Në prag të votimeve nacionale në Zvicër, që mbahen me 27 shtator 2020, e ku të gjithë njerëzit me të drejtë voto so të votojnë mbi nismën kufizuese të së djathtës populiste SVP/UDC, e cila si synim të vërtetë e kryesor ka shfuqizimin marrëveshjes bilaterale të Zvicrës me BE-në, zhvilluam një intervistë me ekspertin e çështjeve të politikave të mirgacionit në Zvicër, Hilmi Gashin.
Më 27 shtator në Zvicër do të votohet mbi nismën kufizuese apo «iniciativës anuluese». Çka synon kjo nismë?
Përmes kësaj nisme e ashtuquajtura Partia Popullore e Zvicrës SVP/UDC ndjek dy qëllime: në njërën anë shfuqizimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të personave të vitit 1999 me BE. Së dyti dëshiron që të shkruhet në kushtetutë të vendit që Zvicra nuk do të guxojë të lidhë marrëveshje për qarkullimin e lirë të personave me asnjë vend të botës.
Në tekstin e iniciativës, për të cilën votohet më 27 shator të këtij viti qëndron shumë qartë që marrëveshja për lirinë e lëvizjes së personave duhet të shfuqizohet brenda 12 muajve. Fillimisht nëpërmjet bisedimeve me BE-në. Nëse nuk bien në ujdi dy palët, atëherë iniciativa e obligon qeverinë e Zvicrës, që të prish marrëveshjen në mënyrë të njëanshme dhe atë në një afat prej 30 ditësh. Për këtë arsye edhe mund të flitet për një iniciativë anuluese.
Përveç SVP/UDC, kundër nismës janë të gjitha partitë, bile edhe shoqatat e punëdhënësve. Cilat janë të përbashkëtat e tyre?
Aprovimi i nismës nga votuesit zviceran do të ishte helm për ekonominë e vendit. Për disa arsye. Lëvizja e lirë e personave është pjesë e Paktit Bilateral 1 me 6 marrëveshje mes Zvicrës dhe BE-së. Marrëveshjet janë të lidhura me njëra tjetrën. Nëse Zvicra anulon lëvizjen e lirë të personave, atëherë rrezikohet i tërë pakti bilateral 1 (Klauzola-Guillitone). BE e ka bërë gjithmonë të qartë se pjesëmarrja, apo qasja e lirë në tregun e evropian është e lidhur pandashëm nga lëvizja e lirë e personave. Qarkullimi i lirë i personave është një prej shtyllave të identitetit të BE-së.
BE është partneri kryesor ekonomik i Zvicrës. Nëse bie Marrëveshja Bilaterale I, ajo do të krijonte një të ardhme të pasigurt. Marrëdhëniet me BE do të vështirësoheshin, eksporti i produkteve zvicerane do të bëhej shumë më burokratik dhe i komplikuar si dhe do të vihej në pikëpyetje gjithandej. BE nuk do të përfshinte edhe më tej Zvicrën në projektet shkencore dhe në bursa. Në ekonomi, në hulumtime, në tregti, Zvicra do të izolohej. E gjithë kjo do të kishte ndikim në vendet e punës të Zvicrës. Nëse Zvicra e humb qasjen në tregun e BE do të do të krijohej pasiguri e madhe për industrinë dhe sektorët tjerë, të cilët janë të varur nga eksporti në vendet e BE-së. Në këto kohë të pasigurta, kur ne nuk mund të dimë se si do të zhvillohet ekonomie në përgjithësi dhe çfarë ndikime do të ketë pandemia e koronës në sferën e punësimit, do të ishte shumë e paarsyeshme dhe e rrezikshme, të kemi edhe pasiguri shtesë.
Në çka dallojnë argumenteve e sindikatave nga argumentet e partive e djathta të mesit?
Për sindikatat janë të drejtat e të gjithë punëmarrësve në qendër të vëmendjes: kushte të mira të punës , paga korrekte dhe siguria e qëndrimit për punëtorët me sfond të migracionit.
Përmes masave shoqëruese në kuadër të marrëveshjeve bilaterale, sindikatat kanë arritur të instalojnë një instrument ndikues, i cili bënë të mundur të implementimit të parimit të mbrojtjes së pagave dhe kushteve të punës të cilat janë në fuqi në Zvicër. Një element i këtij parimi të pagave dhe kushteve të punës në vend është edhe mundësia e kontrollimit të respektimit të tyre. Nëpërmjet kontrollimeve zbulohen dhe ndëshkohen keqpërdorimet. Po e ilustroj me një shembull: Nëse një firmë nga Gjermania apo Italia e merr kontratën për të bërë punime në Zvicër, ajo së pari duhet të lajmëroj tetë ditë para fillimit të punimeve se do të vijë në Zvicër. Ajo informohet se duhet të respektojë e zbatojë kushtet e vlefshme të punës dhe të pagave të Zvicrës. Gjithashtu edhe të deponoj një shumë të caktuar të parave, për të mbuluar shpenzimet e keqpërdorimeve të mundshme me pagat dhe të drejtat e punëtorëve. Kështu parandalohet përkeqësimi i kushteve të punës dhe presioni në paga në Zvicër.
Këto instrumente mbrojtëse të pagave dhe kushteve të punës janë të mundshme edhe për shkak se në Zvicër ekzistojnë Kontrata Kolektive të Punës. Njerëzit e SVP/UDC atakojnë frontalisht Kontratat Kolektive të Punës. “Me aprovimin e nismës (…) masat shoqëruese duhet të hiqen.”, kështu ka formuluar në parlamentin zviceran, Thomas Aeschi, kryetari i grupit parlamentar të SVP/UDC.
SVP/UDC edhe këtu bënë një lojë perfide. Ajo deklaron se lufton për të ruajtur vendet e punës në Zvicër. Në të vërtetë dhe në vepër ajo donë të shfuqizojë masat mbrojtëse për punëmarrësit, që të mund të përfitoj nga një fuqi punëtore pa të drejta.
Zonja Marullo-Blocher, deputete nacionale e SVP/UDC, njëherazi njëra nga zviceranet më të pasura thotë se Kontratat Kolektive të Punës dhe pagat minimale pengojnë konkurrencën dhe shtrenjtojnë punën. Zonja Blocher, e cila vetes i paguan dividendë në lartësi milionëshe në vit, donë që njerëzit, të cilët bëjnë punën, të paguhen edhe më pak. Nëse fuqia punëtore është e lirë, atëherë ajo pastaj për vete dhe për aksionarët tjerë mund të nxjerrë fitime edhe më të larta milionëshe. Krejt në kurriz të punëtoreve dhe punëtorëve, të cilët edhe ashtu nuk kanë paga shumë të larta. Kjo duhet penguar. Andaj ne duhet që ti themi Jo me 27 shtator kësaj iniciative perfide.
Unia dhe sindikatat tjera luftojnë edhe kundër përkeqësimit të të drejtave të qëndrimit të migrantëve/eve. SVP/UDC donë të kufizojë të drejtët e migrantëve/eve. Njerëzit e SVP-së lavdërojnë statutin e sezonierëve (punëtorëve stinorë) – një formë e politikës së turpshme të aparteidit.
Sa për sqarim, sepse një pjesë e gjeneratave të reja nuk ka njohuri për këtë status qëndrimi, të cilin e kanë përjetuar prindërit apo gjyshërit e tyre: Sezonierët kanë pasur kontrata të kufizuara të punës, maksimalisht 9 muajshe. Pas nëntë muajsh janë detyruar ta lëshojnë Zvicrën. Punëtorët stinorë nuk kanë pas të drejtë të ndërronin vendin e punës dhe vendbanimin. Shumica kanë jetuar në baraka të ftohta dhe të ngushta në periferi qytetesh, të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Kushdo që nga ta do të kundërshtonte ndonjë parregullsi, do të duhej të llogariste të mos i zgjatej kontrata e punës. Pa kontratë pune do të humbte të drejtën e qëndrimit në Zvicër. Sezonierët nuk kanë gëzuar të drejtën e bashkimit familjarë, pra atyre u është mohuar e drejta për të jetuar me familjet e tyre. Fëmijët dhe bashkëshortet jetonin në vendet amë. Nëse do të punonin burri e gruaja në Zvicër, fëmijët mbeteshin në vendlindje me gjyshërit e tyre, të ndarë nga prindërit. Kush nuk ka pas familje në vendin e prejardhjes apo nuk mund të përballonte ndarjen nga fëmijët, i binte fëmijët në Zvicër. Ata qëndronin ilegalisht në Zvicër. Fshiheshin nëpër banesa të ngushta. Këta fëmijë nuk guxonin të shkonin në shkollë, nuk do të mund të luanin jashtë dhe jetonin në frikë të përhershme se do të zbuloheshin dhe do të ktheheshin mbrapa.
Ne nuk duam kthim në këto kohëra të rënda dhe diskriminuese. Këtë e do partia e ashtuquajtur popullore. Dhe ne këtë duhet ta parandalojmë patjetër.
Çka do të ndodh, nëse aprovohet kjo nismë?
Nga perspektiva e politikave shtetërore, marrëveshja për lëvizjen e lirë të personave do të duhej të anulohej. Në kushtetutë do të shkruhej se nuk do të guxohej më të lidhen kontrata me asnjë shtet, të cilat mundësojnë të drejtën e lëvizjes së lirë shtetasve të huaj.
Për migrantët/et aprovimi i nismës do të thoshte humbjen e të drejtave, si ajo për bashkim familjar, liria e qëndrimit të përhershëm, e drejta për ndërrimin e vendit të punës.
Nëse kjo nismë kalon, atëherë mbi 1,7 milion migrant/e nga BE do të humbnin të drejtat gjithëpërfshirëse.
Do të prekeshin edhe zviceranët/et, që falë lirisë së lëvizjes mund të jetojnë, të punojnë dhe të studiojnë në hapësirat e BE.
Mbrojta e tanishme e pagave dhe kontrollet e tregut të punës mund të anulohet me aprovimin e nismës në fjalë. Kjo do të qonte në paga të ulëta në Zvicër. Konkurrenca në treg mes punëtorëve do të ishte edhe më e theksuar se sot. Ky është qëllimi i vërtetë i partisë së miliarderëve të SVP/UDC: edhe më shumë profite për aksionarët dhe shefat.
Migrantët/et jashtë vendeve të BE mendojnë se nëse kjo nismë aprovohet, atëherë do të vijnë më pak punonjës nga vendet e BE-së. Kjo do tu rriste shanset për gjetjen e një pune, çka thua ti për ketë mendim?
Së pari: Lëvizja e lirë e personave është një e arritur e madhe, e cila u lejon njerëzve të përzgjedhin vendit e tyre të banimit dhe punës. Kjo do të duhej të ishte synim yni, që ky parim të bëhet një e drejtë themelore për të gjithë. Përmirësimi i të drejtave për të huajt në Zvicër është arritur falë presionit nga jashtë. Bashkësia evropiane ka kërkuar me këmbëngulje përmirësimin e të drejtave të shtetasve të saj në Zvicër. Kjo ka quar deri te përmirësimi i ligjeve për të huajt, sidomos në lidhje me të drejtën e bashkimit familjar, të drejtën e ndërrimit të vendit të punës, kantonit etj.
Që të mund të arrijmë përmirësime, ne duhet ta mbrojmë të drejtat ekzistuese.
SVP/UDC donë të ndalojë të drejtën lirisë së lëvizjes së personave, duke ndaluar mundësinë për lidhje e marrëveshjeve tjera të mundshme me kushtetutë.
Së dyti: SVP/UDC flet në të vërtetë për kontingjentet, sikurse ka qenë rasti te punëtorët stinorë, mirëpo nuk përmend numra. Ne duhet ta kemi të qartë, që SVP/UDC është një parti e të pasurve dhe kështu ata janë përfitues nga rritja ekonomike. Familjet Blocher, Frei dhe shumë të tjerë, të cilët posedojnë miliardat, nuk duan më pak rritje, jo më pak fuqi punëtore nga jashtë vendit. Ata duan punëmarrës pa të drejta. Pasojë e kësaj do të ishte: me shumë presion konkurrence mes punëmarrësve, shfrytëzim i fuqisë punëtore, të cilët nuk do të kenë guxim për të luftuar për të drejtat e tyre dhe të cilët në çdo kohë do të mund të dëbohen nga Zvicra.
Njerëzit pa të drejta shfrytëzohen më lehtë. Studimet kanë treguar gjithmonë se sa më i pasigurte të jetë statusi i qëndrimit, aq më i madh është dallimi tek pagat. Imigrimi gjithmonë është orientuar në ciklet ekonomike. Edhe shtetasit/et e BE-së do të guxojnë të vijnë në Zvicër, nëse kanë gjetur një punë.
Së treti: Ne si Unia duam të drejta të forta për të gjithë punëmarrësit, pavarësisht se çfarë ngjyre ka pasaporta e tyre. Bashkërisht ne duhet të luftojmë për të drejtat tona dhe për paga zvicerane në Zvicër.
Çka domethënë solidariteti për sindikatat, për lëvizjen punëtore?
Zvicra e sotme nuk mund të merret me mend pa kontributin e migrantëve/eve. Me dekada të tëra ne jemi pjesë aktive e zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Pa ne, Zvicra nuk do të ishte kjo që është sot.
Kriza aktuale e covid-19 e ka bërë të qartë edhe njëherë më shumë: Pa migrant/e shumë sektorë me rëndësi jetike, si shëndetësia, tregtia me pakicë, transporti, etj. do të ballafaqoheshin me vështirësi serioze. Mirëpo, në vend se të njihet e pranohet kontributi i të gjithëve -pra edhe i migrantëve- dhe që bashkërisht të zhvillojmë më tej Zvicrën, politikanët e djathtë populist përpiqen të përçajnë vendin. Ndarja në “ne” dhe “të tjerët” është e rrezikshme. Pasi një politikë, e cila bazohet në përjashtim, diskriminim dhe racizëm, nuk mund të jetë e suksesshme dhe afatgjate.
Ne të gjithë të gjithë bashkërisht duhet ti bëjmë ballë këtij sulmi karshi të drejtave tona të përbashkëta, pasi ne angazhohemi për parimin e barazisë për të gjithë. Iniciativa anuluese na dëmton të gjithë ne, pamarre parasysh se a jemi vendas me pasaportë zvicerane apo pa të.
Për ne solidariteti domethënë: të qëndrojmë bashkërisht kundër ksenofobisë dhe përjashtimit dhe të luftojmë për një Zvicër të hapur, solidare dhe respekt-plotë. Ne e luftojmë politikën që është kundër migrantëve/eve dhe kërkojmë siguri në leje të qëndrimit, të drejtë në jetën familjare, të drejtë në lëvizje të lirë dhe liri të qëndrimit të përhershëm si dhe trajtim të barabartë. Në kërkojmë garanci për respektim të të drejtave njerëzore për të gjithë!
A mund të na përmbledhësh: përse duhet ne me 27 shtator të votojmë me JO kundër “iniciativës anuluese”?
Iniciativa e SVP/UDC është helm për ekonominë. Ajo e përçanë shoqërinë. Fushata e zhvilluar deri tash është tokë pjellore për racizmin dhe ksenofobinë.
Bashkërisht dhe me vetëbesim duhet të luftojmë kundër reduktimit të të gjitha të drejtave tona. Ne nuk do të lejojmë që të kalojë kjo iniciativë e dëmshme. Ne duam t’i themi jo edhe politikës asociale dhe raciste të SVP-së.
Bashkërisht ne angazhohemi për një Jo të fortë kundër iniciativës anuluese të SVP/UDC me 27 shtator 2020!