“S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”

„S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”,

Vështrim lidhur me temën e librit “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”, shkruar nga Dr. Xhevat Hasani dhe botuar nga Prointegra, Zürich-Zvicër, viti 2025.

Shkruan Agim Sylejmani

Librin “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”, shkruar nga Dr. Xhevat Hasani, kisha fatin ta shfletoj akoma pa u botuar, duke mos u mjaftuar vetëm me një lexim të zakonshëm të tij, duke e vlerësuar si libër që do të duhej ta kemi në bibliotekat tona dhe ta lexojmë dhe rilexojmë, e kështu duke marrë pak nga kurajoja qytetare e Dr. Xhevatit që të ballafaqohemi me dukuritë e këqija dhe tejet negative e të dëmshme për shoqërinë, e sidomos për kombin tonë.

Xhevat Hasani, mjek me profesion dhe disa vite ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare dhe mbështetës i luftës së lavdishme të UÇK-së, për shkak të përndjekjeve të vazhdueshme, ishte i detyruar të arratisej në vitin 1992 nga Kosova dhe tani jeton në Zvicër. Pos çështjes madhore të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Xhevatin e kanë preokupuar edhe probleme të ndryshme shoqërore. Prandaj ai, edhe pranë punës intensive në Zvicër, u mor dhe po merret pa ndalur me trajtimin e temave të ndryshme, të cilat e ngarkojnë jetën nën qiellin arbëror.
Njëra nga këto tema, pa dyshim, është edhe njëra nga çështjet më anakronike të pasluftës në Kosovë – përpjekjet satanike për krijimin e një “identiteti” të ri kombëtar për ne shqiptarët – kombin „kosovar“, i cili s’është gjë tjetër pos një koncept dhe mision nga më antishqiptarët e derisotëm. Pushtuesi serbo-sllav titist u përpoq me të gjitha mjetet të na paraqiste ne shqiptarët në trojet tona stërgjyshërore se gjoja ne nuk jemi të njëjtë me shqiptarët në Shqipëri, dhe populli ynë edhe pranë terrorit të paparë në Evropën e pasluftës, arriti të ruaj dhe kultivojë ndjenjën e të qenurit shqiptar duke ia përcjellur brezit tjetër ndjenjën kombëtare shqiptare.  

Ndërsa sot, mbi një çerek shekulli pas përfundimit të luftës së lavdishme çlirimtare, nëpër studiot tona televizive, fare lirshëm dhe pa asnjë përgjegjësi penale për ato që vjellin, defilojnë serbofilët, ata që edhe ëndrrat e tyre i shohin akoma serbisht, duke propaganduar hapur për tjetërsimin tonë kombëtar, për gjoja një identitet të ri “kombëtar”, “identitetin kosovar!”. Krejt kjo përpjekje e tyre, bëhet jo aq për bindjen e tyre rreth kësaj çështje, sa për atë se ata e kanë mision që të shtyjnë përpara këtë agjendë antishqiptare në nënqiellin tonë arbëror. Derisa këta bashibozukë, këto jashtëqitje të kombit tonë, çirren nëpër studiot “shqiptare” televizive për krijimin e këtij “identiteti të ri kombëtar” të këtij nënqielli, për të ashtuquajturin “komb kosovar”, çuditërisht shumë pak, tmerrësisht shumë pak nga ne patën kurajën që në një mënyrë apo në një tjetër të ngrisim zërin kundër kësaj shëmtie të studiove tona televizive. E futa nën thonjëza fjalën studiot “shqiptare”, nga arsyeja e vetme se në ato studio vetëm flitet shqip, por për mision kanë qëllime tejet armiqësore antikombëtare shqiptare, qëllime të gatuara nga qarqe armiqësore kundrejt çdo gjëje shqiptare, e sidomos kundrejt qenësisë së shtetit të pavarur të Kosovës. Me këtë libër Dr. Xhevati na mëson se si nuk duhet të heshtim, por të ngritim lart zërin, deri në qiell, kundër këtyre tendencave shumë të rrezikshme për qenien tonë kombëtare, duke mos lejuar tjetërsimin e identitetit tonë kombëtar shqiptar.

Libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”, është një libër polemik, sqarues dhe në shërbim të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar shqiptar në këto trojet arbërore deri dje të pushtuara nga Serbia. Autori këtë libër me 500 faqe e ka ndarë në 13 pjesë dhe 59 kapituj, duke trajtuar 13 tema dhe 59 nëntema të ndryshme, krejt në shërbim të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar shqiptar dhe luftimin e krijimit artificial të një “identiteti të ri të rremë – identitetit kosovar”, pra, të ashtuquajturit “komb kosovar”, krejt kjo duke u mbështetur në argumente shkencore.

Në parathënie autori me një vendosmëri dhe guxim konstaton se, “Në Kosovë as nuk ka pasur dhe as nuk ka mund të ketë “komb kosovar”, sepse në Kosovë ka pasur, ka dhe do të ketë komb shqiptar”.

Autori e bën  polemikën kundër këtyre të ashtuquajturve “gazetarë”, siç i identifikon ai me të drejtë, si gazetarë ide komb-tjetërsues, komb-vrasës, komb-ndarës, etj., duke vënë në spikamë se ai që doli me idenë e krijimit të këtij “identiteti kosovar” ishte Migjen Kelmendi, pas të cilit më të zëshmit u bënë anal-istat Nexhmedin Spahiu dhe Halil Matoshi, të cilët, për fatin tonë të keq, i shohim çdo mbrëmje në televizionet tona të shumta shqipfolëse. Të tillët i madhi Ismail Kadare i cilësonte si jashtëqitje e kombit.

Që në pjesën e parë të librit, autori shtron dhe shtjellon çështjen “Pse nga shqiptarët e Kosovës nuk duhet të krijohet “kombi kosovar”, duke qenë se jemi një komb i ndarë dhunshëm në gjashtë njësi territoriale; se jemi kombi më i rrezikuar në gadishullin Ilirik (të cilin sot po e quajnë Ballkan) dhe në Evropë; se 2/3 e Çamërisë janë aneksuar nga Greqia; se “Serbia nuk don të ketë punë me 5 milionë shqiptarë, por vetëm me 2 milionë “kosovarë”; se jemi një komb i rrethuar dhe na vjen rreziku nga të katër anët, nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia; aq më tepër se Kosovës nuk ia ka kërkuar askush krijimin e “kombit kosovar”; duke konstatuar se “kombi kosovar” si ide është nga më të rrezikshmet e mundshme për mbarë kombin tonë.

Dhe jo rastësisht e gjithë kjo maskaradë shfaqet në skenë pikërisht pas përfundimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur edhe merr hov agresiviteti i porositur antishqiptar dhe i paguar nga armiqtë e përbetuar të kombit tonë. Pikërisht për këtë edhe ngritë zëshëm çështjen autori në libri e tij, “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”, “Pse Spahiu, Matoshi e ndonjë tjetër, menjëherë pas çlirimit në vitin 1999… dhe sidomos pas pavarësismit të Kosovës në vitin 2008, kanë dalë me idenë e ndarjes së kombit shqiptar në dy kombe…?” Duke konstatuar me të drejtë se ata ndoshta “e kanë mision jetësor të sponzorizuar nga ndonjë komb e vend antishqiptar, siç është p.sh. Serbia…”

E gjithë kjo propagandë është mundësuar nga një mori mjetesh vizuale televizive, gjoja të pavarura, për të cilat tanimë është e njohur dhe publike se paguhen me shuma marramendëse. I freskët është edhe rasti i Fatmir Shehollit, të cilit i ishin hapur krah e krah dyert e këtyre televizioneve më se të dyshimta për nga padronët e tyre, derisa “pronarët” e deklaruar për një kohë të shkurtër u bënë multimilionerë dhe të paprekshëm e të pandëshkuar nga ligji, duke përjashtuar rastin Sheholli.

Ky libër ngërthen dhe shtjellon disa nga temat bosht të tij: kombi shqiptar, komb-ndarës, kombet multietnike dhe monoetnike (si shqiptarët), heqja e flamurit kombëtar nga Kosova, bashkimi kombëtar dhe bashkimi Kosovë-Shqipëri, vepra e rilindësve shqiptarë, krijimi i kombeve austriake dhe moldave, plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, anëtarësimi në OKB, si dhe kuptimi i fjalës komb.

Të gjitha këto tema autori i trajton veç e veç dhe me një kujdes të veçantë, duke i shtjelluar dhe sqaruar shkencërisht, si dhe duke sjellur shembuj të ndryshëm për të mbështetur konstatimet e tij. Për këtë ai edhe citon autorë dhe vepra të ndryshme që kanë temë trajtimi çështjen kombëtare, duke i plotësuar edhe me nocione shkencore temat veç e veç.

Duke e lexuar këtë libër monument të Dr. Xhevat Hasanit, s’do mend se rikthehemi për disa dekada më herët, në kohën kur pushtuesi serbo-sllav përpiqej me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të detyruar pjesën e kombit tonë nën pushtim për të “identifikuar” veten si një “kombësi” e cila ishte “ndryshe” nga kombi ynë i cili jetonte në shtetin tonë amë – Shqipëri; ndërsa më vonë investuan çmendurisht përmes klikës kuislingë të Kosovës për ta detyruar popullin tonë të deklarohen si “jugosllavë”. Këtyre përpjekjeve të skajshme të pushtuesit shekullor rinia jonë studentore ua dha një përgjigje të vendosur e të qartë përmes parullës “Jemi shqiptarë e jo jugosllavë!”, parullë e cila e bindi përfundimisht pushtuesin se kombi ynë nuk e kishte ndërmend të ndërrojë identitetin e tij në trojet e veta.

Ndërsa tani na dalin bashibozukë të tillë si Spahiu, Matoshi, Kelmendi, e ndonjë tjetër, dhe çirren zëshëm për krijimin e një identiteti të ri – “identitetin kosovar”, duke e ideuar si një “komb” të ri në shtetin e ri të krijuar në gadishullin Ilirik, pra, “kombin kosovar!” deri këtu shkon çmenduria dhe anakronia e kohës të cilën po e jetojmë sot. Derisa në vitet e 70-ta dhe të 80-ta të shekullit të kaluar, rinia jonë përpjekjeve të tilla të pushtetit i përgjigjej me shtypjen dhe shpërndarjen e trakteve dhe shkrimin e parullave, sot, çuditërisht, edhe ata që janë të thirrur që të ngritin zërin kundër deformimeve të tilla në shoqërinë tonë, ata heshtin, heshtin duke bërë sehir me këtë të keqe shumë të rrezikshme për kombin tonë. Pikërisht këtu edhe merr vlerë akoma më të madhe ky libër që na i dhuroi në fundvitin 2025 Dr. Xhevat Hasani, libër të cilin duhet ta lexojmë e rilexojmë, për të rifituar kurajon e kundërshtimit ndaj dukurive të dëmshme në shoqëri, e sidomos kur të jetë në pyetje rrezikimi i çështjes sonë kombëtare.

Për në fund, si për ironi, ky libër na vjen dhuratë nga një mërgimtar, nga një përfaqësues i atyre për të cilët në kanalet televizive shqipfolëse thuhet se janë “gërnaça” dhe në vend se të reagojnë, në studio anal-istat shkrihen së qeshuri. Nuk reagojnë as intelektualët tanë, as profesorët, as akademikët. Nuk reagon as shoqëria civile e rreshtuar në OJQ-të e famshme të financuara nga qarqe shumë të dyshimta. E gjithë kjo më rikthen në kujtesë edhe veprimtarinë këmbëngulëse të rilindësve tanë të shpërndarë anë e kënd rruzullit, të cilët me përpjekje titanike ia arritën të ruajnë dhe kultivojnë identitetin tonë kombëtar shqiptarë, duke na lënë trashëgim një thesar të çmuar në rrugëtimin e mëtutjeshëm të kombit tonë. Këtë duhet ta kenë parasysh kushdo qoftë para se të fyej dhe etiketojë mërgimtarët tanë të ditur dhe atdhetarë të flaktë.

Autorit të librit “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”, Dr. Xhevat Hasanit, duhet t’i jemi mirënjohës për këtë vepër monumentale në shërbim të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar shqiptar. Me respekt dhe mirënjohje të thellë i uroj Dr. Xhevatit që t’i punojë shëndeti dhe të ketë forcë për të vazhduar në këtë mision tejet fisnik dhe atdhetar.

Agim Sylejmani
11.5.2026