Një mbrëmje e këndshme në Ausburg të Gjermanisë që tuboi artbërës nga Kosova e mërgata

 

Në këtë ngjarje kulturore u shfaqën 4  filma me prani edhe të regjisorëve, producentëve e aktorëve të ardhur nga Kosova, por edhe të filmbërsve  vendas shqiptarë e gjermanë.

Bashkëpunimi i ndërsjellët midis disa figurave eminente të kulturës, sidomos nga fusha e filmit dhe teatrit, ka rezultuar jo vetëm me organizime të përbashkëta dhe prezantimin e vlerave në këto sfera arti, por edhe me afrimin e vetë artistëve në relacionin mërgatë- Kosovë. Pasi që edhe qëllimi dhe mesazhi i shfaqjes së këtyre  filmave ishte që shërbejë edhe promovimit të  kinematografisë shqiptare jo vetëm te komuniteti ynë, por edhe te publiku gjerman.

Një ngjarje e kësaj natyre me emërtimin : “Mbrëmje artistike n`Bavari”, solli dhe bëri bashkë  autorë, regjisorë e producentë, apo me një fjali siç u tha këtu u bën së bashku miqtë e Artit të Kosovës në Ausbur, siç ishin: Ben Apolloni, Burim Haliti, Sabri Paraziti, Bexhet Sallai dhe Arsim Berisha, meqë rast u hap një ekspozitë me punimet e tija në kuadër te këtij evenimenti. Po ashtu këtij ekipi iu bashkua edhe nikoqiri Benjamin Dinarica, producent dhe aktor në kuadër të shtëpisë Lunessa Filmproduction, që ka realizuar një film të bashkëprodhimeve gjermano-shqiptare.

Manifestimin në cilësinë e organizatorit e shpalli të hapur organizatori i kësaj mbrëmjeje artistike Nusret Dërguti, dikur edhe aktor në Teatrin e Qytetit të Ferizajt, i cili i përshëndeti të pranishmit, filluar nga konsulli Afrim Nura nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Mynih, si dhe grupin e mysafirëve nga Kosova dhe grupin tonë nga Zvicra, kryesisht aktorë të Teatrit “Aktrimi” të Cyrihut, si: Dan Morina, Akil A Amidi e Veli Genc Berisha,  njëherësh duke i shprehur mirënjohje edhe Ministrisë së Kulturë, Rinisë e Sporteve për ndihmesën financiare për këtë aktivitet kulturor edhe me njerëzit e vendlindjes,

Duke përshëndet të pranishmit konsulli Nura, vlerësoj lartë bashkëpunimin mes artistëve të mërgatës me ata nga Kosova, të cilët edhe në një vend mik siç është Gjermania shfaqin vlera arti nga fusha, filmike, teatrore, apo muzikore e të tjera.

Katër filmat që u shfaqën kryesisht me tematikë nga lufta e fundit të Kosovës, u përcollën me kërshëri dhe interesim të veçantë nga të pranishmit , të ardhur nga anë të ndryshme të Gjermanisë por edhe Zvicrës.  

Një pjesë e mirë e programit u përmbushë me pika muzikore nga këngëtari Bexhet Sallai, i cili me kitarën e tij krijoi një ambient tejet të këndshëm, me që rast iu bashkuan edhe të pranishmit në sallë, përfshi edhe mysafirët nga Kosova.  

Kjo mbrëmje e përmbushur me filma , ekspozitë, muzikë e argëtim i përmbushi jo vetëm kërkesat dhe qëllimin e organizatorit, por edhe i përmbushi me mbresa gjithë ata që ishin të pranishëm në këtë mbrëmje sa kulturore aq edhe festive. E rëndësishme është që evenimentet e tilla, që kanë filluar dy- tri vite më parë të kthehen në një traditë dhe vazhdimësi sa më afatgjatë.