Reagim publik MPMS-së në lidhje me përfitimet që dalin nga Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore me Zvicrën

491

Nga 1 shtator 2019 hyri ne fuqi marrëveshja e re e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Kosovës. Ky është një lajm i pritur me vite nga qytetarët, të cilët deri tash kanë qenë të privuar nga e drejta për pension nga Zvicra. Pavarësisht nënshkrimit dhe ratifikimit në vitin 2019, diskriminimi mjerisht ende nuk ka përfunduar. Me marrëveshjen e re të ratifikuar, përjashtohen nga përfitimi i merituar shumë të prekur për një periudhë gati 10 vjeçare, duke iu shkelur të drejtën për të pranuar përfitimet që u takojnë nga sigurimet shoqërore.  Sidoqoftë, personat me të drejtë përfitimi me të drejtë presin nga institucionet e shtetit informim, mbështetje dhe ndihmë konkrete në paraqitjen e kërkesave për pension.

Hapi i parë i nevojshëm është informimi i drejtë dhe gjithëpërfshirës. Duke parë që dhjetëra mijëra shtetas nga Kosova të prekur nga kjo marrëveshje ende përballen me sfida për të realizuar të drejtën e tyre kërkojmë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale  të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të informuar të prekurit dhe familjarët e tyre përmes fushatave informuese në televizionin shtetëror, mediat tjera publike dhe rrjetet sociale. Në mungesë të informimit dhe ofrimit të shërbimeve të rregullta për qytetarët e prekur nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, me mijëra të prekur dhe familjarë të tyre kanë mbetur të papërfaqësuar e të pambrojtur dhe jo rrallë edhe kanë rënë pre e spekulantëve dhe agjencive, të cilët i kanë dezinformuar ata me qëllime përfitimesh materiale. Përfituesit dhe të prekurit, me të drejtë, presin shërbime publike falas, që u takojnë dhe që u garantohen edhe me marrëveshjen bilaterale.

GERMIN, Sindikata Unia dhe platforma prointerga.ch bashkë me aktivistet/ët shqiptaro-zviceranë  kërkojnë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që pa zvarritje të mëtejme të ndërmarr një fushatë masive për të informuar publikisht dhe për t’u qëndruar pranë me ndihmë e mbështetje konkrete personale për të gjithë personat me të drejtë përfitimi nga marrëveshja e pensioneve.

Të prekurit: Pos pritjes shumëvjeçare në ankth, zgjidhje së mangët edhe mangësi informatash e ndihmë dhe zvarritje burokratike e procedurale

Në vijim një nga shumë përshtypje të personave me të drejtë përfitimi dhe familjarëve të tyre të prekur.

L. H. :  Jam e gëzuar shumë për hyrjen në fuqi të marrëveshjes, në mungesë të së cilës vuaj që nga ndërprerja e saj. Jam e sëmurë dhe e shtyrë në moshë, më duhen para për mjekun dhe për ushqim me cilësor e një jetë me e mirë si dhe për t’u kujdes dikush për mua… Unë mendoj që na është bërë padrejtësi nga dyja qeveritë, duke filluar nga ajo e Kosovës dhe ajo Zvicrës, pasi Marrëveshja ka marrë shume kohe, gati 10 vjet janë shuma të mëdha, e në këto shumë vite pa burrë, nga halli i sëmundjes e moshës së shtyrë, kemi pas nevojë për para më shumë se kurrë më parë.

Po prapë jemi të gëzuar për marrëveshjen, si thonë tek ne në Kosovë – me mirë vonë se kurrë.

Aplikimi i përsëritshëm për mua paraqet maltretim, sepse kërkohen përsëri një mori  dokumentesh për aplikim rishtas, pastaj udhëtimi për në Ministri në Prishtinë është lodhje për mua, tek noteri, në komunë, pritjet e gjatë,… përkundër faktit se ka mund me u kryer me ndonjë procedurë më të shpejtë, sepse i organet Zvicrës i kanë të gjitha të dhënat. Edhe tani na shkaktohen shpenzime te mëdha shtesë, e të mos përmendim shpenzimet e kota para Marrëveshjes nëpër avokatë, në mungesë të mbështetjes institucionale shtetërore.

Mbështetja duhet të jetë konkrete, e shpejtë dhe pa burokraci

Ndihmë konkrete në plotësimin e formularëve dhe dorëzimin e kërkesave për pensione duhet bëre sa më shpejtë. Pensionistët kanë nevojë për ndihmë konkrete dhe të shpejtë, me qëllim që pensionet të fillojnë të paguhen sa më shpejtë.

Ndërsa tanimë pa zvarritje duhet të përkthehet formulari/kërkesa dhe bashkë me listën e dokumentacionit të nevojshëm përcjellës të vendosen në ueb faqen e Ministrisë për shkarkim si dhe të promovohet në të gjitha format e mundshme. Këta formularë e shërbime duhet të vihen në dispozicion edhe nëpër Zyrat e komunave të shumta në Kosovë. Me këtë bëhet edhe një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes në proces të Zyrave komunale, të cilat ekzistojnë dhe janë të afërta dhe të arritshme për qytetarët. Zyrat Rajonale të Mirëqenies Sociale do të lehtësonin shumë procesin e paraqitjes së kërkesave, pasi që aplikimi vetëm në Divizionin për Pensione të Jashtme në Prishtinë, përfituesve dhe familjarëve të tyre të prekur pos tjerash u merr kohë, shkakton kosto financiare të panevojshme shtesë. Funksionimi institucioneve në gjithë vendin dhe jo vetëm në kryeqytet bënë ato me të besueshme dhe me serioze edhe sa i përket pritjeve që ndërlidhen me zbatimin edhe të marrëveshjeve bilaterale.

Përfituesit aktual dhe ata potencial në rritje e sipër tanimë kanë nevojë për mirinformim dhe shërbime shtetërore praktike personale, serioze dhe me dinjitet, pa pasur nevojë tu shkaktohet paqartësi, mungese informatash, stërmundim të udhëtimit të përfituesve nga zonat e ndryshme të vendit për në Prishtinë, shumë nga ta të shtyrë në moshë, të sëmurë e/apo te kufizuar në lëvizje, e që ndër të tjera ndërlidhen edhe kosto të mëtejme financiare shtesë.

Padrejtësia nuk merr fund me marrëveshjen

Gjatë këtyre 10 viteve, edhe përkundër kërkesave të shumta të qytetarëve të dëmtuar, zëri i të prekurve është përfaqësuar kryesisht nga sindikata Unia e Zvicrës dhe aktivistët e diasporës sonë atje e këtu. Ishte sindikata Unia ajo, e cila u angazhua zyrtarisht dhe përmes fushatës politike e veprimeve tjera konkrete të luftojë panda diskriminimin selektiv e ekskluziv ndaj shtetasve të Kosovës dhe bashkë me partnerë në Zvicër e Kosovë dha kontribut të dukshëm e të shumanshëm në arritjen e marrëveshjes së re. Unia kritikon faktin se marrëveshja e arritur nuk parasheh masa për kompensim të të prekurve për këto dhjetë vite pa marrëveshje dhe bashkë me partnerët kërkon prej të dy Qeverive të gjejnë një zgjidhje për kompensim të shpejtë të personave të prekur.