(Vështrim i kryetarit të LKSHM-së, për librin e Bedri Tahirit “Agimi i Lirisë”, promovuar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih))
(Fotot: Afrim Nevzadi)
N’ ecje njihen traditat, kultura dhe historia e një kombi, e një regjioni siç në rastin e Bedri Tahirit DrenNika (Drenica), aty ku fjala ka peshë, aty ku historia flet përmes personazheve që nderuan këtë pjesë të Ilirikumit, simbolika Dren, që në filozofinë time do ta zbërtheja SHPEJTËSI mes kodrinave e fushë-bregoreve, aty ku armiqtë tmerroheshin nga shkathtësia e atdhetarëve.
Që në fillim të librit mësojmë për gjeografinë e Drenicës, një njohje më shumë.
Para dhe që nga Beteja e Kosovës (1389) trimi i katundit Kopiliq, Millosh Nikollë Kopiliqi mbeti për studim nga vendasit e të huaj, shpesh në pakujdesin e duhur historia jonë e përdredhur nga armiqtë, ku humbjet e tyre shndërrohen në fitore.
Më bëri përshtypje ecuria e ngjarjeve në libër, me data e personazhe që e karakterizojnë Drenicën e Bejtë Galicës, Ahmet Delisë, Azem e Shote Galica që si metaforë do ta quaj Dren-Drenushë e DrenNikës, Drenicën e Adem dhe Hamzë Jasharit, aty e gjejmë edhe katundin Polac, nga vinte familja e diplomatit Hasan Prishtina.
Ecim tutje në historinë e Skenderajt, simbolika e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, një përshkrim mjaftë interesant, dhe fill pas zë vend Prekazi, ku flitet për Bacën Prenkë, kokë katërqind dërhemësh, siç e thonin shkodranët, jo rastësisht otomani i quante banorët e këtij katundi “të padisiplinuar”!
Më bëri përshtypje vargu
Prekaz
Buzë livadhi në fund t’një are,
Janë dy shënja, janë dy varre,
Janë dy varre shënja t’shënjta,
T’zotri Prekës e t’zonjës Lena…
Mu në Drenice ishte formuar bërthama e parë e Shtetit të Kosovës ARBËRIA E VOGËL nga kryetrimi Azem Bejtë Galica, konfirmuar nga Komiteti i Shkodrës, siç shpjegon autori Bedri Tahiri.
Prekazi i Epërm që ishte katundi më i madh i Drenicës, që me aq përkushtim përshkruhet Fisi i Kuqit.
Dhe ja tema e librit, pas një përshkrimi të historisë, të traditave na del personazhi i Agim Rrahman Ramadanit, i edukuar në odat e burrave.
Në kapitullin “Dashuri për këngën, librin dhe armën” në këtë frymë edhe edukohet Agimi, Agimi i lirisë, simbolika e një djali të shkathtë dhe liria e Atdheut.
Agimi dhe bashkëshortja e tij Sanija, shkollimi i tij dhe kalimi në Mitrovicë ku rinori do të piqet me idealin dhe mësimet që i kishte marrë më herët për lirinë e Dardanisë ”Kosova Republikë” moto e kohës.
Viti 1981 dhe ecuria e tejshme n’ udhëtim të rinisë së Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve e deri të Minatorët e Trepçës, që Bedriu me aq përpikëri i përshkrua ato vite të arta në ideal, jo të lehet, shpesh të dhimbshme në ballafaqim me një pushtues aq të egër që ishte Jugosllavia dhe me theks Serbia, mbi të gjitha Kosova ishte t’ filluar n’ udhëtim për lirinë e saj!
Vitet 1990 e tej LDK me Degën në Mitrovicë që kishte Profesorin Latif Berishën ( Profesorin tim, të Bedriut po ashtu të Rexhës) që kisha pas privilegje të udhëtoja me te në shumë takime të Orëve Letrare që nga vitet 1975, atëherë kur libri ishte ushqim në tryezë mu si buka. Latif Berisha simbol i dashurisë për artin dhe kulturën shqiptare, simbol për lirinë e Dardanisë, mu këtu ideali i Agimit frymonte me pjekuri prej atdhetari, që shpirti i tij ia kërkonte “Bashkimin Kombëtar”, zbërthim: Pajtimi Gjaqeve-Pajtimi Kombëtar, me të Madhin Anton Çetta!
Agim Ramadani, shpirt urtësie, i pathyeshëm në dashuri të Atdheut, Agimin e gjejmë gjithandej në takim me detyrat që ia kishte parashtruar vetës.
Lexojmë
“Pas unitetit gjithëshqiptar dhe Pajtimit Kombëtar u realizuan synimet historike të popullit. Kam pritur Fitoren e merituar e me vlerë të pashlyer në historinë tonë: KOSOVËN REPUBLIKË.
“Zëri i Rinisë” 17 shtator1990 Liridashësi
Agim Ramadani
“Nga thellësia e mëmdheut të robëruar u veguan fuqishëm zërat e Ahmet Delisë, Isë Boletinit, Idriz Seferit, Mic Sokolit, Bajram Currit, Azem e Shotë Galicës, Hasan Prishtinës, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Tahir Mehës e shumë e shumë të tjerëve, saqë edhe malet u ngritën në këmbë dhe thirren fuqishëm: O sot, o kurrë!
Dhe ja historia që e ndrit me dhimbje orën e lirisë Familja Jashari:
*
Agimi mori me vete edhe një plagë që nuk i gjendet shërim
Ishte viti 1997 që unë n’ atë kohë e quajta “Pranvera e dhimbshme”, tash sa mu kujtua Agimi dhe plaga e kombit;
Shkruan në libër :
Asaj ngjarjeje të dhimbshme kombëtare Agimi ia kushtoi një shkrim të veçantë emocional, të titulluar “Nokdaun Shqipëri”
Lexojmë:
“Shqiponja e plagosur gjysma dhe e okupuar, kur pjesa tjetër ishte në trung të vet e helmoi vetveten.
Kur Kosovës i duhej më së shumti për t’i ndihmuar Shqipëria theu krahun që për çdo ditë fluturonte më larg për të arritur cakun në sofrën e madhe për të thënë fjalën për të treguar se ekzistojmë, për të na ndihmuar, që edhe ne të Çlirohemi dhe të Bashkohemi por çaloi, i tronditi 7 milionë e më shumë shpirtra shqiptarë, kur shpërtheu ai vullkan i kobshëm rebelimi, dhunimi i Shqipërisë në masë të pakontrolluar dhe pa kursyer asgjë as dinjitetin, kulturën, historinë, të cilën e kemi të mundimshme dhe të përbashkët dhe prapë duhet të vazhdojmë së bashku.
Pas gjithë kësaj që ndodhi, ku nuk guxonte të ndodhte në këtë mënyrë, derisa vetë Nëna u trishtua dhe më në fund e pa veten të sakatosur e të gjakosur, të plagosur e të dërmuar, deri në atë masë saqë më bën të dyshoj se i vjen vështirë të pranoi emrin Nënë, të cilin ne shqiptarët në pjesët tjera të okupuara e konsiderojmë dhe e thërrasim e duhet të na kërkojë falje në këtë prag të shek. XXI. Kështu edhe një herë i kënaqi apetitet e armiqve e solli vetveten në pozitë pa kërcënim të askujt, që në vend që t’i shpallësh Pavarësinë e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanofc.
Ti Nënë, më 16. 03. 1997 shpalle ditë zie për Shqipëri në tërë Shqipërinë.
I indinjueri, i dëshpëruari, i lënduari me shpirt.
Agim Ramadani
- 03. ’97 Shipol
Bedri Tahiri me përpikëri i ka tubuar shkrimet e Agimit: DITARIN E AGIMIT.
Nga dashuria për librin, Agimi merr armën për LIRI
Nga thellësia e shpirtit me syrin që s’ u tremb asnjëherë ra dëshmor Agim Rrahman Ramadani:
Lexojmë:
Zog sokoli Agim Ramadani
Trim i shquar nga Prekazi,
Sa n’at’anë, sa n’kët’anë
N’Vaganicë, herë n’Ashlan
U jep shokëve forcë, guxim
Trimëri e vetëbesim
Shpirt e zemër, inkurajim
Me sy n’shënjestër vret barbarë
Por goditet në vijë të parë
Ra dëshmor për ditë të bardhë…[1]
Zenun Gjocaj, Krahët e shqipes, Prishtinë, 2012, f. 280.
Në vazhdim të librit do të njoftoheni me gjithë ato përshkrime sa të bukura, aq të dhimbshme.
Shtoj:
N’ ecje njihet kultura e një kombi
Poetët janë zot të vegjël
Shkrimtarët janë “mëkatarë” me gabime të bukura
Me këto gabime të bukura është edhe Bedri Tahiri, aty ku shpirti ia kërkon që të shkruhet historia e Atdheut!
E përurojmë shkrimtarin Bedri Tahirin, që na mundëson të njihemi jo veç me historinë po edhe aq me gjuhën, dashurinë dhe tolerancën që kërkohet si asnjëherë më shumë të jemi në takim me vlerat e jo me inate siç po ndodhë sot n’ Atdheun tonë!
“fjala mbahet edhe përtej varrit”
Ps: Me këtë rast poeti Musa Jupolli nga i vëllai i heroit, Fehmi Ramadani u nderua me Urdhërin Agim Rrahim Ramadani- Hero i Kosovës .























