17 shkurt 1982- Një datë me ambicie ende të papërfunduara

Shënim i datave historike: Me 17 shkurt 1982 u themelua Lëvizja shqiptare për Republikë

Me rastin e krijimit të Lëvizjes për Republikën (shqiptare) e Kosovës po publikojmë shkrimin e mëposhtëm të njërit ndër veprimtarët e pararendëses së kësaj Lëvizjeje, verprimtarit dhe ish të burgosurit politik Skender Ibishit, të shkruar me 16 shkurt 2015 dhe të publikuar nëpër mediat ë ndryshme.

Lëvizja jonë për barazi, pavarësi e liri kombëtare dhe shoqërore, ashtu sikur edhe çdo lëvizje tjetër e ngjashme ka kaluar nëpër faza të ndryshme, duke u përballë me sfida dhe rreziqe nga më të ndryshmet, pa përjashtuar edhe fërkimet e konfliktet e ndryshme në njërën anë të cytura e të ndikuara edhe nga shërbimet e armikut pushtues, e në anën tjetër edhe nga ambiciet e personave e segmenteve të caktuara grupore sektare për dominim e imponim, të pikëpamjeve të tërë lëvizjes sonë.

Pa marrë parasysh se në ndërkohë disa nga protgonistë e këtyre ngjarjeve kanë ndërruar pozita jo vetëm ideologjike, nga revolucionarë në të djathtë të përbetuar, që mbajnë edhe qëdnrime armiqësore karshi aspiratave dhe forcave progresive aktuale.

Bashkimi i arritur në mes forcave të atëhershme atdhetare e revolucionare përpos bashkimit – për shkak të rrethanave – të detyrueshëm ideor nuk rezultoi edhe me bashkim të mirëfillët fizik në një strukturë të vetme organizative e vepruese. Mjerisht kjo nuk ndodhi as në kohën e pluralizmit politik te viteve te 90-ta në hapësirat shqiptare, përkundrazi ky bashkim dhe Lëvizja jonë, përpos goditjeve nga ana e armikut dhe pengesat tjera të natyrës objektive, ajo u përballë pareshtur edhe me situata të luftës së brendshem imponuese e dominuse. Megjithatë edhe si atillë kjo lëvizje arriti të ruajë dhe zhvilloi një kontinuitet, i cili në fund rezultoi edhe me me luftën e armatosur, intervenimin ndërkombëtar dhe shpalljen e pavarsisë vetëm të Kosovës, si ish Krahinë Autonome të ish-RSFJ-së, ndërsa viset tjera shqiptare nën Republikat tjera jugosllave mbetën edhe më tej të ndara e të shtypura.

Në kohët e fundit – dhe jo vetëm tani – në shkrime të ndryshme dhe libra të publikuar, hidhen disa hipoteza që tentojnë të vejnë në pikëpyetje ngjarje e veprime të faktuara e të dokumentuara, të cilat mund të vërtetohen edhe nga protgonist pjesëmarrës të tyre ende gjallë. Këta pretenduesit të vërtetave tjera të paqena,apo më mirë me thënë të padëshmuara e të padokumentuara, edhe tani pas më se 30 e ca viteve, përpos interpretimeve subjektive, do të duhej të publikonin dhe dokumentonin që paska pasur edhe ndonjë bashkim tjetër. Përdryshe duket se ata kanë probleme vetëm pse ata personalisht nuk kanë qenë pjesë e këtyre veprimeve.

Më poshtë po publikojmë dokumentet e kohës në lidhje me këto data e ngjarje objektive historike.

Për më shumë në lidhje me kërkesat dhe programin politik të njërës nga Organizatat e para, gjatë dhe pas demonstrataave të vitit 1981 mund të mësoni më shumë në vegën vijuese: http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2537

D  O  K  U  M  E  N  T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 (në Ankara – vërejtja ime) filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi (Sabri Novosella) dhe Shpendi (Xhafer Durmishi).

Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) dhe Halimi (Osman Osmani), anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemali (Faton Topalli) si përfaqësues i këtyre bisedimeve.

Pas afër tre muajsh bisedime dolëm me propozime konkrete.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi (Osman Osmani) doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).

LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ (revistë, gazetë) qendrore.

LRSHJ do të formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë Federative Jugosllave.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi (Xhafer Durmishi) deklaroi:

Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) deklaroi:

Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella) deklaroi:

Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.

Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.

Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”, pasi ky emër shpreh Zërin e Kosovës, kurse organi i rinisë të LRSHJ të quhet “Republika”.

Në lidhje me këtë propozim Halimi deklaron:

Jam i mendimit që këto dy organe të ekzistojnë por me një renditje tjetër. Për arsye se qëllimi i LRSHJ është Republika edhe organi i LRSHJ të jetë me po këtë emër, kurse si organe të rinisë së LRSHJ, pasi rinia jonë ndjek Zërin e popullit të Kosovës (në kuptimin e gjerë) emri i organit të rinisë së LRSHJ të jetë “Zëri i Kosovës”, dhe shtoi: Në udhëheqësi të LRSHJ të hyjnë edhe udhëheqësitë e dy organizatave tjera të njohura OMLK dhe FKP me bashkimin e tyre në LRSHJ.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ shton (Kushtrimi):

Sa i përket emrit të organit qendror të LRSHJ jam i mendimit se mund të botohet me emrin “Zëri i Kosovës” apo “Republika”, pasi që jam i mendimit që edhe njëra edhe tjetra e kanë kuptimin e Zërit të popullit shqiptar në Jugosllavi.

Sa i përket organeve të organizatave tjera të LRSHJ ato vetë të caktojnë emrin e organeve të tyre.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ, Shpendi në lidhje me këtë problem deklaron:

Duke patur parasysh se vet LRSHJ ka të bëjë me Republikë, ky titull të sintetizohet me kërkesën për Republikë. Mendoj se është e drejtë, kur të kihet parasysh se veç ekziston një organ për “Republikën e Kosovës” të cilën nesër mund ta kemi në radhët tona, organi qendror të quhet “Zëri i Kosovës”.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ, Qemajli (Faton Topalli) deklaron:

Edhe pse në këtë mbledhje marrë pjesë si përcjellës i bisedimeve, jap mendimin tim në lidhje me çështjen e bashkimit. Pajtohem plotësisht që organizata e përbashkët të quhet LRSHJ dhe që brenda saj sipas mundësive të organizohen të gjitha organizatat që ka një republikë në federatën jugosllave. Në lidhje me organin e LRSHJ jam i mendimit që organi të quhet “Zëri i Kosovës”. Për emrin e organeve të organizatave tjera vendosin vet organizatat.

Mërgimi shton:

Të lihet mundësia, gjegjësisht t’u bëhet thirrje edhe të gjitha organizatave, grupeve patriotike e revolucionare që veprojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi të i bashkohen LRSHJ.

Me këtë propozim, d.m.th. për thirrje që t’i bashkohen LRSHJ të gjitha organizatat dhe grupet patriotike revolucionare pajtohen të gjithë përfaqësuesit.

V   E   N   D   I   M

I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

  1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).
  2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.
  3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.
  4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.
  5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.
  6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës”.

Qemajli (Faton Topalli)

Shpendi (Xhafer Durmishi)

Halimi (Osman Osmani)

Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)

Mërgimi (Sabri Novosella)

(Ky Dokument – Procesverbal  i Bashkimit të 17 shkurtit të vitit 1982 është shkruar atëkohë me dorë nga Osman Osmani. Një kopje e origjinalit të këtij Dokumenti u është dorëzuar përfaqësuesve të shtetit shqiptar në Turqi. Ndërsa origjinali i këtij Dokumenti (sipas Xhafer Durmishit: AlbaniaPress.com Publikuar më 27 shkurt, 2013 në orën 07:31, gjendet në arkivin e Fahredin Tafallarit)

Kjo Komunikatë është shpërndarë edhe në Kosovë e viset tjera shqiptare në ish- RSFJ menjëherë pas bashkimit të dy Organizatave (PKMLSHJ e LNÇKVSHJ) në Lëvizjen për Republikë!

Më 14 maj 1982: Në  Biel Bienne, ne banesën dhe në prezencën e Hasan Malës, takohen Xhafer Shatri, Osman Osmani dhe Xhafer Durmishi. Në bisedat formale të para ditës së 15 majit 1982, OMLK u bashkua pa kushte në LRSSHJ.

(Pjesë nga kujtimet dhe arkivi personal i Osman Osmanit)

Kjo Komunikatë e daktilografuar nga Xhafer Shatri dhe e shtypur në të njëjtën fletë bashkë me thirrjen (KUSHTRIMIN) u shpërnda në demonstratës e 26 qershorit 1982 në Bernë të Zvicrës.

PKMLSHJ – Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi

LNÇKVSHJ – Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (për më shumë lexo shkrimin e veprimtarit Ramadan Pllana duke shtypur butonin tek shkurtesa e Organizatës)

OMLK – Organizata e Marksistë – Leninistëve të Kosovës

 

Skender Ibishi, Prishtinë, më 16 shkurt 2015

(për më shumë për veprimtarinë e Skender Ibishit mund të mësoni nëvegëzën vijuese: https://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=572)