17 Shkurti 1982 – e vërteta përballë deformimit

Screenshot

17 Shkurti 1982 është një datë themelore në historinë e organizimit politik shqiptar në ish Jugosllavi. Pa të, rrugëtimi drejt 17 Shkurtit 2008 do të ishte i paimagjinueshëm. Megjithatë, kjo datë shpesh është heshtur, relativizuar, anashkaluar. Jo nga mungesa e rëndësisë, por sepse dominuan interesat e ngushta dhe ata të çastit.

1. Ata që nuk e deshën sepse nuk ishte ideja e tyre

Disa nuk e pranuan sepse nuk ishte programi i tyre.
Nuk ishte formulimi i tyre.
Nuk ishte iniciativa e tyre.

Edhe pse ideja që ata vetë kishin artikuluar më parë ishte po aq e drejtë dhe sublime, në vend se të ndërtonin mbi realitetin e krijuar nga bashkimi i 17 Shkurtit 1982, ata zgjodhën ta linin në harresë për ta përvetësuar dhe tjetërsuar një ide që nuk ishte e tyre.

Kur nuk arritën ta shndërrojnë në kapital personal, u kthyen kundër saj.
Madje edhe kundër vetë idesë së tyre paraprake.

2. Ata që e reduktuan vizionin

Disa e donin për vete arritjen e bashkimit në lëvizje, por pa njohur protagonistët e atij bashkimi dhe themeluesit faktikë të Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi.

Bashkimi u paraqit si kërkesë spontane e masave, duke u kamufluar dimensioni i organizuar politik.

Në emër të interpretimeve dogmatike ideologjike, kërkesa për Republikë u relativizua.
Nga ideja për barazi të plotë dhe njohje të shqiptarëve si komb në federatë, ajo u reduktua në një projekt të kufizuar brenda kufijve të krijuar dhunshëm dhe të cunguar historikisht të Kosovës.

Ky nuk ishte vetëm ndryshim emërtimi. Ishte ngushtim i horizontit politik.

Republika jonë u kthye nga një Republikë kombëtare në një Republikë fshatare, në frymën e konceptimit të dikurshëm të Mosha Pijades. 

3. Ata që u ngritën mbi të dhe më pas u kthyen kundër saj

Disa nga kundërshtarët e hershëm të idesë u ngritën më vonë në pozita drejtuese të lëvizjes. Mbajtën poste për vite të tëra.

Por kur zhvillimet nuk shkuan si donin ata dhe morën teposhtëzë, kur u shfaqën krizat, u kthyen kundër saj. U bënë aleatë me kundërshtarët e djeshëm brenda llojit.
Madje edhe kundër vetë idesë për të cilën ishte ngritur lëvizja.

Në momente vendimtare, përçarja e brendshme u bë shërbim objektiv për kundërshtarët e shqiptarëve.

4. Ata që e luftuan për privilegj dhe më pas u rikthyen pa reflektim

Ekzistonte edhe një kategori tjetër.

Disa e kundërshtuan hapur për të ruajtur privilegjet sistemore. Në emër të oportunitetit, e luftuan hapur dhe fshehurazi. Madje duke toleruar, arsyetuar e deri edhe nxitur me arrogancë represionin shtetëror ndaj rinisë, studentëve dhe intelektualëve konsekuentë.

Më vonë, kur sistemi filloi të lëkundej dhe ata vetë u përdorën e u hodhën mënjanë si të pavlerë, u përpoqën të dalin në krye të së njëjtës lëvizje.

Pa reflektim.
Pa ndjesë.
Pa pranim të së kaluarës.

Përkundrazi, duke mohuar të tjerët dhe duke tentuar të rishkruajnë historinë.

Sipas kësaj narrative, historia fillon vetëm kur ata “u kthyen mbarë”.
Jo nga ndërgjegjja.
Por nga rrethanat.

Pyetja thelbësore

A mund të ndërtohet e ardhmja duke mohuar të shkuarën?
A mund të ketë unitet mbi deformim?
A mund të ketë drejtësi historike pa pranim të së vërtetës?

Historia nuk është pronë private.
Nuk është kapital për karrierë.
Nuk është dekor për biografi të rishkruara.

17 Shkurti 1982 nuk kërkon privilegj për askënd.
Kërkon vetëm të vërtetën.

Sepse vetëm mbi të vërtetën ndërtohet e ardhmja.