Ramush Tahirin, intelektualin dhe politikologun e përmasave kombëtare, e njoha gati para gjysëm shekulli, në shtatorin e vitit 1975, kur 90% e atyre që morën pjesë sot në komemoracion dhe varrim, as që kishin dëgjuar asokohe për të, që ishte në prag të mbarimit të studimeve për shkencat politike në Universitetin e Zagrebit.
Shkruan: Profesor Enver Zhinopotoku, Ferizaj
Ndonëse të dy ishim ferizajas dhe kishim kryer të dy gjimnazin, ai një gjeneratë para meje, edhe pse kishim të njëjtin vit lindjeje, ende nuk e njihnim njëri tjetrin. Në dasmën e Shefki Ukajt, dajë imi, që na kishte ftuar të dyve, atë si koleg studimesh, e mua si nipash, u njoha me njeriun që e respektova pafundësisht deri sot kur e përcollëm në banesën e fundit. Në vendlindjen e Shefki Ukajt, Dobrajë e Madhe, bujtëm dy net, me një burrë të madh të Kosovës, një intelektual përmasash kombëtare, Vesel Rexhepin, që për dajën tim Shefkiun për kujdesin e tij për shkollim, mund të quhej „prind i tij i dytë“. Baca Vesel asokohe mbi 75 vjeç, dy net na rrëfeu plotë ngjarje nga LDB dhe pas saj, që e nxirrnin atë, figurë të madhe atdhetare, i burgosur shumëvjeçar i Goli Otokut, ish drejtor i Rilindjes dhe intelektual i shquar. Prej gojës së tij dëgjuam të vërtetën për vrasjen e Miladin Popoviqit dhe HakiTahës dhe plot rrëfime tronditëse si dëshmitar i asaj kohe.
***Ramush Tahiri asokohe ishte udhëheqës i grupit të studentëve shqiptarë „Shkëndija“, që studionin në Zagreb. Pastaj pasi mbaroi studimet, u kthye në Prishtinë si gazetar i Rilindjes, njëri ndër më të mirët dhe më të kualifikuarit. Duke rrjedhur ngjarjet pas ’81 siç rrodhën, Ramush Tahiri u bë një ndër analistët jozhurmaxhinjë më të njohur për proceset e kohës. I kualifikuar si politikolog i shquar, ishte konsulent dhe hartues i të gjitha, ose shumicës së programeve të partive politike në Kosovë. Me individualitetin e tij intelektual dhe skofjaritetin e tij njerëzor, Ramush Tahiri u bë i atij niveli, që askush nuk mund t’i refuzonte këshillat e tij. Ishte intelektualisht i angazhuar në frymën e ngjarjeve në Kosovën që priste angazhimin e çdo intelektuali. Dhe, Ramush Tahiri këtë zë e kuptoi ndër të parët, duke u bërë krijues institucionesh, respektues i tyre dhe këshilltar i njerëzve me funksionet më të larta pushtetare. Ai nuk ishte i asnjë partie politike, por ishte i të të gjithave, ishte i Kosovës dhe shqiptarisë.
***
Ramush, ka çka flitet shumë për trashëgiminë politike e intelektuale që na ke lënë. Për Ty, do të flitet e shkruhet në të ardhmen, por unë po ndaj me miqtë tu e të mi, dy rrëfime tuajat që mbajë në mend.
Ishte 23 marsi, 1989, dita kur në Kuvendin e Kosovës ishte votuar „Kushtetuta e tankeve“ me të cilën Kosova dhe populli shqiptar ishin zhveshur politikisht dhe juridikisht, duke u degraduar në popull të rendit të dytë dhe pozita e Kosovës ishte kthyer në një „Obllast“ të para vitit 1963. Në qytetin e Ferizajt këtë ditë po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Gratë e fshatit Balaj, të fshatrave ferizajase dhe qytetit, pasi e kishin kuptuar se delegatët do të votonin ndryshimet kushtetuese, filluan protestën, u ndaluan nga policia, por pas shumë zbrapsjeve, ishin tubuar në sheshin kryesor, midis Komunës dhe hotelit „Lybeten“. Për 4-5 orë rresht protestuan për këto ndryshime kushtetuese. Dy gazetare kroate, të revistës „Danas“ kishin ardhur në Prishtinë për të përcjellë atë ditë punën e Kuvendit të Kosovës për ndryshimet që i impononte Serbia. Jelena Llovriq, që ishte e specializuar për tema të brendshme të rënda, dhe kishte vite që e „shkoklonte“ politikën serbomadhe të Millosheviqit dhe Tanja Torbarina, që në rubrikën e përhershme „TV Torba“ me ironitë e saj politike, ishte bërë gazetarja më e adhuruar për lexuesit e shumtë, pasi kishin dëgjuar për demonstratat e grave në Ferizaj, pasi ishin miratuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend, kishin kërkuar, që të shoqëruara nga Shefki Ukaj dhe Ramush Tahiri të vinin në Ferizaj. Unë me disa shokë isha në katin e parë dhe kur i pash këta dy me gazetaret kroate, pasi u përshëndeta, shkova me ta në katin e sipërm të hotelit „Lybeten“. Në bisedë e sipër rreth situatës, mbaj në mend se Ramush Tahiri, u tha gazetareve kroate:
„Zonja të nderuara, a po e shihni se këtu situata po zihet, por lufta do të shpërthejë në Kroaci!“
Jelena Llovriq kundërshtonte duke piskatur: “ ti Ramush po flet marrëzira!“
Por, Ramushi, i qetë, pa u nervozuar, sillte argumenta bindës! Gazetarja kroate, ndonëse shumë e informuar, nuk mund ta merrte me mend se në Kroaci, ku ende dominonte situatë e qetë dhe sapo kishte filluar „lufta mediale nëpër tituj gazetash“, tre vite më vonë, mund të bëhej arenë lufte. Ndërkaq, Ramush Tahiri, argumentonte:
“ Vetëm konflikti i popujve shtetformues, i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, mund t’i lëkund themelet e ish Jugosllavisë, si perandori e popujve sllavë! Ne shqiptarët jemi të huaj në këtë shtet dhe ashtu po trajtohemi, andaj nuk jemi element që mund të prishim balancin e popujve shtetformues. Gazetaret kroate e kundërshtonin zotëri Tahirin, duke thënë se në Kosovë çdo ditë po ndodhë luftë e pashpallur, që ishte e vërtetë.
Ashtu siç thoshte Ramush Tahiri ndodhi pas dy vitesh kur sllovenët, kroatët dhe B e H shpallën pavarësitë e tyre. Serbia u shpalli luftë dhe i përgjaku të gjitha. Kjo largpamësi e Ramush Tahirit nuk i befasonte vetëm gazetaret kroate, por edhe ne dy shokëve të tij.
***
Dy vite më vonë kur sllovenët shpallën pavarësinë, ishte ditë e shtunë dhe takoj Ramush Tahirin në kafenenë „Bollero“ në Ferizaj, e vetmja ndoshta asokohe në Kosovë, ku sapo kishte filluar konsumimi i machiattos. Ramushi kishte shumë shokë e miq në Ferizaj ku ishte rritur e shkolluar dhe thuaja çdo veekend vinte. Filluam bisedën për pavarësinë e sllovenëve dhe Ramush Tahiri me plotë siguri thoshte, pas pyetjes sime se çka do të ndodhë tani pas pavarësisë sllovene:
„Nëse bota e përkrah mvetësinë sllovene, ky do të jetë fundi i RSFJ- së!“
Më dukej paksa konfuz ky konstatim i tij, por parashikimi i këtij politikologu të arsyeshëm doli diagnozë e saktë.
***
Ramush Tahirin si mik të mirë që e kisha, kisha dashur ta angazhoj për një recension të tij për librin tim „Portrete të anatemuarish“ që pati tre botime, 2010, 2011 dhe 2017. Këtë kërkesë timën e pranoi me dëshirën dhe sinqeritetin më të madh. Ia dërgova tekstin prej 300 e sa faqesh me e-mail, të cilin pasi e kishte lexuar me përkushtim, më kishte dërguar një recension 7-8 faqesh, që u lexua dhe pëlqye shumë ditën e promovimit më 10 korrik 2010 në Ferizaj dhe u botua në fund të librit në të tre botimet.
***
Sot Ramush Tahirin, qyteti i Ferizajt dhe shumë shokë e miq të tij e nderuan me përcjelljen e fundit që i bënë. Kishte njerëz në sallën e mbushur si asnjëherë më parë të teatrit „Adriana“ nga të gjitha qytetet e Kosovës, të viseve për rreth dhe nga diaspora. Nga referuesë, pushtetarë, gazetarë e miq të tij për Ramush Tahirin u fol si për një intelektual e veprimtar kombëtar dhe për angazhimet e tij, u thanë fjalët më të mira. Por, a mund të thuhet me këtë rast se ndaj Ramushit ishim të sinqertë siç u tha, kur Ramushi, e ramushët tjerë, i përcjellim në amshim me 90 € pension, megjithëse kishin bërë gjithë ato angazhime për ne dhe Kosovën?!!!
Ramushi dha çdo gjë prej vetes për Kosovën dhe shtetformimin e saj, e ne….?!
Me fjalë të zgjedhura dhe ndonëse në kohë pandemie, me njerëz të shumtë, familjarë, miq e shokë të tij të punës e profesionit, e përcollëm Ramushin me shpirt skofjar në banesën e fundit, në vendlindje, nën hijen e lisave të gjatë, aty ku do të prehet përjetësisht pranë prindërve të tij, që nuk i kishte parë e as marrë pjesë në varrimin e tyre, si i përndjekur nga Kosova për shkak të angazhimeve politike në kohën e aparteidit serb 1989-1999. Ndarja nga Ramush Tahiri ishte e dhimbshme për të gjithë, familjarët, miqtë e shumtë dhe të gjithë ata që e njohën, nga ky njeri i angazhimeve të shumta humane e atdhetare.






















