë e madhe të pjesëtarëve të organizatës ilegale Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, për t’i dhënë Kosovës dhe popullit të saj atë që meritonte: lirinë nga zgjedha e rëndë e ish-Federatës Jugosllave. Në qendër të këtyre përpjekjeve është edhe një hero, ndër shumë e shumë heronj e trima të kohës, si Skënder Ibishi, për të cilin pata fatin të mësoj përmes këtij libri.

Nuk dua të ndalem në pika të veçanta të jetës dhe veprimtarisë së këtij atdhetari kaq të mençur e guximtar, sepse bashkëkohësit dhe bashkëveprimtarët e tij që e kanë njohur dhe punuar me të i kanë thënë kaq bukur, por dua të ndalem në një pikë, që më ka lënë mbresa të thella. Dua të ndalem pikërisht në paralelizmin që ngrenë për Skënder Ibishin, një nga shtyllat kryesore të Lëvizjes për Kosovën Republikë, pikërisht bashkëveprimtarët dhe bashkëkohësit e tij, si Abdullah Prapashtica, Hydajet Hyseni etj., duke e krahasuar me një Skënderbe të kësaj periudhe. Parë nga këndvështrimi im, gjatë leximit të jetës dhe veprimtarisë së këtij atdhetari të madh, e shoh mjaft me vend një paralelizëm të tillë me Heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun, nga pikëtakimet e shumta që kishte me të, nisur që nga emri dhe qëndrimi i tij më vonë. Ashtu si Gjergji ynë, i cili u shkollua dhe u përgatit ushtarakisht nga armiku 500-vjeçar i kombit të shqiptarëve, Perandoria Osmane, një ditë këto dije e mjeshtëri ushtarake i vuri në përdorim për ta luftuar këtë armik shekullor. Ashtu edhe Skënder Ibishi, i shkolluar dhe i diplomuar në Akademinë Ushtarake të ish-Federatës Jugosllave, veshur me uniformën e urryer pushtuese të vendit të tij, “ngriti grushtin e qëndresës dhe atdhetarisë mu në zemër të kuçedrës shoviniste, brenda Armatës Jugosllave”, për të mbrojtur vendin dhe kombin e tij. Dhe për mua ky njeri është hero! Hero jo nga ata që dalin ballë për ballë me armikun e ndeshen egërsisht me të, por një hero që vepronte mu në zemër të armikut, mu brenda Armatës Jugosllave, i rrethuar dhe i përndjekur në çdo hap prej armiqve të vendit të tij, për ta parë vendin e tij të lirë nga pushtuesi. Një hero që, edhe pse çdo çast e kishte rrezikun mbi kokë, nuk ngurroi, nuk u tut, por luftoi kundër diskriminimit politik, ekonomik e shoqëror, kundër shkeljes së të drejtave të vendit të tij, për ta shkëputur Kosovën nga sundimi i egër jugosllav dhe për ta shpallur republikë si të gjitha republikat e tjera.

“Të ngriheshe kundër Armatës Jugosllave, duke qenë kadet dhe më vonë epror i saj dhe brenda dhëmbëve të saj represivë dhe syrit zhbirues e kërcënues të KOS-it dhe aparatit represiv policorushtarak, duhej vërtet atdhedashuri e pakufishme dhe guxim i jashtëzakonshëm” – shkruan një bashkëveprimtar i tij. Kjo, sepse Skënderi, i brumosur nga prindërit dhe paraardhësit e tij me dashurinë për atdheun dhe kombin e vet, i vuri ata para të gjithave!

Dhe për mua është hero një njeri që, edhe pse ishte pjesë e ushtrisë armike, u bë pjesë e një lëvizjeje atdhetare ilegale për ta shkëputur vendin e tij nga regjimi i egër serbomadh dhe për ta çuar atë drejt pavarësimit. Por kjo i solli pasoja të rënda ushtarakut atdhetar Skënder Ibishi; i solli tortura, izolim e poshtërime në burgjet serbe, që ai u rezistoi burrërisht e me guxim, sepse shpresonte dhe besonte fort, që të ardhmen e tij “ta kalonte i lirë në Kosovën e lirë, të bënte një jetë të cilën e meritonin atdhetarët e saj dhe i gjithë populli i përvuajtur shqiptar i Kosovës. Shpresonte se një ditë do të jetonin si një popull me të drejta të barabarta, njësoj si popujt e tjerë të civilizuar europianë”. E Skënder Ibishi, me tërë qenien e tij, besoi e sakrifikoi për lirinë e popullit shqiptar, për lirinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj.

Një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje të thellë në këtë libër, ishin fjalët dhe epitetet e shumta, me të cilat bashkëkohësit e tij përshkruanin Skënder Ibishit, si: fjalëpak, punëshumë, modest, shpirti i sakrificës, atdhetar fisnik; njeri i mençur e guximtar, që bënte pak për veten e shumë për të tjerët e atdheun; besnik i idealeve dhe i miqve; i respektueshëm me miqtë, por që nuk rëndonte me fjalë as armiqtë; që me heshtjen e tij fliste më shumë sesa fjalët mund të thonë; njeri i devotshëm dhe i vyer; mik, bashkëshort, baba e vëlla i përkushtuar, njeri që jepte këshilla të urta e të vyera, njeri i ndershëm, i sinqertë e i padjallëzuar… një listë e pafundme me fjalë e epitete të tilla. Dhe njerëzit e mëdhenj i bëjnë të tillë këto virtyte e cilësi, që kishte edhe Skënder Ibishi.

Por kush më bukur dhe më mirë se një bashkëveprimtar dhe bashkëkohës i Skënder Ibishit dhe protagonist i asaj epoke mund ta kishte pasqyruar më mirë atë kohë dhe veprimtarinë e PKMLSHJ-së dhe të Skënder Ibishit nga të gjitha anët, sesa vetë Osman Osmani.

Dhe këtu gjej rastin të përgëzoj autorin për këtë punë kaq të vyer dhe fisnike njëkohësisht. Ky libër është dëshmi e fortë dhe një udhërrëfyes i duhur për brezat e rinj, se si duhet të duhet të luftohet dhe punohet për Atdheun.

Tiranë
Dhjetor 2021