Edhe pas leximeve të shumta letrare e historike dhe kuvendimeve me mendje të ndritura, prapë nuk i rashë saktë në fije dilemës jetësore: heronjtë i krijojnë epokat apo epokat i krijojnë heronjtë?! Megjithatë, sido që të jetë, e sigurt është vetëm një e vërtetë: çdo epokë ka heronjtë e vet!
Dhe, për ta përligjur këtë konstatim brilant, patjetër duhet kërkuar ndihma e mësueses së jetës: historisë! Historia e popullit shqiptar është sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Ka pasur përherë luftëra e beteja, sakrifica e mbijetesë. “Fati i popullit tim është edhe fati im”, – thoshte mendjendrituri ynë Pjetër Bogdani.
Këtë thënie profetike, më së miri e kishte kuptuar familja e madhe atdhetare Ibishi nga Leshtari i Dardanës, me rrënjë të thella deri tej në Banjë të Siarinës së Medvegjës, e cila për vite të tëra qëndroi në ballë të përpjekjeve tona për liri, për pavarësi e për ribashkim kombëtar. Më konkretisht, fjala është për veprimtarin e heshtur, sypatremburin, oficerin, që mu në zemër të një ushtrie vrastare, veproi pa u tutur hiç, në të mirë të çështjes sonë kombëtare! Fjala është për të madhin Skënder Hamdi Ibishi.
Përvoja jonë jetësore na ka mësuar edhe diçka tjetër: trimi i mirë me shokë shumë! Këtë porosi e vunë vath në vesh të gjithë veprimtarët dhe atdhetarët tanë, veçanërisht ata të ilegales, duke u bërë grusht i pathyeshëm përballë stuhive shkatërrimtare të kohës zezonë. Kurrsesi nuk mund të anashkalohet as mendjeholli ynë, poeti i përtejkohës së tij, Lasgush Poradeci, me urtësinë e tij gjeniale: “Vëllai vëllanë s’e bëka shok, por shoku shokun e bëka vëlla”! Edhe kjo u dëshmua sa e sa herë në veprimet tona.
Për këtë u binda edhe vetë nga shembuj konkretë. Disa vjet pasi protagonisti ynë vajti në amshueshmëri, shokët e tij të idealit, bashkëveprimtarët e bashkëvuajtësit iu rrekën një pune të madhe: përjetësimit të veprës së Skënder Hamdi Ibishit në lapidar pavdekësie, të quajtur LIBËR!
Madhështore!
Kështu, i përndjekuri politik, shoku i tij i ngushtë, Osman Osmani, porsi bleta punëtore që mbledh nektarin lule më lule, nisi mbledhjen e shënimeve, kujtimeve, dokumenteve, materialeve dhe të gjitha tok i përmblodhi në dorëshkrimin e titulluar “Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim”.
Puna e tij, me përkushtim e me vullnet të pashoq, për të hedhur dritë mbi veprimtarinë e bujshme atdhetare të këtij veprimtari të palodhur, ka bërë që ky dorëshkrim të plotësojë kriterit e botimit si vepër me vlera historike, kombëtare, dokumentare e, besa, edhe letrare. E them këtë në cilësinë e redaktorit, meqë pata fatin që ta lexoj e rilexoj i pari me laps në dorë, siç i thonë një fjale, e ta shijoj qysh në embrion këtë vepër.
Libri “Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim” është konceptuar në 11 kapituj, të cilët plotësojnë njëri-tjetrin dhe na japin një mozaik të larmishëm tematik e përmbajtjesor.
Libri, në fakt, krahas Osman Osmanit, kushtimisht mund të themi se ka edhe autorë të tjerë, që, me analizat, rrëfimet, fjalimet, rikujtimet dhe intervistat plotësojnë dhe sublimojnë personalitetin e protagonistit Skënder Ibishi dhe rrethanat shoqërore-politike, në të cilat ka vepruar ai dhe organizata e tij. Madje-madje, në brendi të librit qëndrojnë edhe shkrimet e tij autoriale, analiza e poezi, gjë që ia shtojnë vlerat artistike dhe jetëgjatësinë historike kësaj vepre.
Kapitulli i parë, “Fëmijëria dhe shkollimi i Skënder Ibishit”, shënjon fillimin e vërtetë të librit, ku autori me akribi fanatiku ka gjurmuar jetën dhe shkollimin e Skënder Ibishit, duke na shpënë tejetej deri te rrënjët e të parëve të tij në Banjë të Siarinës, në Medvegjë. Më pas vazhdon me shkollimin dhe karrierën e Skënderit, i cili ishte një fëmijë i veçantë në familjen atdhetare Ibishi, nxënës shembullor në Prishtinë, kadet i përpiktë në gjimnazin ushtarak, përkatësisht në Akademinë Ushtarake në Beograd. Skënder Ibishi u bë oficer i zoti dhe një profesionit i shkëlqyer.
Në kapitullin e dytë, “Kontributi i Skënder Ibishit për Kosovën dhe vitet e burgut – Lufta e gjatë ilegale për Kosovën Republikë”, që është një kapitull i rëndësishëm të këtij libri, Skënderi, ashtu si Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu, duke shërbyer në ushtrinë e një perandorie që po shembej nga brenda, shihte nga afër padrejtësitë që u bëheshin vëllezërve të tij shqiptarë në njërën anë, dhe kontaktet e përhershme me veprimtarët e ilegales në Kosovë në anën tjetër. Këto bënë, që në zemrën e oficerit të ri të lindnin ndjenja të fuqishme atdhedashurie dhe t’i shtohej urrejtja ndaj eprorëve serbë dhe sistemit shtypës hegjemonist. Kështu, një ditë, pa u hamendur fare, ai pranoi të bëhej anëtar i organizatës ilegale PKMLSHJ (temë që trajtohet në kapitullin e tretë dhe të katërt), duke marrë përsipër edhe detyra të rëndësishme atdhetare në profesionin e tij: këshilltar për Çështje Ushtarake! Që të ruante fshehtësinë, ai vepronte me pseudonimin Laufer. Mirëpo të gjitha këto aktivitete arritën të hetoheshin dhe zbuloheshin nga organet ushtarake serbe. Pas njëfarë kohe, Skënderi arrestohet dhe, pas hetimeve 19-mujore nga Sigurimi Ushtarak serb, gjyqi ushtarak i Beogradit, me dëshmi të rreme e inskenime, e dënoi me dymbëdhjetë vjet heqje lirie, të cilat (tetë vite e ca) i vuajti kryesisht në burgun e Pozharevcit…
Edhe pas daljes nga burgu, aktivitetet e tij nuk kanë të ndalur në të mirë të çështjes kombëtare, derisa agoi Dita e Bardhë: LIRIA!
Autori, në kapitullin e tretë, ka parapëlqyer shkrimin e gjatë analitik, me titull “Krijimi i lëvizjes së re politike (1975-1982: PKMLSHJ-LRSSHJ)”. Këtu shpjegohet historiku i zhvillimit të kësaj organizate, që luajti një rol të madh në zhvillimin e gjithëmbarshëm të ilegales shqiptare, në të cilën filloi veprimtarinë e tij atdhetare dhe revolucionare edhe Skënder Ibishi. Një analizë e thukët e lindjes, zhvillimit, veprimit e aktiviteteve të gjithëmbarshme të kësaj organizate, një pasqyrë përmbledhëse e reale, e strukturuar dhe e hartuar kryesisht nga vetë Osman Osmani.
Në kapitullin e katërt trajtohet roli që pati Skënder Ibishi në lëvizjen politike të kohës, si dhe angazhimi i mëtejmë në veprimtarinë atdhetare. Në këtë kapitull theksohet gjithashtu, se me iniciativën e Skënder Ibishit u formuan disa komisione, të cilat gjatë vitit 1990-1993 kanë pasur rëndësi të veçantë. Po ashtu trajtohet rrezikimi i jetës së tij dhe i familjarëve të tij në Kosovë nga Sigurimi dhe policia serbe dhe arratisja e tij në Zvicër.
Në kapitullin e pestë, “Rikthimi në Kosovë dhe sëmundja – Njeriu i të gjithëve”, autori përshkruan rikthimin e Skënderit në Kosovën e pasluftës, duke lënë pas një jetë të stabilizuar dhe duke u përballur me luftën për ekzistencë në vendin e tij të trazuar. Në të kapitull flitet për përpjekjet e tij për të gjetur një punë, që për një njeri si ai, me përgatitjen dhe kontributin e tij për vendin, nuk duhej të ekzistonin këto mundime dhe, pasi u punësua, nuk arriti ta shijojë dhe jetojë atë liri për të cilën ishte përpjekur, sepse një tjetër armik i egër u shfaq në jetën e tij: sëmundja e pashërueshme, që kësaj here do ta largonte nga jeta përgjithmonë…
Në kapitullin gjashtë janë përfshirë dy intervista të tij të gjata, njëra për revistën “Kosovarja” e tjetra për “Prointegra.ch”, në të cilat, në mënyrë të hollësishme shpërfaqet gjithë aktiviteti i tij atdhetar, në ushtri, në organizatë e në jetën e përditshme me shokët e idealit. Në to, pavarësisht situatave të palakmuara, nëpër të cilat ishte përbiruar si në vesh të gjilpërës, shihet qartë se në shpirtin e tij përherë dominonte optimizmi dhe besimi në fitore. Nga ato përgjigje po shkëpusim një mendim që e kemi vënë edhe si moto të librit:
“…Kam bindje të thellë, se ardhmërinë e jetës sime do ta kaloj i lirë në Kosovën e lirë, një jetë të cilën e kemi merituar të gjithë: jetën e një populli të kulturuar dhe të civilizuar europian. Këtë që po them, e kam thënë edhe para disa vjetësh, gjë për të cilën shkova edhe në burg. E them këtë edhe sot, por edhe sikur të më fusin sërish në burg, kurrë nuk do të pranoja, por do ta përsërisja dhe sërish do ta mendoja, sepse besoj me tërë qenien time në lirinë e popullit tonë, në lirinë e Kosovës dhe në sovranitetin e saj…”
Sidoqoftë, pjesët më të rëndësishme të librit mbesin shkrimet e kapitullit të shtatë, “Shkrime në vetë të parë – Kujtime dhe opinione të Skënder Ibishit”, ku del në pah e gjithë bota e brendshme e njeriut që bëri epokë. Bota poetike e Skënder Ibishit është pasqyrim real i një gjenerate të përvuajtur, por të pathyeshme, e cila paraqet një hallkë të rëndësishme të vargoit të pashkëputur të përpjekjeve tona shekullore për liri e pavarësi kombëtare. Kjo gjë shpërfaqet bindshëm në shkrimin “Shkronjat nga largësia”…
Ndërkaq, në kapitullin e tetë, “Bota poetike e Skënder Ibishti dhe vargje për Skënder Ibishin”, gjejmë vargje të dala nga gjirma e zemrës së një të burgosuri që, ashtu, në vetmi, mediton për ditën bardhë dhe prej andej kuvendon me nënën e dashur, që duket sikur e përqafon nga larg; kuvendon me vetveten teksa vuan në heshtje dhe nuk ligështohet kurrë e nuk dorëzohet, sepse:
…jo, mos mendo,
se vetmia moralin
do të ma thyejnë!
Jo, mos mendo,
jam shqiptar
dhe s’dorëzohem.
Në kapitullin e nëntë, “Të tjerët për Skënder Ibishin – Mendime, thënie, vlerësime…” dhe në kapitullin e dhjetë, “Fjalë përkujtimore për Skënder Ibishin”, janë radhitur: mendime, thënie, fjalime, kujtime e rikujtime të miqve, të shokëve, të bashkëveprimtarëve, të familjarëve, të gazetarëve e të krijuesve të ndryshëm, kushtuar këtij kolosi, fill pasi na la lamtumirën e fundit, më 6. 7. 2017, në moshën 61-vjeçare. Përveç tridhjetë e katër mendimeve e thënieve të shkurtra, në kapitullin e njëmbëdhjtë janë përfshirë edhe fjalët e shumë personaliteteve, të cilat ndriçojnë shumanshëm figurën dhe personalitetin e këtij atdhetari, si Faton Topalli, Isuf Ismaili, Ahmet Qeriqi, Hydajet Hyseni, Avdi Gjata, Nysret Hajdari, Abdullah Prapashtica, Murat Bytyqi, Selver Nuhiu, Agim Sylejmani, Fehmi Berisha, Xhevat Hasani, Makfire Maqedonci-Canolli, Sylejman Ahmetaj etj.
Që të jemi korrektë, në këto shkrime përkujtuese e vlerësuese, gjithherë pozitive, ashtu siç ishte edhe vetë Skënderi, edhe pse autori Osman Osmani dhe unë, si redaktor, bëmë përpjekje, por ndoshta nuk kemi arritur t’i mënjanojmë disa përsëritje, (secili e ka perceptuar nga këndvështrimi i vet), ngase natyra e tyre nuk lejonte ndërhyrje më të mëdha, sepse humbnin kuptimin, ndaj kërkojmë falje dhe besoj se nuk e lëndojnë librin.
Lëvizja Ilegale në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e pandërprerë, që nga viti 1945 e deri në vitin 1989, kur zuri të dalë në skenë një lloj pluralizmi i lejuar, përkatësisht deri kur në skenë doli forca jonë çlirimtare, UÇK-ja.
Në këtë vazhdë ecën edhe PKMLSHJ-ja (Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi), e cila kontribuoi shumë në realizimin e synimit për krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, pa hequr dorë nga përfundimi: Bashkimi me Shqipërinë!
Libri është ilustruar edhe me disa foto, faksimile dokumentesh e vendimesh, të cilat e begatojnë, e konkretizojnë dhe e bëjnë më të kapshëm për lexuesin kureshtar.
Në përfundim, pa kaluar në analiza më të hollësishme, sepse këtë do ta bëjë vetë lexuesi, pa modesti mund të konstatojmë se libri monografik “Skënder Ibishi – Liria nuk ka çmim”, i autorit Osman Osmani, është një realizim i bukur publicistiko-historik, një monografi që na ka munguar, për një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, për organizatën ilegale PKMLSHJ, për ilegalen në përgjithësi e për familjen e njohur atdhetare Ibishi, gjegjësisht për veprimtarin e palodhur, që tërë jetën ia kushtoi Kombit e Atdheut: për Skënder Hamdi Ibishin!
Librit i dëshirojmë lexueshmëri e shpërndarje nëpër bibliotekat tona e në çdo shtëpi, ndërkaq autorit suksese, shëndet dhe vepra të reja!
Galicë
Shtator, 2021