Aktualiteti shqiptar është lufta. Luftë politike, luftë etnike, luftë klasash e interesash. Në çdo vend shqiptar dhe në çdo log. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në xhami…
I.
Si një serial latin-amerikan, opozita në Shqipëri e ka lidhur opinionin me materialet për historinë e vëllait të ministrit të Mbrendshëm, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Sa të sqarohet çështja, vlen ajo pyetja që një gazetare ia shtroi Kryeninistrit: A s’ka Partia Socialiste një njeri të pa lidhur me trafikantë për ministër të Brendshëm…?
Ndërsa një hulumtim i Fondacionit Friedrich Ebert për barazninë sociale në Evropën Juglindore nuk zgjon ndonjë debat. As për opozitën. Mbase sepse nuk krijon tension, s’ka intrigë… Ndonëse ai shpërfaq një problem po kaq alarmant sa droga: Në Shqipëri vetëm një për qind e popullatës së varfër kanë akces në shkollim të lartë, privat, apo – pa shih njihëherë! – edhe publik. Si në asnjë vend tjetër të rajonit.
A nuk bën përshtypje kjo në një shoqëri, që për një gjysmë shekulli është qeverisur nga një sistem komunist? Si ndodh në një shoqëri, e cila për mbi një çerek shekulli tranzicion më shumë se gjysmën e kohës është qeverisur nga një parti socialiste e dalë nga ajo komuniste? Dhe, si bëhet që ky raport është katandisur sidomos viteve të fundit, kur po qeveris Partia Socialiste, e cila duhet të ishte kujdestare e segmenteve të paprivilegjuara shoqërore?
II.
Kosova nuk është konsideruar në këtë hulumtim të Friedrich Ebert. Në raportin që ka dalë, nuk thuhen arsyet për këtë. Mbase edhe ajo qëndron në harkun e vendeve të tjera të Ballkanit, ku më së miri qëndron Kroacia me njëmbëdhjetë për qind, Serbia me dhjetë, Bosnja me tetë për qind akces për segmentet e varfra sociale në shkollim të lartë.
Dhe, kjo nuk është një çështje dosido. Raporti sugjeron që arsimi më i mirë lidhet me perspektiva më të mira në tregun e punës dhe me mirëqenien. Në anën tjetër, privimi nga një arsim cilësor, mund të shpiejë në një përjashtim social të të rinjve. Dhe këto në Kosovë janë shumica! Kjo mund të thotë tension i programuar social dhe emigracion.
Një mesazh tjetër i zymtë është se edhe në Kosovë politikanët i kanë lëshuar nervat. Ata nganjëherë nuk presin sa ta fikin mikrofonin, nganjëherë nuk iu mjafton forca e mikrofonit për t’u shkrehur ndaj kolegëve, a kolegeve. Së fundmi konflikti e ka kapërcyer fazën e fjalosjes dhe është futur në atë të bërrylosjes… Një rekord, sikur gazin ta shihnim si një përjashtim.
III.
Akcesi i të paprivilegjuarve në shkollimin e lartë në Maqedoni është katër përqind. Te shqiptarët ai do të jetë më i ulët. Jo rastësisht rinia po ikën në Gjermani. Por, me këtë nuk merret kush.
Një dramë greke që po luhet në Maqedoni ia ka marrë vëmendjen barazisë sociale. Sikur janë mbledhur bijtë dhe po vendosin për emrin e nënës! Një mallkim i madh: Sapo i afrohen zgjidhjes, ajo shthuret. Një torturë për të gjithë: maqedonasit e tanishëm, grekët, por edhe për shqiptarët. Këta të fundit duhet të garantojnë që emri i ri i Maqedonisë do të reflektojë edhe qenien shqiptare.
Dukej sikur më në fund ishin goditur për një emër: Republika Maqedonia e Ilindenit. Referuar një ngjarjeje historike, ku shqiptarët kishin një hise të mohuar. Tani opinionin shqiptar e ka trazuar shqipërimi që i ka bërë Ilindenit partia më e madhe shqiptare në vend: Ilinditë! Akuza është se partia shqiptare ka bërë një shpikje për ta fshehur faktin se nuk është faktor në këtë debat.
Greqia doli e palumtur me këtë emër. Kurse partia shqiptare mund të ndihet e lumtur për këtë dështim! Por kryeministri i Maqedonisë së hëpërhëshme e ka ndarë mendjen t’i shkojë deri në fund punës. Kështu partia e shqiptarëve do ketë rast ta provojë rolin që ka marrë përsipër në politikëbërjen e shtetit. Pagëzimi i vendit është një vendim, që pasi të jetë marrë, nuk do kthehet më.
Vetëm njëri s’e ka mendjen te këto: ish kryeministri Gruevsi. Nga kjo javë ai disa vite do t’i gdhijë në burg.
IV.
Jemi në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit. Kohën e paqës dhe sakrificës, kur abstenimi nga sherri, pasionet e liga dhe vesi porositen posaçërisht.
Sidomos një shans për myslimanët dhe krerët e tyre. Këta janë në elementin e vet. Ata s’ka shumë kohë që mbaruan me „degën e ullirit“, tani i janë qasur degës së hurmës. Të sistemuar për lakmi në tempujt e tyre të financuar nga bujaria e shqiptarëve.
Një serial turk luhet shpesh në mixhilise shqiptare. Një sërë xhamish, ku shqiptarët e kërkojnë paqën dhe mëshirën e Zotit, u lut për mbarësinë e aksionit ushtarak turk në Siri. Ani se ai do t’i grahte me hekur e zjarr. Madje kundër myslimanëve të tjerë. Cilado të ishte arsyeja e duasë, ajo nuk është fetare. Imamët ia kanë thënë vetë xhematit të tyre se në Kuran ka vetëm një sure që nuk fillon me urdhërin e Allahut – ajo e Bedrit – ku myslimanët u shfaqën me shpatë në dorë…!
Në muajin e shenjtë të Ramazanit Perëndia ka shpallur mëshirën për robt e tij të devotshëm. Zoti ua faltë mëkatet imamëve të lajthitur rëndë!