Gazetari Rexhep Rifati përmes një ceremonie vëllazërore shpallet Qytetar Nderi i Horës së Arbëreshëve

Me zemër plot gëzim, krenari dhe mirënjohje të thellë, mirëpritëm shpalljen e z. Rexhep Rifatit, një nga doajenët e gazetarisë shqiptare, si Qytetar Nderi i Horës së Arbëreshëvet.

Kjo ceremoni solemne u organizua më 4 prill, në sallën e Bashkisë së Horës së Arbëreshëvet, në prani të zyrtarëve të bashkisë, të familjarëve dhe miqve të shumtë të z. Rifati, të cilët i dhanë këtij momenti një madhështi dhe ngrohtësi të veçantë.

Vendimi për ta shpallur z. Rexhep Rifati Qytetar Nderi ishte marrë më 9 mars, nga Këshilli Bashkiak i Horës së Arbëreshëvet në mënyrë unanime, duke dëshmuar respektin dhe vlerësimin e lartë institucional për jetën dhe veprën e tij.

Ky titull përbën një mirënjohje të merituar për kontributin e çmuar të z. Rexhep Rifati, i cili për më shumë se pesë dekada ka vizituar vendbanimet arbëreshe në Itali, duke i dokumentuar, promovuar dhe forcuar lidhjet shpirtërore, kulturore e kombëtare mes arbëreshëve dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.

Një domethënie të veçantë këtij nderimi i jep edhe fakti se Rexhep Rifati dhe Shoqata “Hora e Skënderbeut” ndërmorën iniciativën për vendosjen në Horën e Arbëreshëvet të shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë. Ky projekt i rëndësishëm u realizua në vitin 2024, duke lënë një gjurmë të përhershme në historinë dhe kujtesën e këtij vendi arbëresh.

Për ne, ky nuk është vetëm një nderim për një personalitet të shquar si z. Rifati. Me këtë rast është vlerësuar edhe Shoqata “Hora e Skënderbeut”, puna jonë e përbashkët, përkushtimi shumëvjeçar dhe kontributi i mërgimtarëve shqiptarë, të cilët me dashuri e besnikëri kanë qëndruar pranë botës arbëreshe.

Propozimi për ta shpallur Qytetar Nderi u mbështet edhe nga shkrimtari i shquar arbëresh z. Giuseppe Schirò Di Maggio (Zef Skiro Di Maxho), si dhe nga Shoqata ProLoco e Horës së Arbëreshëvet, që drejtohet nga Giorgio Cuccia. Të dy ishin të pranishëm në këtë ceremoni dhe morën fjalën, duke shprehur vlerësime të larta për Rexhep Rifatin dhe për kontributin e tij të vyer në ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe.

Me këtë rast, Kryetari i Bashkisë z. Rosario Petta, në fjalën e tij, vlerësoi lart figurën e z. Rexhep Rifatit, duke e falënderuar për punën e tij të palodhshme ndër vite dhe për rolin e tij të çmuar në promovimin e kulturës arbëreshe.

Nga ana e tij, edhe z. Rexhep Rifati, në një fjalë plot emocionesh, falënderoi nga zemra Këshillin Bashkiak për këtë nderim, duke e cilësuar atë si njërën ndër mirënjohjet më të mëdha të jetës së tij.

Në këtë ceremoni morën pjesë, si përfaqësues të Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, Shqipe Bytyqi, Veli Berisha, Ramadan Morina(Da Mo) – kryetar i shoqatës – dhe Adnan Asllani – sekretar i saj. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe z. Musa Jupolli, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, si dhe Ornela Radovicka nga Qendra për Studime të Gjuhës dhe Kulturës Arbëreshe. Me fjalë përshëndetëse u paraqitën Ornela Radovicka, Ramadan Morina, Adnan Asllani dhe Musa Jupolli, duke i dhënë kësaj ceremonie një frymë edhe më të ngrohtë, përfaqësuese dhe dinjitoze.

Me një program modest artistik u paraqitën edhe Shpejtim dhe Afërdita Krasniqi, duke ia shtuar ceremonisë një emocion dhe hijeshi të veçantë.

Shoqata “Hora e Skënderbeut” shpreh falënderimet më të sinqerta për Bashkinë e Horës së Arbëreshëvet dhe për kryetarin e saj, Rosario Petta, për këtë vlerësim të lartë dhe kuptimplotë.

Ne vlerësojmë se, duke nderuar z. Rexhep Rifatin, Hora e Arbëreshëvet ka nderuar njëkohësisht edhe veprën e Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, edhe kontributin e mërgatës shqiptare, edhe të gjithë ata që punojnë me përkushtim për ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar, kulturor e historik.

Urime nga zemra, z. Rexhep Rifati!

Ky titull është nder për Ju, për Shoqatën “Hora e Skënderbeut”, për mërgimtarët shqiptarë dhe për të gjithë ata që e duan me shpirt Horën e Arbëreshëvet dhe arbëreshët në përgjithësi.

Nga Kryesia e Shoqatës “Hora e Skënderbeut” , anëtarët e së cilës morën pjesë në aktin solemn