Zvicër: «Pjesëmarrja në demokraci»

Intervistën mbi demokracinë, deficitin e demokracisë dhe rolin e sindikatës Unia, me Hilmi Gashin, drejtues i grupeve të interesit në Unia e zhvilloi kolegia Emine Sariaslan.

Çka është demokracia sipas pikëpamjes tënde?
Demokracia definohet si një formë e jetës politike, në të cilën do të duhej të sundonte populli. Ajo mund të ketë forma të ndryshme. Zgjedhja e një parlamenti, i cili më pas në emër të popullit aprovon ligje, është forma më e shpeshtë. Në disa demokraci, popullata ka disa instrumente dhe mundësi ndikimi, si fjala bie e drejta e referendumit apo e një plebishiti popullor.

A munden në një demokraci të bashkëvendosin që të gjithë?
Mjerisht jo. Shpesh ndodh ajo, që një shumicë vendos se kush do të zgjidhet në parlament dhe cilat ligje duhet të vlejnë për të gjithë. Pakicat, kryesisht migrantët, mirëpo edhe të rinjtë nën 18 vjeç apo njerëzit me kufizime psikike shpesh përjetojnë kufizime dhe zëri i tyre nuk dëgjohet. Atyre, nga ana e një shumice u refuzohet e drejta për bashkëvendosje politike, sikur tregojnë shumë votime mbi të drejtën e votës dhe zgjedhjes së të huajve në shumë kantone të Zvicrës.

Sie është puna në Zvicër?
Zvicra ka demokracinë e drejtpërdrejtë. Kjo mundëson më shumë fuqi krijuese, mirëpo vetëm për njerëzit me privilegjin e të drejtës së votës dhe zgjedhjes. Vetëm shtetasit e Zvicrës mund të zgjedhin parlamentin, të përdorin referendum kundër ligjeve dhe të nisin iniciativa: Kështu një çerek i popullsisë përjashtohet nga demokracia. Migrantët, edhe nëse janë lindur e rritur këtu dhe që njohin shumë mirë sistemin, as mund të zgjedhin parlamentin e as mund të mbrohen nga ligjet diskriminuese apo ndryshimeve kushtetuese. Këtë fat të migrantëve deri në vitin 1971 e kanë përjetuar edhe gratë në Zvicër. Tek para 51 viteve votuesit burra të Zvicrës ua kanë pranuar të drejtën e votës dhe zgjedhjes grave. Mirëpo, tek pas një lufte të gjatë të grave për të drejtat e tyre.

Çka duhet të ndryshojë?
Migrantët japin një kontribut të rëndësishëm për mirëqenien e shoqërisë në aspektin kulturor e ekonomik. Ata paguajnë taksa, mirëpo nuk mund të bashkëvendosin, se si duhet të përdoren ato taksa. Ata paguajnë kontribute në sigurimet shoqërore, mirëpo nuk mund të votojnë, se a pajtohen me rritjen e moshës së daljes në pension të grave apo të tatimit në vlerën e shtuar. Ata kanë obligime, por jo të drejta. Kjo nuk është e denjë për një demokraci, pasi me kushtetutën e Zvicrës fuqia e popullit matet me mirëqenien e të dobëtëve. Një demokraci, e cila çerekun e popullatës e përjashton nga bashkëvendosja politike, nuk është demokraci e plotë.

Çfarë roli luan Unia me këtë rast?
Unia është një organizatë e fuqishme, fale edhe migrantëve dhe faktit, se të gjithë – pavarësisht ngjyrës së pasaportës në Unia drejtpërdrejtë mund të bashkëkrijojnë dhe bashkëvendosin. Kjo është forca jonë. Mirëpo, jo të gjithë në Unia janë ithtarë të së drejtës së votës dhe zgjedhjes për migrantët. Ne këtu duhet të bëjmë një punë me rëndësi dhe ti përfitojmë kolegët tanë zviceran, që bashkë me ne migrantët që të angazhohen aktivisht me rastin e një iniciative të mundshme. Në manifestimin tonë „S’ka demokraci pa pjesëmarrje të migrantëve“ me 24 shtator 2022, ne kemi ftuar të gjithë përfaqësuesit e grupeve të interesit për të bashkëbiseduar dhe për të zhvilluar ide se si ne mund të forcojmë demokracinë. Lufta emancipuese e grave do të duhej të na inspironte, sikur edhe manifesti i aksionit „Viervirtel“ (katër çereku).

Vega e manifestimit: https://bit.ly/3wC8Hqt

Huazuar nga gazeta e sindikatës Unia në gjuhën shqipe Horizonte Nr.5, 2022, bisedën e zhvilloi Emine Sariaslan