Sa të rrosh, do të mësosh- thotë populli. Ishte një ftesë nga zoti Uran Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, në mes të shkurtit 2023, për të marrë pjesë në promovimin e një libri kushtuar nacionalistit Riza Drini, që më njohu me këtë figurë tepër interesante atdhetare.
Mora vesh se, ndër të tjera, ai ishte i ati i shkrimtarit Skënser Drini, për të cilin kam dëgjuar qëkur.
I lindur në Strugë, ku edhe mori arsimin fillor deri në moshën 16 vjeç, e dërgojnë në Stamboll në një shkollë ushtarake për tre vjet. Por pasi u gradua atje, nuk e nisi karrierën ushtarake por u muar me veprimtari patriotike në qytetin e madh, në kuadër të shoqërisë “Djelmnia”.
Në Stamboll, kjo shoqni hap shkolla shqipe për fëmijët që ata të mos asimiloheshin.
Në vitin 1921 Riza Drini vendos të kthehej në Shqipëri. Në vitin 1922 emërohet kryesekretar për Prefekturën e Kosovës (Kukës, Has, Tropojë). Një vit më vonë, emërohet kryesekretar i prefekturës së Durrësit, ku, pasi njihet me Avni Rustemin , zgjidhet kryetar i degës së “Bashkimit” për atë qytet. Kur e vranë Avninë, ai shkroi një artikull “Gjaku i Kombit” dhe mori pjesë në kryengritje. Nën qeverinë e Nolit u emërua nënprefekt në Lumë. Aty u bëri rezistencë forcave zogiste. Nga dhjetori 1924 deri më 1930 ka qëndruar në emigracion politik.
Pas kthimit ngaj, nga viti 1930 deri në vitin 1932, Rizai u vendos në Tiranë. Në gazetën “Kosova” që botohej në Kosntancë, Rumani, në 1932, Rizai shkroi një artikull me titull “Shqipëria pa Kosovë është si trup pa duar e këmbë”. Mendimi i tij ishte se Shqipëria nuk fillon në Qafë Thanë e në Qafë të Prushit, por në Kurshumli, në Vrajë e në Shkup. Që atëherë, ai shkruante:
“Historian na mëson se çdo komb energjik ka aspirate për t’u kthyer e bërë një shtet në vete, ose të bashkohet më Mëmën e Lirë”.
Në emigracion Rizai mori pjesë në formimin e një komiteti në Bari, ku u ftua nga Noli e Boshnjaku që të bëhej një marrëveshje me Bashkimin Sovjetik, por Hasan Prishtina e Bushati ishin kundër. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Ҫlirimit të Kosovës” i cili veproi krahas “Komitetit të Çlirimit Nacional”.
Mërgata antizogiste në Vjenë , kryesisht, u nda në dy pjesë. Njëra prej tyre nacionaliste me orientim demokratik. Tjetra gradualisht lidhi valencat e veta me Bashkimin Sovjetik. Por Rizai, si njohës i mirë i historisë dhe i politikës, e shihte rrezikun që po sillnin idetë komuniste në planin kombëtar. Ai shihte ekspansionin sllav si rrezik kryesor. i shihte me dyshim të gjithë ata që orientoheshin nga Moska (si Halim Xhelo dhe Ali Kelmendi).
Rizai e mirëpriti amnistinë e shpallur nga Zogu dhe, kur ai u bë mbret, mendoi që çështja e republikës t’i lihej kohës. Ai e trajtoi politikën si mjet për të arritur synimet atdhetare, por asnjëherë për interesa vetiake.
Për Riza Drinin “Shqipëria ishte e gjithë shqiptarëve dhe priste nga gjithë shqiptarët”. Ai solli nga Austria libra dhe revista orientuese për zhvillimin ekonomik, broshura teknike për zhvillinin e bujqësisë, orientues për krijimin e qendrave turistike, materiale të tjera. Solli koleksione luksoze kampionesh mineralesh të ndryeshme, copëza të vogla gurësh për t’ua treguar banorëve të malësive si shembull kërkimor për zbulimin rastësor të burimeve minerale në Shqipëri
Nuk mund të kthehej në vendlindjen e pushtuar nga serbët, ku që 11 vjeçar, ia vranë të atin, Deharin, sllavomaqedonët. Erdhi në Elbasan në Shqipërinë e pavarësueme.
Dr. Kalmari e këshilloi të punonte në Voskopojë, vend klimaterik. )Pasi me vite të tëra kish vnga mushkëritë në emigracion). Kështu pranoi të punonte si kryetar komune atje për 6 vjet 1932-1938.
I biri, Genci që ka lindur atje dhe është bashkëautor i librit, tregon episode interesante nga jeta dhe puna e të atit atje. Duke pyetur banorët e Voskopojë ai zbulon një hollësi të tillë:
Në një mbledhje Riza Drini i tha kryeplakut që ishte deri atëhere se
‘ti nuk bën për kryeplak’ sepse nuk më kundërshton mua. Ti përfaqëson inteersat e fshatarëve dhe nuk mund të thuash gjithmonë po për çdo gjë që them unë. Duhet një njeri që të më kundërshtojë dhe mbron interest e fshatarëve, kundër shtetit…
Një banor tjetër i thotë Gencit:
Riza Drini vuri rregulla në fshat që të ruhej pastërtia e rrugëve nga të ndyrat e kafshëve. Kuajt që hynin nëpër qytezë duhet të kishin trastë nga pas përndryshe gjobiteshin të zotët e tyre. Nuk lejoi që kali të lidhej në ndonjë pemë në rrugët e qytezës. Vuri një ditë vullnetarët dhe rrethoi me mur disa dynymë. Ndërtoi lulishte. Mbolli drunj, hapi një gropë dhe bëri një liqen të vogël dhe e mbushi me peshq. i vuri emrin “Parku Skënderbej” dhe në qendër vuri bustin e Skëndërbeut!
Kudo bëri shkolla të reja dhe i lidhi me rrugë të gjashtë fshatrat. Rrugët e fshatit i bëri me kalldrëm, të bukura shumë të mira. Edhe ndërtesën e komunës të re. Ndërtoi çezma të reja me arkitekturë të bukur.
Në vitin 1929 nga bashkimi i grupit të zanatçinjëve të Mihal Lakos, me grupin komunist intelektual të Dhimitër Fallos, gazetar, përkthyes e Sotir Gurrën, u formua Grupi Komunist i Korçës. Të kapur pas një ideologjie, komunizmit, ata ishin të gatshëm për të kundërshtuar shtetin e rendin ekzistues politik. Kështu bënë edhe në Voskopojë. Duke dërguar disa letra anonime kundër Riza Drinit..
f.147
Në mes të nacionalizmit dhe komunizmit ishte një ndryshim thelbësor në konceptimin e armikut. Par nacionalizmin armiku ishte i jashtëm, cilido shtet agresiv. Për komunizmin, që nuk njihte kombin, armiku ishte i brendëshëm, brenda të njëjtit popull, ishte klasa tjetër, gjysma e të njëjtit popull, e për rrjedhojë, do luftohej një luftë klasash brenda të njëjtit popull.
f.149
Pandi Kristo deklaron:
Me idetë komuniste rashë në kontakt në Korçë, krejt natyrshëm. Në dyqanin e Sotir Vullkanit, ku u pajtova si shegert, kishin depërtuar prej kohësh idetë punëtore të majta, që më pas, u shndërruan në ide social-demokrate. Siç thoshte Sotiri, këto ide ishin futur me kohë nga një grup udhëheqësish social-demokratë serbë.
f.153
Në studimin e tij të thelluar “Shekulli i Voskopojës” Pëllumb Xhufi gjen në “Kodikun e Shën Prodhomit” po atë përcaktim që jep Dhori, djali i Dhimitër Fallosë në “Të shkuara të harruara”, për atdheun e voskopojarit të shekullit 18:
Kodiku i Shën Prodhomit tregon në çdo faqe të tij se atdheu i vogël Voskopojë, bashkëjetonte dhe njësohej për çdo ditë në interesa, marrëdhënie e shkëmbime në jetë, në punë, në kulturë e në mentalitet me një mjedis gjeografik e njerëzor, që ishin vendet e njerëzit e kohës, fqinjë, të Oparit, Shipskës, Polenës, Kolonjës, Grabovës, Vithkuqit, Kamenicës, Mashkullores, Frashërit, Përmetit, Myqeqesë, Beratit, Elbasanit, Ohrit, Durrësit, Vlorës, Saljadhës, Shkodrës, Ulqinit, me të cilët voskopojarët mbanin lidhjet jetësore. Pra, një mjedis shqiptar, pjesë e të cilit ishte atëhere, është edhe sot, Voskopoja, në kuptimin demografik, gjeopolitik, etnik, kulturor e pra historik.
f.128
Aktori Lec Ndreka, shkodran, i ka thënë Gencit në 1965:
Riza Drini dinte ta mbronte dinjitetin e shqiptarit.
Në vitin 1942 në Prishtinë e kam parë me sytë e mij se si Riza Drini, prefekt, është zënë me italianët dhemb për dhemb. Një milic Italian, në grindje e sipër, i kishte ra me shputë një xhandari kosovar dhe kosovari, as nji as dy, e kishet vra. Menjëherë atë e kishin rrethuar shumë karabinierë dhe ushtarë italianë, bashkë me eprorin e tyre me qëllim ta arrestonin. Nsdërkohë xhandarët shqiptarë i kishin telefonue prefektit për ngjarjen dhe Riza Drini vjen menjëherë. Oficeri italian i thotë se do ta arrestojë xhandarin shqiptar, por Rizai thotë se kjo do bëhet nga xhandarët shqiptarë dhe do gjykohet sipas ligjeve shqiptare. Bërtit njëri, bërtit tjetri. Italiani urdhëroi arrestimin. Rizai urdhëron xhandarët shqiptarë: Gati për zjarr! Të dhjetë xhandarët shqiptarë ua drejtuan grykët e pushkëve italianëve. Oficeri u tërhoq duke thënë “do shihemi bashkë!’ ndërsa Rizai ia ktheu ‘shkofsh në dreq!”
f.162
Shqipëria u bë vendi i parë i Europës që iu përgjigj një agresioni. Shumë ushtarë italianë u vranë në Durrës, nga shqiptarët ranë 21 dëshmorë. Zogu u largua me 8 prill ora 3 e mëngjesit. Që në mbrëmje, Parlamenti kish votuar spostimin e mbretit dhe të Oborrit.. Mehdi Frashëri mbajti një fjalim në radio nga godina e Bashkisë për mbajtur gjallë patriotizmin e shqiptarëve:
Popull i botës, ngrihuni kundër barbarëve modernë se nesër do të jetë rrezik për të gjithë, por do të jetë edhe vonë. Ajo që na ngjet neve sot, do t’iu ngjasë të tjerëve.
Pastaj ai kërkoi strehim te ambasada turke.
f.163
Mustafa Kruja me shokë patën idenë se edhe brenda pushtimit të pashmangëshëm, mund të kishte edhe një anë tjetër të medaljes, nga e cila duhej përfituar, mundësinë e përdorimit të ambicies italiane pushtuese në Ballkan për rifitimin e tokave të pushtuara, Kosovë e Ҫamëri. Rrezik kryesor ata quanin Serbinë dhe Greqinë.
f.168
Grekët, pas sulmit të dështuar italian mbi Greqinë, përzunë të gjithë shqiptarët myslimanë nga Ҫamëria. Kosova e vise të tjera, që në vitin 1941, u bashkuan me shtetin shqiptar. Pas lufte, jugosllavët u rifutën atje nëpërmejt një drame vrastare ku “kontribuan’ edhe komunistët e Shqipërisë.
f.171
Në administratën bazë italianët mbajtën thuaj të njëjtët nëpunës të Mbretërisë. Riza Drini vazhdoi të qendrojë si nënprefekt në Ersekë, ku ishte, dhe në vazhdim si prefekt në qytete të ndryshme deri në shtator 1943, fundin e pushtimit Italian.
..Në administratën bazë në nivele të ndryshme kishte monarkistë, ballistë, komunistë. Asnjëri prej tyre nuk e braktisi punën.. As detyrat e caktuara nga grupimi politik që i përkisnin.
f.180
Kur Riza Drini ishte prefekt në Shkodër, me 30 dhjetor 1940, vdiq At Gjergj Fishta. I biri i Rizait, Skënderi, tregon si e përjetoi kortezhin e gjatë të poetit, që mbase vetëm ¼ përbëhej nga katolikë. Fjalimin kryesor aty e mbajti Riza Drini.
Te një lis, te një lajthi
Ҫ’po mrizonin tre bari
Me këto fjalë e nisi Rizai fjalimin
Në përpjekje me autoritetet pushtuese italiane Riza Drini ka shpëtuar njerëz nga vdekja dhe shumë të burgosur i ka liruar nga burgjet. Të tjerë i ka shpëtuar nga internimet.
1.185
Kur Rizai ishte përsëri prefekt në Shkodër, prill maj 1943, i vjen një urdhër nga ministri i brendëshëm, Gjon Marka Gjoni, për pushkatimin e tre të rinjëve nga burgu se ishte vrarë një agjent i Kuesturës, por ai e refuzon.
f.205
Edhe kur ishte prefekt në Shkodër, ai mbron të drejtat e shqiptarëve të Strugës kundër keqtrajtimeve nga ana e bullgarëve.
Struga, thotë ai, ka dhënë figura të shquara si Dr. I. Themo, Dervish Hima, Abdullah Gojdrini, Beqir Bauta etj. Fusha e Strugës asht hambari shekullor që ka ushqye malet e Mokrës, Ҫermeenikën e nji pjesë të maleve të Dibrës. Popullsitë e atyre vendeve kanë një nevojë jetësore për fushën e Strugës qi deri në 1912 ka qenë pazari i preferuem i tyne. Populli kërkon shkolla, kërkon libra, asht gati me i pague mësuesit e vet. Ju lutem, pra, që të merret parasysh kjo nevojë e të dërgohen të paktën dhjetë mësues, tash për tash, si dhe 200-300 abetare e libra këndimi.
(28 maj 1941)
f.270
Ka një konfuzion të qëllimshëm recidivist neokomunist lidhur me qendrimin nëse Shqipëria mbajti anën e drejtë apo anën e gabuar të historisë në Luftën e Dytë Botërore. Ҫdo koalicion ndërkombëtar i krijuar gjatë historisë ka pasë brenda tij dy anë apo dy pale, të cilat nuk janë të barazvlefshme nga pikëpamja historike dhe kombëtare, njëra palë është e drejtë dhe pala tjetër është e gabuar. Kriter kryesor historik për të përcaktuar nëse një shtet apo forca kryesore politike e një vendi kanë qenë në anën e drejtë apo në anën e gabuar të historisë është se me cilën palë janë bashkuar brenda një koalicioni historik ndërkombëtar,, Shqipëria në koalicion antifashist ndërkombëtar zgjodhi palën e Beogradit dhe të Moskës për t’u shërbyer atyre në luftën e saj nacional-çlirimtare. Pra zgjodhi anën e gabuar të një koalicioni të drejtë. E lidhi veten dhe të ardhmen e vendit me armiqtë historikë të kombit shqiptar dhe jo me shtetet perëndimore.
f.231
Rexhep Morina nga Gjakova i ka thënë Gencit:
Unë kam qenë në Prishtinë kryesekretar dhe Rizai ishte prefekt. Një ditë kalon një regjiment italian me flamur. Kolë Jaku, një student nuk kishte nderuar flamurin italian prandaj karabineria e kish kapur. Riza Drini ka protestuar dhe vetëm kur ka thënë se ‘do jap dorëheqjen’ Kolën e kanë lirue.
f.234
Hysen Tërpeza tregon:
Flitet për të si për një atdhetar të kulluar! Një patriot dhe burrë i ndershëm. Në korrik 1942, Riza Drini na ftoi 13 kryetarë të komunave të prefekturës së Gjilanit. Rifat Berisha ishte nënprefekt. Rifati ishte komunist i flaktë. Me ne aty ishin edhe pleqtë që pajtonin gjaqe. U bëmë 31 apo 32 burra. Ai e mbajti një fjalim të denjë para nesh,
Unë, burra, tha, jam i sëmurë. Do shkoj për t’u kuruar. Por më parë ju lus që të shkoni mirë ndër veti. Populli shqiptar është i rrethuar nga armiq që nuk ia duan të mirën as races, as shtetit tonë. Ju e dini se na kanë akuzuar dhe ngjitur lloj-lloj fjalësh. Madje na kanë quajtur njerëz me bishta.
Më pas më tha mua, veçmas:
Boshti i ra Rusisë. Gjermania e humbi luftën. Shihe, kam dromë se punët do të marrin mbrapsht dhe së shpejti nëpër këtë tokë të shenjtë shqiptare do të rrjedhë gjaku rrëke i shqiptarëve, sa që toka nuk do ta pijë dot. Unë nuk po e di se ku do të mbetet Kosova dhe fati i kosovarëve, ja ku po ta them se Kosova mbaroi. Ti si djalë i ri që je, ia jep besën kombit shqiptar se do të luftosh deri në fund. Dikush duhet të luftojë!
Kjo bisedë u bë në korrik 1942.. Me 17 korrik nisi ofensiava gjermane kundër Stalingradit.. Lufta reale nisi me 23 gusht dhe përfundoi me 2 shkurt 1943. Riza Drini u largua nga Prishtina në shtator 1942.
Hysen Tërpeza ka thenë se, nga fundi i 1943, komandanti gjerman i ka thënë Xhafer Devës gojarisht se ‘luftën do ta humbim, ndërsa ju merruni vesh me aleatët’. Po këtë ma ka thënë edhe Mehdi Farshëri, antar i Regjencës në Asamblenë e Tiranës. Pra informacioni i vjen Hysen Tërpezës 19 muaj pasi atë ia kish thënë Riza Drini..
f.240
Një bisedë e Hysen Tërpezës me Fadil Hoxhën (1943)
Fadili
Hysen, rregulloji punët ti, se so të bjerë Italia dhe do të çlirohen tokat shqiptare
Hyseni
O, Fadil. Po nuk çlirohen tokat shqiptare me serbë. Mos, o burrë!
Fadili
Shihe, Hysen! Unë të kam thënë se aty ku i thuhet bukës bukë do të jetë Shqipëri, ndërsa aty ku i thonë bukës “hleb” do të jetë Serbi.
Hyseni
O nuk bëhet ajo, o Fadil Hoxha. Zoti të zbret e të më thotë se është e mundur ajo, unë nuk besoj. Po, serbi nuk punon në të mirë të shqiptarit.
Fadili
Unë e di se ti je patriot, por i ke shokë Iljaz Agushin dhe Tahir Kolgjinin.
Hyseni
Unë e kam për nder t’i kem shokë edhe Ilazin edhe Tahirin, ndërsa ti ke miq Dushan Mugoshën dhe Miladin Popoviqin e të tjerët, dhe, me ta nuk bëhet Shqipëria.
Fadili
Llafe e llafe, po nuk ramë në ujdi asesi
Hyseni
Shiko, nuk ka nevojë të më falenderosh se të kam mbrojtur. Por, ta dish, se nëse vjen dita dhe e fitojnë këta luftën, ose do të duhet të punosh si thonë ata ose do të shkojë kryet. Por, edhe nëse punon për ta, në fund ata do të shtrydhin dhe do të hedhin si limonin.
f.243
Studiuesit kanë ndjekur në Prishtinë përpjekjet e prefektit Riza Drini e jo vetëm, (si mjeku i ri Spiro Lito) për të shpëtuar hebrejtë. Riza Drini dhe kryetari i Bashkisë Hysen Prishtina vihen në mbrojtje të qindra hebrejve duke mos lejuar dorëzimin e tyre te gjermanët.
- 261
Është Koço Tashko, një komunist, që konstaton në PKSH frymën kundër synimeve kombëtare.
… E keqja kishte shkuar shumë thellë. Treshja jugosllave dhe Enveri me shokë bënë që në Konferencën e Parë të vendit të PKSH në Labinot të Elbasanit në mars 1943 të mos kishte simbole kombëtare, po veç flamurin e Bashkimit Sovjetik, e flamuj të kuq me parrulla të mëdha: “Rroftë internacionalja komuniste” e me portretet e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Jugosllavët mburren se Konferenca u hap dhe u mbyll me Internacioanlen.
f.280
Historiani Uran Butka jep plot fakte dhe gjykon se, nga viti 1943-1945, në Shqipëri u zhvillua vetëm luftë civile. Autori paraqet një dokument origjinal ku Enver Hoxha porosiste të shfarosej fshati Starovë në Pogradec dhe një dokument tjetër që tregonte se partizanët e kishin shfarosur këtë fshat nga i cili kishin mbetur pa u djegur vetëm 5 shtëpi.. Shtëpi të shqiptarëve digjte edhe armiku..20 mijë të vrarë ndërmjet në qindra beteja mes partizanëve dhe forcave nacionaliste dhe balliste, fshatra të tëra të djegura dhe shkatërruara dhe e gjithë kjo e shoqëruar me akte terroriste, si vrasje masive dhe atentate.
f.302
Në Dibër Riza Drini arriti të shmangë një luftë vëllavrasëse ndërmjet nacionalistëve dhe partizanëve. Tregon e shoqja, Naxhija:
Rizait i thanë se çfarë po ndodhte (në sheshin e qytetit ishin vënë përballë forcat nacionaliste dhe partizane). Ai u nis shpejt drejt sheshit, u fut ndërmjet dy grupimeve me armët gati për zjarr dhe i shtangu të gjithë. Nuk kuptonin se çfarë po ndodhte. Për një cast, pasoi një heshtje e thellë e ai nisi të flasë:
Për shqiptarët vëllezër, për Shqipërinë e të gjithëve, për të ardhmen. Vëllezërit bëhen një dhe dhe zgjidhin çështje të mëdha. Nuk mund të ketë vëllavrasje. Do të ishte mallkim nga të gjitha brezat..
E kështu,fjalë pas fjale, për të shkrirë zemërimin.
Njëra pjesë e atyre luftëtarëve kishte kohë që nuk po dëgjonin fjalë të tilla bashkuese deri sa, më në fund, ndodhi e pabesueshmja. Luftëtarët e të dy palëve ngrihen dhe largohen.
Hallal qumështi i nanës atij që na shpëtoi djemtë tanë, thanë nanat dibrane.
Më vonë marrëveshja u prish dhe vëllavrasja vazhdoi, mjerisht.
f.313
Në “Ditarin” e vet (Shtigje lufte,1967) Haki Stërmilli (komunist i thekur- shënimi im B.S.)
Krenët (nacionalistë- shënim imi) na kërkuan që t’i largojmë nga Peshkopia të gjithë ata partizanë që nuki janë dibranë, Pas kapitullimit Italian, nuk kishte ushtri të huaja ende dhe nuk kishin pse të suleshin në Peshkopi partizanë nga hapësira të tjera, e aq më keq pjesëtarë të brigadave që luftonin ashpër kundër shqiptarëve nacionalistë në trevat shqiptare në Maqedoni.
Me 18-19 tetor 1943 forcat ushtarake të krenëve të Dibrës, bashkë me ato zogiste të komanduara nga Abaz Kupi, kundër forcave nacionalçlirimtare të komanduara nga Njazi Islami, në të cilat bënin pjesë edhe ushtaarë italianë të dorëzuar dhe një batalioni me 60 partizanë serbo malazezë, italianët përdorën topat. Sipas Njazi Islamit, nga nacionalistët u vranë dhe u plagosën 60 vetë, ndër ta edhe disa oficerë zogistë, ndërsa nga partizanër katër vetë. U vra edhe malazezi Vllado.. të batalionit të Petar Brajoviçit..
Haki Stërmilli flet për 86 shqiptarë të vramë nacionalistë dhe partizanë..
Me 27 tetor forcat nacionaliste të Xhem Gostivarit etj, 3000 vetë, e thyen qendresën e komunistëve në Dibër.
Familja e Riza Drinit ka pësuar shumë vuajtje gjatë regjimit komunist. Pesë vjet burg vetë Rizai, pastaj internim deri në 1959. Djemtë, ndonëse kryen shkollat e mesme, gjetën vetëm punë krahu. Shtëpinë ua morën, jetonin në një banesë të vjetër në një dhomë. Lumturisht, të tre djemtë (Skënderi, Genci dhe Bardhyli) u rritën të ndershëm dhe i ngritën një lapidar të atit edhe me këtë libër.
Konspektoi Bardhyl Selimi, 22 shkurt 2023

























