Sot më 21.10.2022 në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) nën organizim të Institutit dhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe (AZGJ), si dhe në praninë e shumë gjuhëtarëve dhe intelektualëve të tjerë, u promovua “Fjalori serbisht-shqip” i shkrimtarit e publicistit, tashmë edhe leksikografit, Rexhep Zllatku.
Në fillim të pranishmit i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani. Ai e theksoi rëndësinë e kësaj vepre dhe nderimin që ia bën kjo vepër gjuhësisë shqiptare në këtë 50-vjetor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Pas tij fjali rasti pati edhe Dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe. Ai theksoi rëndësinë që e ka ky fjalor edhe për punën që e bën sot Agjencia.
Për vlerën shkencore të po këtij fjalori u shpreh edhe gjuhëtari, Prof. Qemal Murati, i cili vuri theksin në vlerën leksikografike të kësaj vepre për gjuhësinë shqiptare.
Gjithashtu edhe gjuhëtari Zeqirija Ibrahimi foli për bashkëpunimin që ka pasur me autorin, Rexhep Zllatku, për redaktimin dhe botimin e Fjalorit.
Në fund të pranishmit i përshëndeti edhe autori i veprës, Rexhep Zllatku, i cili i falënderoi të pranishmit, organizatorët e promovimit. Prof. Qemal Muratin dhe Prof. Zeqirija Ibrahimin, ndërsa ceku edhe për betejën shkencore dhe krajatat shpirtërore që i ka pasur në hartimin e veprës.
Botues i Fjalorit është shtëpia botuese “Logos-A” nga Shkupi, ndërsa redaktor i përgjithshëm i tij është Prof. Xhevat Lloshi.



















