MUAJI DHJETOR – MUAJI I LUTJEVE

Ganimete Jakupi Demiri, Zvicër, 8 dhjetor 2020

Të gjitha vitet kanë veçoritë e tyre, stinët dhe muajt. Secili nga ne kur përmenden muajt ndër të tjera kujtojmë: datëlindjet, dasmat, ahengjet, takimet e ndryshme, fëmijërinë, familjarët e gjallë apo të cilët kanë vdekur dhe nuk janë më në mesin tonë etj. Ndërsa kujtimet mbesin në mendjen tonë pa marrë parasysh si kujtime të bukura apo të hidhura.

Ky vit krahasuar me vitet tjera ishte vit pak më ndryshe, në këtë vit gjithçka filloi me një virus në Azi dhe duke u përhapur nëpër gjithë botën, duke ua prishur planet e njerëzve, ëndrrat që njerëzit ndoshta me vite kanë pasur për t’i realizuar, synimet e ndryshme, aktivitetet, të gjitha këto mbetën vetëm “në sirtarë”, ekonomia ra në një kolaps çdo kund në botë, spitalet dhe varrezat u mbushën përplot, gjithçka u bë e pakuptimtë në jetë, njerëzit jetojnë me një lloj paniku duke jetuar vetëm secili në shtëpinë e vetë, duke mos guxuar të shoqërohen as edhe me anëtarët e tjerë të familjes, humbën më të dashurit e tyre pa iu thënë as lamtumirën e fundit qoftë edhe përmes telefonit, nuk ua panë as kufomat, nuk e dinë të vërtetën se çfarë kishin që aq shpejt vdiqën…

E kuptuam më shumë se kurrë profesionin e mjekut dhe sakrificat e tij duke sakrifikuar vetën për t’i mbrojtur të tjerët, mjekët vërtetë ishin dhe janë heronjtë e gjallë të kësaj epoke.

E kuptuam se çfarë është jeta në aspektin e bukur (të lirë) dhe atë të mbylljes në vete, kur paska diçka me një forcë të gjithë fuqishme që ne as nuk mundemi ta kuptojmë, ushtritë më të mëdha botërore me artileri dhe teknologji më të sofistikuar janë bërë gati secila për të mbrojtur territorin e vetë, por nuk po dinë nga kush ta mbrojnë, të luftojnë me një armik të panjohur, të paparë, sepse para Zotit të gjithë jemi të barabartë dhe vetëm ai është i gjithëfuqishmi.

Ky vit për mërgimtarët ishte mjaft vit i vështirë, ku shumëkujt pushimet dhe planet për në vendlindje iu anuluan, ku dikujt të afërmit iu sëmurën apo edhe i vdiqën, por shkaku i pandemisë ishte e pamundur të shkonin për t’u thënë lamtumirën e fundit, sa prej nesh mbetëm duke pritur se kush do të na thërrasë në telefon për të na dhënë lajmin më të keq për familjarët tanë, sa dhimbje në shpirt kemi, e sa lot në faqe nuk na pushuan, mall për familje dhe vendlindje…

Ky muaj – për shumicën e njerëzve është edhe muaji i shpresës, sa gëzime kanë njerëzit kur bashkohen e festojnë së bashku festat e fund vitit, sa të dashuruar bashkohen, sa të dashuruar ndahen, sa lot derdhin njerëzit që u mungojnë më të afërmit e tyre (dikush i ka larg dhe dikush në botën tjetër), dritat e qyteteve (stolisja) ngjallin atë ndjenjën e optimizmit të mendohesh dhe të frymëzohesh se diçka e bukur ka për të ndodhur, për një moment shikon dhe harron gjithçka, dritat duken se me atë shkëlqimin dhe ngjyrat e tyre do t’ua kthejnë njerëzve buzëqeshjen, kuptimin e jetës.

Sa lutje drejtohen drejt qiellit duke u lutur secili në atë mënyrën e vetë për një vit të ri tjetër me ëndrra, dëshira më të bukura për t’u realizuar…

Shkrimet e tjera të aurtores Ganimete Jakupi Demiri të publikuara në prointerga.ch mund ti lexoni duke shtypur këtu!