Musa Jupolli: BARDHEC BERISHA „RËNKIMI I MALIT TË FËMIJËRISË SIME“

 
Poezi, botoi Lena, Prishtinë 2025
 
Kushtimi
Këtë libër më përkushtim të thellë ua kushtoj: gruas sime e cila për 42 vite ka qenë (dhe është) drita në udhën time, forca në sprova dhe paqja në zemrën time. Jeta jonë është udhëtim i gjatë, por me të, çdo hap ka qenë dashuri dhe kuptim.
Fëmijëve të mi, nipave dhe gjithë familjes sime të ngushtë, që janë dielli i ditëve të mia dhe drita e zemrës sime. Në dashurinë e tyre gjej forcën, lumturinë dhe kuptimin e jetës.
*
Kështu fillon kjo vepër e Bardhec Berishës, ku jetës i jep kuptim me gruan, fëmijët dhe e gjithë familja e tij ia mundësuan qëndresën prej një atdhetari, poeti e veprimtari në ditë të vështira, pa dyshim, po edhe në ditë frymëzimi si ndjenjë e qetësisë, e lumturisë edhe kur rrezet e diellit mungonin aty ishin fjala dhe dashuria që ia shtonin kurajën: Kujtesën dhe dashurinë.
Nuk ka pamje më të bukur se drita e syrit, në vargun:
Dita e një kohe moderne, as “droni” nuk e kap atë që syri e shijon.
Historitë e fëmijërisë të rrënjosura në mendimet dhe udhëtimet e poetit. Poeti dhe jeta e tij janë një roman i tërë, kësaj radhe poezi romanore.
Bota ndërtohet me dashuri, bëhet e bukur sipas ndjenjës, dashuri që fshinë lotin, po edhe i ëmbël kur imazhet rikthehen nga kujtesë e fëmijërisë, po edhe i melankolisë kur atdheu, katundi i lindjes, është në mungesë, në kujtesë të mërgimtarit, që la pas rininë dhe iu qas jetës në ballafaqime me vështirësi, po mbi të gjitha mos harresa e vendlindjes:
mes jetës dhe ëndrrave
dhe mrekullohem me atë që sytë
mund të përqafojnë, qoftë për një çast.
Rrëfimet e poetit në këtë vepër janë vetë jeta e tij, janë historia e atdheut, ku veç bukurive, aty ndihej edhe aromë oxhaku me bukën që ta ka ëndja me shije të veçantë, sa edhe me lisat e gurrat e ujët që ia rikthejnë poetit:
në pyllin ku zogjtë flasin gjuhën tonë
dhe qielli na jepte shpresë pa fjalë
Më thuaj, a e mban mend atë katund të vogël, ku u rritëm të lumtur, ani se liria mungonte, aty ishte dashuria dhe respekti, ishte ideali që si erë mali ndihej në zemër të poetit, ende para se të bëhej poet.
Poetet nuk krijohen me shkop magjik, ata lindin Poet, këta zogj të vegjël që flasin me malin, fushën, që flasin me gurra ujë e dëgjohen nga Perëndia.
Në zemër të Dardanisë
“Unë end jetoj” më thotë,
“në kujtimet tua, në qetësinë që kërkon,
në çdo frymëmarrje të freskët”.
“Rënkimi i malit”… është një ofshamë e vuajtjeve, e kujtesës ku zbardhin gjithë shpirtin e poetit, është një parajsë që shoqe s’ka, po brenga se atje mali dhe lisat, gurrat dhe zogjtë dëmtohen nga shpirtra të lig
me shpresën e një fidani të ri
që mund të rritet, nëse e lëmë të jetojë
Kur luanim pranë bregut të lumit
Në hijen e lartë të lisave të vjetër
kam kaluar fëmijërinë time,
duke kërkuar harta në degë të pathyera,
dhe thesar në rrënjët e fshehta.
Pemët kaq të larta. Oh! Një ofshamë e poetit, me shpirt thyer, aty ku jeta ofron nota me këngën e zogjve që më nuk janë, e shoh lotin që nuk i duket nga se kujtesa ia rikthen dashurinë në vuajtje!
Po i bëj pyetje poetit “Më thuaj, a të kujtohet, ishim fëmijë”…
E gjithë kjo histori, për një çast poetin e rikthen në tryezën e punës me lapsin që ia shëron kujtesën në vargje të lirisë, në vargje të përkushtimit të poetit kombëtar, frymëzuesit të enciklopedisë poetike Gjergj Fishtës, të heronjve të Dardanisë, të mikut që në traditën arbërore ruhet, nëse e kemi shpirtin e fjalës dhe sublimen BESË, “ se shtëpia e zotit është shtëpia e mikut”, për mikun, për fjalën që nuk shkelet!
FLAKA E PASHUAR E KOMBIT
(Gjergj Fishtës)
Në maje të kohës rri fjala, e mprehtë
si shpata e Kastriotit, e rëndë si besa e malësorit,
e shenjtë si gurët e vendit tonë.
DRITA E PAVDEKSHME E FJALËS
Fjala dhe poeti në bisedë me Naim Frashërin. Vallë bëjmë pyetje si është e mundur gjithë ato shkrime, poezi, të shkruhen në kohë Naimaine, kur mbi nëntëdhjetë për qind të popullit tonë ishin analfabet, për ke shkruanin ata:
Dhe sot, pas kaq vitesh
ato ende ushqejnë dashurinë për gjuhën, për tokën, për lirinë.
Po sot, nën aludim të Poetit Bardhec Berisha bëjmë pyetje: Kush na pengon që ta ruajmë e shërojmë atdheun tonë?
…si një këngë e lashtë e një populli të trazuar, mbeten
gjallë në çdo brez.
Bardheci jep mesazhin se kujtesa nuk shlyhet në mendje të gjithë atyre që e donë atdheun e Fishtës, atdheun e Naimit, atdheun e Kastriotit që na e mbajti dhe na e mbanë me aq krenari EMËR E MBIEMËR arbërorë.
Një renditje sublime Kastrioti, Fishta e Naimi na vjen Nënë Tereza
“Shpresa e të Varfërve, Zemra e Botës”
…me veprat e tua ndërtove uratë e shpresë dhe përjetësi
do mbetesh përherë në zemrat tona, një ikonë e shenjtë.
Ti përjetë do të mbetesh, dritë që nuk shuhet.
Na vjen vargu himnizues i Adem Jasharit, sinonim i lirisë në pragun e shtëpisë së moçme, aty ku u kalit dashuria ilire-arbërore.
Këtu jemi, këtu për atdhe do të vdesim, po liria nuk vritet e thotë pena e poetit në vargun
unë jam gjaku i tokës, jam thirrja që zgjon një komb
unë jam Adem Jashari, jam liria që nuk mund të vrahet.
Poezia Kushtim heronjve Agim Ramadanit, Sali Çekaj, Mujë Krasnqi, Bekim Berishës, janë historia e Dardanisë, janë gjaku që e solli lirinë, janë vargje që lexohen e rilexohen për kujtesë të historisë, “Mos na rafte të harrohet” thotë fjala jonë ecur ndër shekuj, dhe kjo e vë poetin në detyrë atdhetare që të kujtohen e të ri përkujtohen atdhetarët dhe dijetarët e ATDHEUT
Mehmet Kajtazit
Në faqet e historisë, ti ndriçove shpirtin
Ibrahim Rugovës TY UDHËHEQËS I LIRISË
Ti e skalite gurin e kohës..
…mençuria jote ishte më e fortë se plumbi
…Me shkronja të arta shkrove historinë
përjetë mbete në kujtesën tonë.
Pasojnë vargje për Kole M. Berishën, poetit Nok Sinishtaj, shokut Kristë Colit, e kushëririt Edit si dhe eruditit, shkrimtarit, poetit, eseistit e kritikut
Prand Buzhala
Ti që i ke prekur yjet me varg…
Ti s’je vetëm autor, je vetë akti i shkrimit …
apo
je rrëfimi i një kombi në udhëtim.
Poeti Bardhec Berisha sikur e vë në Kryefjalë pas vargut të Prendit Buzhelës: vargjet:
P O E Z I A
Poezia nuk është veç fjalë mbi letër,
as varg i shtrirë si ujë në gurë,
ajo rritet dhe zgjerohet në heshtjen e zemrës,
si një zog që çel në pranverë…
…Poezia është loti që hesht…
Derisa në ciklin PËRSIJATJE MBI KOHËN
Janë refleksione të poetit mbi kritikën dhe ç ‘orientimet e shoqërisë, janë sociflozofia e një kombi me plagë, që në zbërthim ashtu si e njoh unë Bardhcin, zemërimi është që të “luftohen” gjithë negativizmat që i përjeton Dardania, kjo dashuri dardane që thellë është mbjellë në shpirtin e tij!
Modernizmi nuk do të thotë “fjala e lirë” aty ku ajo e humb lirinë e saj posa të keqpërdoret.
…flasin për varfërinë, në vila të arta
e shajnë korrupsionin me duar në thesar.
E deri të vargjet e fundit të veprës:
SI BËHET MIZA BULLË
E kur ta kuptojmë,
do të jetë vonë.
RËNKIMI I MALIT TË FËMIJËRISË SIME
Premtim:
Poeti dhe loti i Poetit për të mbrojtur atë që mbetet…
Poeti e hedh vështrimin në të gjitha format e saj, refuzimi i të tjerëve, hendeku i thellë midis të pasurve dhe të varfërve, po e dhe e atyre që ofrojnë dije e ndihmë, dhe të tjerët që godasin mu në zemër atdheun dhe njerëzit e saj, pastaj mos respektimi i natyrës, florës dhe faunës që dëmtojnë shpirtin e poetit!
Kjo vepër ka frymë edukative, të mësohet, të lexohet, harresa është “kacer” që nuk shihet, veç moralit ka edhe kuptime të fshehura që donë zbërthim përmes metaforës dhe figuracionit!
Falë këtyre metaforave poezia m’ vishet me notën më të bukur, bëhet nuse edhe në ditë acari!
Falë metaforës, padrejtësitë, varfëria dhe të ligat e atyre që janë në “timon” mund të trajtohen ani se janë tepër komplekse, po zgjidhje ka!
Poezia e Bardhec Berishës mbart pedagogji e moral, lexuesi do të pajtohet me mesazhin dhe vlerat e përcjella.
Fribourg 15.04.2026