Në kohën kur ka rënë me të madhe popullariteti i shumë politikanëve në trojet shqiptare, kryetari Aleancës për Shqiptarët me ekipin e tij, pritet me duartrokitje dhe ngritje në këmbë në sallën e stërmbushur të Hotelit Töss në Winterthur, ku u zhvillua një bashkëbisedim për hapat e më tejshëm të aleancës dhe situatën aktuale politike në Maqedoni
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati
Viteve të fundit nuk ka ndodhë që për një politikan shqiptar, cili do qoftë ai që të tubohen aq shumë mërgimtarë , sa mbrëmë (më 3 Mars 2017) në sallën e madhe të Hotelit Töss në Winterthur të Zvicrës, ku një pjesë e simpatizuesve të Ziadin Selës u desh për dy orë e sa të qëndrojnë në këmbë.
Ardhja e Selës në sallë me ekipin e tij, anëtarë të kryesisë së partisë Aleanca për Shqiptarët, në përbërje: Arben Taravari, Remzi Mehmedi, Elmi Aziri dhe Agon Ferati, hasi në një mikpritje si rrallëkush viteve të fundit në mërgatën shqiptare në Zvicër. Me këtë rast qindra shqiptarë me prejardhje nga Maqedonia , që jetojnë në anë të ndryshme të Zvicrës ishin tubuar për të marrë pjesë në një konventë informative të Aleancës për Shqiptarët, me moton : “Faleminderit Diaspora- Bashkë ta bëjmë ndryshimin!”. Që në hapje u përmend se ky tubim me bashkatdhetarë se nuk ka karakter para elektoral, zgjedhor, por se qëllimi është që vetëm një javë para Kongresit të kësaj partie të bashkëbisedohet dhe të merret mendimi edhe i mërgimtarëve lidhur me rrjedhat e ardhshme zhvillimore në Maqedoni, aq më parë kur pikërisht mërgata përbën një nga burimet kryesore financiare- zhvillimore të republikës.
Më pastaj anëtarët e kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, apo të ekipit që e shoqëronte Ziadin Selën, folën para mërgimtarëve qoftë për situatën në vend, komunat që drejtojnë apo edhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, e cila siç u tha edhe më tej në mjaft sfera është diskriminuese dhe larg marrëveshjeve të arritura me palën maqedone, qofshin ato edhe përmes faktorit ndërkombëtar. Vet Sela i bëri një vështrim të thuktë gjendjes aktuale në vend, përfshi këtu edhe marrëdhëniet e pakoordinuara mes faktorit politik shqiptar, madje edhe tash kur është në pyetje çështja e ndryshimit të emrit të Maqedonisë, si parakusht edhe për anëtarësimin e këtij vendi në NATO, aq më parë kur shqiptarët në krahasim me vet maqedonasit janë shumë më të interesuar për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
Këtij tubimi i kontribuuan në masë të madhe edhe bashkëkombësit e tubuar, të cilët ose shtruan pyetje apo edhe dhanë sugjerime si të veprohet më tej në Maqedoni, me vet faktin se ata janë vazhdimisht të preokupuar me ecuritë aktuale politike. Ekonomiko, arsimore, kulturore e të tjera të vendit të tyre të origjinës. Ata po ashtu shfaqën shqetësimin për gjendjen aktuale atje, për shkak të dhunës së shfrenuar që ndodhi në Kuvendin e Maqedonisë, ku edhe më së rëndi e pësoi vetë deputeti Ziadin Sela, që mbrëmë ishte mysafir i tyre apo edhe lidhur me gjykimet e montuara jo rrallëherë ndaj shqiptarëve.