Në godinën e këtij muzeu ekzistojnë mbi 800 objekte të rralla, ndërsa brendia tij përmban kuadrin historik, zejtarinë (me rreth 80 lloje zejesh), veshjet dhe tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase.
Në qendër të qytetit të Elbasanit, shumë pranë Rrapit të Bezistanit, ndodhet një shtëpi karakteristike, e cila në vitin 1986 u kthye në Muze Etnografik. Shtëpia e Sejdinëve, siç njihet, iu dhurua shtetit nga familja. “Në planin kompozicional dhe në përgjithësi në konceptimin e saj funksionalo -arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që ndodhen në Berat e Shkodër,” thotë drejtori i Muzeut Etnografik Kreshnik Belegu. Ndërtesa përbëhet nga dy kate, kati i parë ka qenë përdorur si magazinë ku futeshin prodhimet bujqësore, si edhe ka disa ambiente muzeale, korridorin, dhomën e leshrave, dhomën e metaleve, si dhe dhoma e tabakëve. Kati i dytë ka qenë përdorur si vendbanimi dhe përbëhet nga koridori i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave, si dhe dhoma e nuses. Banesa është restauruar nga Insituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1983 – 1985, dhe në vitin 1986 ambientet e shtëpisë u përshtatën duke u kthyer në muze etnografik. “Muzeu përmban kuadrin historik, zejtarinë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet , tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase” thotë Belegu.
Këtë muze pata rastin ta vizitoj dy-tri herë , herën e parë i shoqëruar nga Elektroinxhenieri nga Shkupi Jakup Reka dhe me fotografin e mirënjohur nga Gjakova, Shkëlzen Rexha ( me disa foto edhe këtu), një herë me gjeneratën e normalistëve të mi nga Ferizaj.