Diaspora infuzion edhe për demokracinë e Kosovës

Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e fletëvotimeve përmes postës të paraparë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), prej datës 2 -12 shkurt 2021. Ashtu siç është informuar këtë vit janë aprovuar për votim nga jashtë mbi 100,000 votues, që rezulton me një rritje mbi 200% në krahasim me zgjedhjet e 2019-tës.

Liza Gashi*, Prishtinë, 8.2.2021

Mirëpo, ende mbetet të shihet se cili do të jetë numri përfundimtar i votave të ardhura nga jashtë në këto zgjedhje. Për atë që aplikon të regjistrohet për votim jashtë vendit, dorëzimi i aplikacionit është vetëm hapi i parë. Hapat i ardhshëm ka qenë përgjigjja në telefon për verifikim (hap i shtuar këtë vit, që pastaj ndryshoj fare në fund), miratimi dhe pranimi nga KQZ për të qenë në listën votuese, si dhe dërgimi i votës përmes postës, kësaj radhe edhe në kushte pandemie. Sfidë në këtë procedurë paraqet shumë posta, dhe në fund të këtij cikli zgjedhor do të shohim sa do të jetë e mundur realisht që posta e dërguar të arrijë në afatin e paraparë.

Pavarësisht procesit të ndërlikuar që një shtetas i Kosovës që jeton jashtë vendit duhet të ndjek për të ushtruar të drejtën për të zgjedhur, numrat tregojnë që ka një interes të jashtëzakonshëm për të votuar në këtë cikël zgjedhor krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, edhe me këtë interesim të shtuar, ka ende një numër të madh njerëzish në diasporë që nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, potenciali i së cilës është mes 300,000 dhe 400,000 persona me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës.

Edhe pse në pesë zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë kemi pasur një rritje të vazhdueshme të votuesve nga jashtë, KQZ ka bërë pak ndër vite që të jetësojë planin e punës për votim nga jashtë që e kishte paraparë dhe buxhetuar. Aty ishte paraparë edhe krijimi i një aplikacioni online për regjistrim të votuesve nga jashtë që do lehtësonte këtë lloj votimi. Kjo situatë natyrshëm të sjell në një përfundim që politikëbërja e 20 viteve të fundit nuk e ka parë diasporën si pjesë e spektrit vendimmarrës (sovranit), por vetëm si infuzion i ekonomisë (përmes remitancave).

Votimi nga jashtë – E drejtë kushtetuese

E drejta e votës për shtetasit jashtë vendit garantohet me Kushtetutën e Republikës, prandaj zbatimi i saj duhet të mundësohet në mënyrë sa më të lehtë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara edhe këtë vit kemi ankesa pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme (GJS) në lidhje me vendimet e KQZ-së. Me datën 11 janar 2021, KQZ vendosi të verifikojë të gjithë aplikuesit për votim nga jashtë, duke vendosur përgjigjen në telefonatë si dispozitiv obligues për fitimin e të drejtës së votës (pika IV e vendimit). Edhe pse PZAP dhe GJS kanë hedhur poshtë si të palejuar ankesën e organizatës GERMIN, duke e trajtuar vendimin e KQZ-së të karakterit teknik. E gjithë saga tregon se ndonëse e drejta e votës garantohet me Kushtetutë, zbatimi i saj ka elemente për shqetësim të cilat po paraqiten në çdo cikël zgjedhor.

Adresimi i të drejtave sociale, politike dhe ekonomike

Me zhvillimin e institucioneve të Kosovës gjatë dy dekadave të fundit, të drejtat politike dhe sociale të diasporës së Kosovës dhe përfaqësimin i tyre në procese kryesore për vendin nuk janë adresuar. Andaj edhe një pjesë e madhe e pjesëtarëve të diasporës ndihen, me të drejtë, të anashkaluar nga institucionet e vendit. Edhe pse shteti i Kosovës ka hartuar një strategji për diasporën, pjesëtari i diasporës akoma nuk e ka një informacion të mjaftueshëm mbi të drejtat dhe përgjegjësitë në raport me vendin amë. Ndonëse strategjia e hartuar ka qenë mjaft gjithëpërfshirëse, pak është bërë për të përmbushur objektivat e saj dhe për të promovuar të drejtat e diasporës të përcaktuara në të dhe në legjislacionin në fuqi.

Rritja e numrit të votuesëve nga diaspora duhet të shërbejë si tregues për qeverinë që del nga këto zgjedhje, që t’i të adresojë këto të drejta dhe të ketë një angazhim më të madh nga ana e institucioneve të Kosovës karshi diasporës. Po ashtu, qeveria e ardhshme do të duhet të realizojë një politikë lehtësuese në kuadrin e angazhimit të diasporës, marrë për bazë që jashtë vendit janë mbi 700 grupe të ndryshme që punojnë pandalur për të forcuar lidhjen e diasporës me shtetin amë përmes aktiviteteve te ndryshme kulturore, edukative, sportive etj. Qeveria në ardhje duhet ta shoh diasporën si kapital të shumëfishtë e të larmishëm, human e financiar, dhe të punojë me mjete të reja të komunikimit për të arritur tek grupi heterogjen që përbën diasporën tonë.

Përfshirja e diasporës në proceset politike është mjet i rëndësishëm edhe për të mbajtur gjallë e të fortë besnikërinë e saj dhe ndjenjat patriotike. Siç deklaron Raporti për votimin jashtë vendit i Komisionit të Venedikut për vitin 2011, vota është edhe mekanizëm i trajtimit të barabartë midis shtetasve që banojnë në vend dhe atyre jashtë vendit, diasporës.

Votimi i diasporës është edhe mjet shtesë për ruajtjen e përkatësisë kombëtare dhe forcimin e identitetit etnik. Ndër aspektet e ndryshme të vendit të origjinës në të cilin diaspora duhet të përfshihet ngushtë, pjesëmarrja politike është mbase njëra nga më të rëndësishmet. Në këtë drejtim, votimi nuk është vetëm forma më e rëndësishme e pjesëmarrjes politike, por edhe mënyra më e mirë për t’i bërë zërat e diasporës të dëgjohen.

Mekanizmat ndihmues që do ta përfshinin diasporën në kornizën legjislative dhe institucionale kanë ngelur mbrapa, përkundër viteve të avokimit nga organizatat e shoqërisë civile. Përveç remitencave, institucionet tona nuk kanë qenë në gjendje ta angazhojnë diasporën në proceset e politikëbërjes ose në ndonjë diskutim kuptimplotë rreth çështjeve të Kosovës. Për shkak të kësaj, diaspora kryesisht qëndron skeptike ndaj institucioneve qeveritare të Kosovës dhe aftësive të tyre. Me gjithë evoluimin në strukturimin dhe organizimin e institucioneve shtetërore në Kosovë gjatë dekadës së kaluar, ka një përparim të ngadalshëm në avancimin e të drejtave politike dhe sociale të diasporës së Kosovës. Përfaqësimi i tyre në çështjet kryesore të vendit mungon, dhe diaspora gjithnjë e më shumë ndihet e anashkaluar nga institucionet shtetërore.
Prandaj, për të kthyer kursin e angazhimit dhe njohjes së komunitetit më të madh social të shtetit tonë, pra diasporës tonë, respektimi i një të drejte kushtetuese siç është e drejta e votës do të ishte një fillim i mbarë.

Liza Gashi

*Autorja Liza Gashi është eksperte e fushës së migrimit dhe diasporës. Ajo është themeluese e organizatës Germin, një organizatë udhëheqëse e shoqërisë civile, që lehtëson dhe forcon lidhjet mes diasporës, qytetarëve dhe qeverive. Ajo bashkëthemeloi platformën e angazhimit digjital dhe të diplomacisë, KosovoDiaspora.org dhe është themeluese dhe kryetare e United World Colleges (UWC) Kosova, lëvizje botërore arsimore që e bën arsimin forcë për bashkimin e njerëzve, kombeve dhe kulturave për paqen dhe një të ardhme të qëndrueshme. Në qeverinë e kryeministrit Kurti shërbeu si zv.ministre në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Liza është Master e Administratës Publike (MPA) në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe ka diplomë Bachelor nga Kolegji Wartburg në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkencë Politike dhe Gjuhë Spanjolle.