Shoqata “Sharri” në Zvicër përmes një programi të veçantë nderoi gazetarin Rexhep Rifati

Në evenimentin e organizuar nga kjo shoqatë kulturore, në shenjë të mirënjohjeve për çmimet e larta që mori redaktori i portalit tonë prointegra.ch nga Presidenca e Kosovës Bashkia e Horës së Arbëreshëve , në një ndejë shumë të ngrohtë të shoqëruar edhe me pika muzikore, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit tanë konsullor e diplomatik. Redaksia e portalit tonë, duke shoqëruar me këtë tekst fotot e fotografit tonë, Afrim Nevzadi, falënderon organizatorin si dhe të gjithë ata që i bënë këtë nderim publicistit dhe redaktorit tonë, Rexhep Rifati

Dje në lokalet e saja në Waldkrich të Kantonit të SG, Shoqata Kulturore “Sharri” në Zvicër organizoi një eveniment kulturor me titull: “Një pasdite me Rexhep Rifati”, me rastin e dekorimit të tij me mirënjohje nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe të shpalljes Qytetar Nderi nga Horën e Arbëreshëve (it. Piana degli Albanesi). Me këtë rast krahas një fjale në emër të organizatorit, që e mbajti zonja Igballe Krasniqi, e cila veçmas potencoi angazhimin e Rexhep Rifatit në punën e tije me shoqatat kulturore në mërgatë, e sidomos kontributin e për Shoqatën “Sharri”.

Aktivitetin “Një pasdite me Rexhep Rifatin”, krahas anëtarëve të shoqatës dhe mërgimtarë nga ky kanton e më gjerë, mblodhi edhe përfaqësuesit e shteteve tona në shtetin helvetik. Këtë organizim me praninë e tyre begatuan e nderuan Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z Rexhep Demiri dhe z. Vigan Berisha, Shef i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih i cili mbajti një fjalë tejet përmbajtëse për personalitetin e gazetarit dhe publicistit Rexhep Rifati.

Ja edhe prononcimi i Shefit të Misionit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih , z. Vigan Berisha: Këtë të diele, me ftesë të Ansamblit “Sharri”, bashkë me Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri, kishim kënaqësinë e veçantë të marrim pjesë në një pasdite të dedikuar një personaliteti të shquar të gazetarisë shqiptare, z. Rexhep Rifati.

Kishim nderin të i drejtohemi të pranishmëve në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Sharri”, duke vlerësuar lart kontributin e jashtëzakonshëm profesional dhe njerëzor të z. Rifati.

Figura e tij mbetet një shembull i gazetarit që nuk i ka shërbyer vetëm fjalës së lirë, por mbi të gjitha njeriut, duke qenë gjithmonë pranë bashkatdhetarëve tanë. Humanizmi, ndjeshmëria dhe integriteti i tij, janë vlera që e bëjnë atë një figurë të respektuar dhe të dashur për të gjithë.

Vlerësimet e larta që ka marrë së fundmi përfshirë dekorimin nga ish Presidentja e Republikës së Kosovës, si dhe titulli Qytetar Nderi i Horës së Arbëreshëve, janë dëshmi e një jete të përkushtuar në shërbim të shoqërisë dhe të çështjes kombëtare.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, Shoqata “Sharri” e nderoi Rexhep Rifatin me titullin “Anëtar Nderi” të Shoqatës “Sharri”, si dhe me Flamurin e Shoqatës.

Një dimension dhe freski të veçantë këtij takimi i dhanë përmes një programi të përzgjedhur muzikor vet anëtarët e Shoqatës “Sharri”, duke sjellë një tufë të bukur vallesh trevash të ndryshme shqiptare, veshur me kostume përplot ngjyrë e kolorit. Edhe prania e rapsodit të mirënjohur Hekuran Rexhepi, i cili lozi me çifteli dhe këndoi ca këngë edhe më tepër shtoi atmosferën e këtij ambienti thuaja se familjar. Madje edhe përmes një sofre bujare me ushqime tradicionale, falë punës së madhe që bëjnë gratë shqiptare të shoqatës, thuaja se në çdo organizim kulturor.

Në fund, gratë dhe vajzat e Shoqatës “Sharri” kishin përgatitur përgatit një sofër me ushqime tradicionale shqiptare, me flija e shumë specialitete të tjera, ku të gjithë së bashku si në një familje e madhe, ngjashëm me odat tona shqiptare, kur përherë janë odat dhe zemrat e hapura për mikpritje. Por e mira e kësaj ndeje e edhe e kësaj sofre ishte se rreth saj u ulën shqiptarët të gjitha trevave tona, që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë, si pjesë e një komuniteti shumë të organizuar e dinamik, në një vend mikpritës siç është Zvicra, që ka ofruar hapësirë veprimi për të gjitha komunitetet që jetojnë e veprojnë në këtë shtet demokratik e ku edhe shqiptarët janë jo vetëm pjesë integruese por edhe zhvillimore e këtij vendi.