Përgatitja e kësaj pijate ju merr fare pak kohë dhe jo shumë përbërës. Pos që përgatitet shpejtë, ka një shije mjaft të mirë dhe është e pasur me vitamina, që na ndihmojnë të mbajmë edhe formën trupore, por edhe të ushqyerit shëndetshëm.
Përbërësit që na nevojiten për përgatitjen e dy pijatave për dy persona janë:
2 filxhana kafe oriz
1 spec i kuq,
1 karrotë
1 filxhan bizele
200 gr mish i bardhë
3 lugë djathë parmegjano
Kripë
Piper i zi
Erëza mix curry
Majdanoz
Vaj ulliri
Mënyra e përgatitjes:
Së pari në një enë hedhim vaj ulliri dhe shtojmë orizin e shpërlarë që të fërgohet pak. Pastaj ia shtojmë ujin, gjithmonë në proporcion 1me2. Nëse kemi 2 filxhana oriz, shtojmë 4 filxhana ujë. Gjithashtu i shtojmë kripën, përziejmë dhe e lëmë të ziejë derisa uji të shterret tërësisht.
Ndërkohë, derisa orizi të ziejë, në një enë tjetër ku kemi hedhur vaj ulliri, shtojmë mishin e bardhë të prerë në kubik të vegjël. Mishit i shtojmë kripë dhe piper të zi dhe e fërgojmë derisa të jetë gati. Pastaj e heqim nga tigani, ku në të njejtin shtojmë perimet e ngrira në kubik të vegjël. Kur ti kemi gati, e kthejmë mishin në tigan, në të njejtin shtojmë edhe orizin e zier, shtojmë erëzat përziejmë dhe në fund shtojmë edhe djathin. Kështu e kemi gati për servim.























