Afrim Nevzadi – përsëri përzgjidhet nga lexuesit e hellozurich.ch

Cyrihu, Rruga Gerold dhe ndërtesa impozante Prime Tower, grafitet murale “të ndaluara” si pjesë e artit të rrugës, të gjitha këto bashkë të reflektuara në ujë – janë motivi konkurrues i fotografisë së Afrim Nevzadit të cilën lexuesit e nderuan me çmimin e dytë.

Redaksia jonë i dëshiron suksese në të ardhmen.

Në vazhdim po japim një shkrim interesant për Afrim Nevzadin nga portali “albanianpost.com” me autor Labinot Nimanin.

Arti i fotografit shqiptar, vlerësohet edhe në Zvicër

Shqiptarët dhe sukseset e tyre po vazhdojnë të thyejnë kufijtë shqipfolëse, duke i lënë veprat e tyre të flasin më së miri për ta.

I tillë është edhe fotografi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Afrim Nevzadi, një fotografi e të cilit falë shumë votave të grumbulluara është zgjedhur si “fotografia më e mirë e javës” nga portali i famshëm zviceran, hellozurich.ch.

Ndërkohë, në një intervistë për Albanian Post, Nevzadi, tregon se ndjehet i vlerësuar që emri i tij të bëjë jehonë në një vend metropolitan siç është Zurich, ku sipas tij operojnë fotografë të shumtë.

“Nuk ishte e lehtë për tu ngjitur në majat e konkurrimit në nivel të shtetit siç është Zvicra, sepse konkurrenca ishte dhe mbetet shumë e madhe. Vetëm qyteti i Zürich-ut ka mbi 5.000 fotografë dhe ju vetë mund ta paramendoni se çfarë kualiteti duhet të ketë një fotografi për vendin e parë”.

“Unë jam ndjerë shumë mirë. Ndjehem gjithmonë mirë kur vlerësohet arti dhe fotografia ime. Ndërsa përzgjedhja e fotografive të mia më ka dhënë forcë dhe kurajo që të vazhdoj tutje, të mos ndalem dhe kohën që kam ta paketoj dhe organizoj në vlera kreative dhe emocionale”, thotë ai.

Gjithsesi, kjo nuk ishte hera e parë që ai kryeson në sondazhe të krijuara në rrjete sociale nga mediat zvicerane.

Afrimi tregon se ka pasur edhe herë të tjera kur ai ka shijuar suksese të tilla.

“Pesë herë, lexuesit dhe ndjekësit nga rrjetet sociale dhe virtuale më nderuan me vendin e parë në Zürich. Kurse vendin e dytë dhe të tretë, nuk e di as vetë se sa herë më është ndarë”, tregon fotografi shqiptar.

Për Albanian Post, Nevzadi, tregon hapat e parë drejt pasionit të tij për fotografinë. Ai zbulon se aparatin e parë fotografik e kishte blerë në vitin 1996.

“Në vitin 1996 bleva fotoaparatin e parë dhe ishte gëzim i madh për mua, sepse ishte kontakti im i parë me teknikën e kohës dhe fillova intensivisht të merrem me fotografim me dëshirën për të ecur përpara për të mos u ndalur më”.

“Pastaj, në vitin 2010 bleva fotoaparatin e parë digjital dhe po fluturoja nga gëzimi se po bëja atë që kisha ëndërruar prej kohësh”, tregon ai.

Mes tjerash, Afrimi tregon se si një shqiptar që ka emigruar drejt kontinentit evropian, fillimet nuk kanë qenë të lehta.

Por, ani pse ai ishte i angazhuar në profesione të tjera, fotografi pohon se zemra i flinte vetëm në artin e fotografisë.

“Në vendin ku unë kam lindur dhe jetuar deri në moshën 22 vjeçare, pra në Vaksincën time fotografia dhe fotografimi nuk njihej mjaftë dhe nuk cilësohej si punë dhe profesion, por edhe nuk mund të jetoje nga ky profesion, ka qenë edhe e vështirë gati e pamundur të merrej dhe si një hobi”.

“Prandaj, në vitin 1990 emigrova në Zvicër dhe fillova të punoj punë nga më të ndryshmet (ndërtimtari, restorante) por mendja dhe ëndrra ime i përkiste gjithmonë fotografisë”, thotë ai.

Fotografi, Afrim Nevzadi, tregon se inspirimi i tij kryesor vijon të mbetet natyra.

“Natyra për mua ka qenë fascionuese dhe tërheqëse, kurrë nuk jam ngopur së vështruari. Edhe ideja që ky fascinacion të konservohet në fotografi ishte dëshirë e përjetshme e imja”

“Malet, fushat, lumenjtë, liqenet, ujëvarat, si dhuratë nga nëna natyrë dhe qytetet si fantazi e nivelit tonë të qytetërimit janë komponentë kryesor të motivit tim fotografik”, tregon fotografi.

Jetesa e tij larg prej trojeve shqiptare, Afrimit, i pamundëson eksplorimin e detajuar të këtyre trevave, por ai gjithmonë vlerëson lartë Kosovën dhe në përgjithësi vendet shqipfolëse si të “bukura” për të shkrepur fotografi unike.

Sipas tij – “Kosova dhe tërësisht trojet Shqiptare kanë vende të bukura për të nxjerrë fotografi të bukura dhe përmes këtyre bukurive të paraqitura në foto, joshen edhe turistët vendas dhe të huaj, kështu edhe rritet numri i turistëve dhe zhvillohet turizmi”.

Në planet e fotografit, Afrim Nevzadi, mbetet fotografimi i trojeve shqiptare duke synuar që përmes këtyre imazheve të arrij që të tërheq sa më shumë njerëz që të vizitojnë këto vende. /Albanianpost.com