Baladë kushtuar shkenctares shqiptare në austri, dr. Vlora Mehmeti-Tërshani 

Nga: “Unë jetoj”, Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani
 Baladë kushtuar shkenctares shqiptare në austri, dr. Vlora Mehmeti-Tërshani 
Kompozitor, Naim Gjoshi:  “Një zemër që pikon”, kënduar nga Kastriot Tusha, teksti i shkruar nga  Darina Prifti, skenografia nga Blerdi Malushi.

 Hazir MEHMETI, Vjenë

Historia e këngës “Një zemër që pikon”  është interesante, e prekshme siç ishte vet jeta e personazhit të saj. Personazhi, një emër i njohur e cila tërë jetën ia kushtoi shkencës në dobi të njeriut. Kjo nuk ishte e lehtë. Një trajektore e tillë globale, Vjenë-Japoni- Islandë. Tema specifike e magjistraturës dhe doktoratës e gjeti Vlorën në Japoni. Profesori i njohur me famë botërore Prof. Dr. Yoshinori Asakawa u mahnit me rezultatet e saj. Ai i theu  rregullat e vëna për paraqitje në kongrese shkencore, duke e caktuar Vlorën akoma pa magjistrat, t’i prezanton hulumtimet e saja në kongrese botërore. Kongresi më i njohur, ishte Kongresi Botëror Shkencor i Uashingtonit në qershorin e vitit 2012, Vlora si përfaqësuese e UN të Vjenës ku marrin pjesë pesëqind shkencëtarët më eminent në glob.

Tani më, emri i saj u bë i njohur në rrethet shkencore në Japoni, Austri dhe aty ky Vlora paraqitej me kumtesat e saja nga hulumtimet në laboratorët më modern të kohës në Austri dhe Japoni. Me sukses mbaron  magjistraturën dhe pak vite më vonë doktoratën. E gjitha me nota të larta në gjuhën angleze.  Brenda pak viteve, Dr.Vlora Mehmeti prezantoi hulumtimet e saja në dhjetëra kongrese botërore të shkencës.  

Derisa Vlora punonte  në Institutin Ekogjenetikë dhe Biologji Molekulare në Vjenë, vendos të krijon familje, martohet. Pas disa viteve pune  shëndeti i Vlorës rendohet shpejt. Kontrollimet e para të shoqëruara me hulumtimet laboratorike, tregojnë, se Vlora ishte e infektuar me një virus të rrallë që duhej operuar dhe rrezatuar për ta mundur. Këto rrethana Vlorën e zënë shtatzënë dhe mjekët e preferojnë se do ishte më i sigurt suksesi i rrezatimit nëse fetusi disa mujor largohet, pra duhet larguar.  Pas të gjitha konsultave, Vlora nuk e thyen mendimin e saj, se rrezatimin do ta marr tek pas lindje së fëmijës edhe pse gjasat nga suksesi i tij ishin më të vogla.  Vlora dallohej me qëndrimin e saj dhe merrte përgjegjësinë e saj, nuk pyeste askënd.  Pasi lind Besmiri, një fëmijë i shëndoshë, Vlora hynë në rrezatime të rregullta që zgjasin me javë e muaj. Virusi i  rrallë modifikohej dhe gradualisht shkakton kancer i cili e sulmon mizorisht trupin. Vlora e dinte rrezikun kontaktet me specialistët e fushës ishin të shpeshta. Ai njihte profesorët më eminent në Vjenë dhe jashtë. Në rrethin familjar nuk fliste me askënd, shpesh paraqitej sikur nuk e dinte fare.  Ajo nuk e dëshironte prishjen e lumturisë së të tjerëve. Në një moment befasisht, pa dashje ishe dëgjuar: “unë atëherë do jem në qiell”. Në bisedën e mbushur me të qeshura, dikush e pyeti se çfarë ajo tha, të tregon se nuk është kuptuar. Ajo u mbajt krejt sikur të mos kishte thënë asgjë.

Lumturia e saj shkëlqente kur ishte me Besmirin, i fliste, qeshte dhe luante në hare.  

Punën nuk e ndërpreu deri në momentet e fundit të jetës. Doktoratën e mbrojti pa e ditur ne se ishte e sëmurë aq rëndë sa nuk do shërohej. Ajo e dinte dhe nuk e humbiste shpresën asnjë herë.  Për çdo ditë lodhej, nuk i hahej as nuk i pihej asgjë.  Në spital kaloi kohë të gjatë në rrezatime dhe terapi të veçanta, e shtrirë në shtrat e rrethuar me gypa të shumtë. Nënën e saj Nexhmijen e donte që ta shoqëronte gjithmonë kur merrte terapi rrezatuese. Ajo e dinte se po vdiste, ne nuk e dinim, nuk donim ta dinim as nuk e besonim, por sikur e ndjenim tragjiken. Një tragjikë mes lumturisë e krenarisë e cila godiste shumë të gjithë në zemër.

Përkundër gjendjes tepër të renduar, Vlora nuk ndalej, nuk dorëzohej. Pak kohë nën mbrojtjen e medikamenteve, dilte me Besmirin dhe bashkëshortin e saj  Mag. pharm. Bajram Tërshani. Bajrami një njeri i shkëlqyeshëm nga një familje fisnike kurrë nuk e pushoi mbështetjen për Vlorën deri në frymëmarrjen e saj të fundit. Bajrami ishte fati i jetës së Vlorës, njeri që nuk mund ta gjesh askund. Ishte fati i prindërve të Vlorës, veçan nënës së Vlorës e cila nuk mund ta mendonte jetën larg Besmirit. Vlora lente porosi për Besmirin, të filmuara,  fjali qe tregojnë për shpirtin e saj të madh, për fisnikërinë e saj prej shqiptareje trime e heroine.  Fotografitë në Sallën Solemne flasin shumë. Gjatë manifestimit solemn ku orkestra përcillte çdo hap, Vlora nga skena na përcillte ne aty ku ishim ulur në rendet e para. Kur u lirua na tha: “Pse jeni mërzitur, më duket se ju kam parë të keni qarë” 

Ishte e vërtetë. I ati dhe e ëma nuk përmbaheshin nga lotët e gëzimit të një suksesi kaq të madh të bijës së tyre, dhe me lot brenge për shëndetin e saj të renduar, kur kujtonin se Vlora ishte fëmija më i shëndosh i tyre nga gjashtë fëmijë që kishin rritur.

Momenti i bukur ishte kur Vlora ishte caktuar nga të gjithë të doktorantët nga shumë vende, të përshëndet në emrin e tyre. Kur Vlora mori mikrofonin, Salla Solemne e UN u dridh nga duartrokitjet. Orkestra solemne lëshoi tinguj të ëmbël sa nuk harrohen kurrë. Në katër gjuhë: latinisht, anglisht, gjermanisht dhe  për herë të parë në gjuhën shqipe, falënderoi rrjedhshëm sa u duk se nuk u ndal jehona asnjëherë. 

I shpallur përfundimi ceremonial, Dr Vlorën e gjeti në përqafimin e Bajramit e Besmirit me buçatën e luleve të praruara. Kudo që Vlora gjendej, e zbukuronte ambientin, e madhështonte rrethin e shoqërinë. Ajo ishte e vendosur dhe e pa lëkundur në mendime e qëndrime.

Vlora kur lindi shkëlqeu si nur duke habitur të gjithë, dhe, Vlora u shkëput meteor ndriçues në përjetësi, e pa harruar në veprën e saj madhore.

Rruga e këngës   

Meteor erdhi, meteor shkoi

Me shoqërinë e gjimnazit takoheshim shpesh gjatë verës dhe bisedonim me  mall për kohën e shkuar, për përjetimet që kishim, për shokët e arrestuar e të rrahur mizorisht, për nxënësit e çka jo tjetër. Me këtyre ngjarjeve takohej edhe rasti i Dr. Vlora Mehmeti Tërshani. Aq sa sukseset e saja kishin mrekulluar ata e ato, po aq dhembje për vdekjen e saj në kulmin e  punës dhe sukseseve të saja.  Në mesin e kolegeve e kolegëve që e patën nxënëse Vlorën në Gjimnaz ishin Prof. Bedri Tahiri dhe Prof. Shaban Krasniqi.  Bedriu shkruan poezi të fuqishme kushtuar Dr.Vlorës e cila ishte moshatare me Vlorën e tij të cilat linden në shtatëdhjetë vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Me Bedriun ishte  biseduar që herët rreth emrit për të dy apo te dyja.

Profesor Shaban Krasniqi kishte realizuar  projekte shkollore me nxënës të dalluar, kuize, gjuhë dhe e njihte nxënësen e tij Vlorën. Ai i mërzitur shumë tregonte momente të bukur nga kuizi, ku Vlora kishte fituar me grupin e saj.  Profesor Shabani e epte gjuhën angleze, por ishte dhe këngëtar i pasionuar me shumë këngë të realizuara me të cilat u paraqit në festivale të shumta.  Në bisedë e sipër, ai propozoj që Vlora të nxirret në një këngë të bukur të kënduar nga emra të njohur. Këto fjalë i tha këngëtari i pasionuar duke e ngritur figurën e Vlorës lartë.  Aktiviteti i Prof. Shabanit dhe  shoqëria e tij me Naim Gjoshin në disa aktivitete muzikore bëri që  Shabani të informon kompozitorin e madh lidhur me rastin e Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani. Pas disa përpjekjeve Naim Gjoshi paraqitet dhe krijon mundësi takimi për të pirë kafe dhe biseduar për rastin.  Për të mos u harruar, udhëtojmë drejt Elbasanit me Shaban Krasniqin. Sapo arritëm para Hotel Grand, në qendër të qytetit, parkuam veturën aty ku ishte rezervuar për ne. Kjo tregonte, se Naim Gjoshin e njihnin të gjithë, i madh e i vogël. Pritja ishte vëllazërore. Naimi banonte aty afër dhe erdhi pa u vonuar. Sapo u ul, porositi kafe, e nisi bisedën e tij rreth takimit tonë.  Ai tregoi në detaje angazhimin e tij, i lindur nga frymëzimi i tij që i kishte dhënë vepra dhe jeta e Vlorës. “Vajza ime, një ditë më pa se sorollatesha jo pak i shqetësuar dhe me pyeti: “Më dukën ca i shqetësuar dhe ju mundon diç? I tregova fill e pe për historinë Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani. Ajo kërceu nga vendi e mërzitur. Ah, ­çka rrëfyet im at!- qenka në një datëlindje me mua. Oh, sa e dhembshme! Po ti çfarë ke, je i prekur, dukesh”. Nuk munda të flas, u ngjita shkallëve shpejt e shpejt deri në studion time, u ula, hapa pianon dhe rrodhi melodia për katër pesë minuta. Isha i frymëzuar dhe i prekur shumë, e mendova sikur të kishte qenë bija ime e së njëjtës datëlindje.  Arti lind nga shpirti, nuk ka emër tjetër. Unë jam tejet i lumtur nëse kam dhënë diç nga kompozimi im, por mendoj se është një baladë e shkëlqyer. Tekstin e ka shkruar Darina Çoku Prifti, një  e njohur e imja, profesoreshë e cila banon afër meje në përshtatje me mua dhe është një tekst i fuqishëm. Këtë baladë nuk mund ta këndon çdo kush ashtu siç e mendoj dhe dua unë. Andaj, keni vepruar mirë pranuat sugjerimin tim që këtë baladë ta këndon Kastriot Tusha. Ju krijuat mundësinë për këtë dhe jam shumë i lumtur. Pas falënderimit tonë, kompozitori u duk i qetë dhe i gëzuar. Biseda vazhdoi deri vonë kur errësira shpohej nga dritat e fuqishme të reflektorëve

I preferuari ynë që baladës “Një zemër që pikon” t’i jep jetë me zërin e tij magjik ishte tenori Kastriot Tusha. Kastrioti e përqafoj me shumë dëshirë kopozimin me tekstin e bukur dhe të fuqishëm. Takimet tona në Tiranë mbeten të pa harruara, mbi të gjitha bujaria e tij, modestia e tij. Ai, si profesionalist, e pasuroj këngën fuqishëm me pjesë recitali dhe u përfundua në studion time, -tha kompozitori

Naimi na ftoj në studion e tij që ta dëgjojmë këngën e realizuar. Shkallët na sollën në katin e dytë ku dallohej veshja izoluese e kërkuar nga natyra e punës. U ulem, ishim shumë kureshtar ta dëgjonim këngë, tekstin e së cilës e dinim. Naimi aktivizoi instrumentet ashtu siç ai di dhe kënga filloi.  Kënga rridhte fuqishëm, ne të emocionuar në vaj e lot u ngritëm në këmbë të përqafuar nga mallëngjimi i melodisë dhe zërit i cili gravonte Vlorën me zërin magjik të tenorit të madhe. Lotët e derdhur në përqafim me Naim Gjoshin dhe Shaban Krasniqin nuk do i harroi kurrë. Sa e ndjeva vetën krenar e të lumtur që vepra e Vlorës na kishte bashkuar me aq emocione, me aq frymëzim sa njeriu gjunjëzohet para fuqisë artistike.  Nuk vonoi dhe dera u hap nga zonja e shtëpisë me tri gota të mbushura me lëngë natyral shege.  Ajo nuk e kishte idenë që ne kishim qarë dhe kishim nevojë për pije. Atë freski, aq të shijshme me lëng shege në ato momente aq të nevojshëm nuk do ta harroj kurrë. Bujaria shqiptare jeton, ajo e pasuron lumturinë e jetës shqiptare brezave.  

Skenografia, klipi i këngës

Në rrethana pandemike, aktivitet ishin të kufizuara, kështu u deshtë të kaloj më shumë se një vit që të krijohen kushtet për skenografi (klip)  Pas sugjerimeve të shumta të atyre që kishin lidhje me regjisor e aktor që dinin ta punonin pamjet gjatë këndimit, kontaktuam disa prej tyre, në Tiranë njërin prej tyre dhe në Prishtinë disa.  Prapë i pa ndarë me ndihmën e tij Shaban Krasniqi. Dhe, tani më bie ndër mend vendosmërinë e tij deri në përfundimin e plotë të këngës. Nga buron gjithë ajo dashuri, sa koha e harxhuar e tij, kur dihet se koha e tij ka vlerë që nuk matet. Me angazhimin e tij kontaktuam pas disa javësh Blerdi Malushin i cili kishte firmën e tij për bërje të skenave profesionale e quajtur Maximus.  Pas disa takimeve dhe pas mbledhjeve të materialeve u realizua me mjeshtri skena (klipi ) i këngës në studion e TV-21 e drejtuar nga moderatori e këngëtari i njohur Naim Abazi. Pikërisht atë ditë u bë promovimi i këngës “Një zemër që pikon” në emisionin shumë të shikuar ODEON. 

Falënderim për të gjithë ata që u përpoqën që kënga të realizohet: Shaban Krasniqin, orientuesi dhe këshilluesi profesionist, Naim Gjoshi, kompozitor; Kastriot Tusha, tenor; Darina Çoku Prifti, autore e tekstit dhe Blerdi Malushi, skenografia. Pa harruar këtu të madhin Naim Abazi me zgjuratësinë e tij dhe respektin që tregoi për figurën e shkencëtares Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani.Vlora e stolisur në tinguj.

Një takim i frytshëm dhe i pa harruar në rrugën artistike të gdhendjes së figurave me vlera njerëzore e kombëtare siç ishte Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani

 Kastriot Tusha, “Një zemër që pikon”

  Faleminderit i Madhi Naim Gjoshi për çdo notë partiture të renditur me frymëzim vëllazëror. Ky frymëzim i treguar me nota, ndanë dhembjen me ne. Këto nota dhe ky tekst i shkruar nga Profesoresha, Darina Prifti. Falënderim për tenorin tonë të Madh, Kastriot Tusha i cili me aq emocion e dashuri këndon. Të gjithë aktorët e këngës me lot e shpirt plot dhembje treguan respektin dhe dashurinë ndaj veprës madhore të Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani. Ajo ishte e veçantë me sukseset e saja kulmore në hulumtimet e saja shekencore që i dha dimension të ri afirmimit të shqiptarit në shkencat farmaceutike e mikrobiologjike në Austri, Japoni, Islandë… hulumtoi me vullnet e quajtën «luaneshë e shkencës që takohet rrallë». Respekt!

Darina Çoku Prifti Një zemër që pikon (kushtuar Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani Pyet Drenica ku është Vlora, Dardania po e kërkon, Nga loti shkrihet bora Nënëlokja e vajton. Eh, sa shumë ia ngriti emrin Tanë Kosovës e shqiptarisë Në qiell e zuri vendin Në shkëlqim të përjetësisë. Dhe qanë ngadalë një zemër që pikon Një ankth e mall që përvëlon. Ku je o dritë, O Vlora ti ku je! Me engjëj kuvendon atje mbi re! Dhembja e nënës qanë dhe gurin, Malli i babës, ah sa vret! Në gjunjë e ul dhe flamurin Dhe fëmija ty të pret. Krenari që kurrë s’venitesh Në çdo brez je monument Se, mençurinë e dijen Ti e le si testament. Dhe qanë ngadalë një zemër që pikon Një ankth e mall që përvëlon. Ku je o dritë, o Vlora ti ku je? Me engjëj kuvendon atje mbi re “Vlora, Ty jo vetëm Dardania, por dhe Vjena e mbarë bota ta provuan mençurinë O, bijë e shqipes krenare” Ku je o dritë, O Vlora ti ku je Me engjëj kuvendon atje mbi re.

 Në Odeon, në sheshin e mirë e fjalës së bukur ku defilojnë emra nga më të njohurit, gjigantët që në kurrizin e tyre bartin vërtetë piramida krijimtarie të cilat ne na sjellin përvoja nga më interesante në mënyrë që në jetën tonë ta kemi më lehtë për të lëvizur, për të ecur drejt caqeve që synojmë në jetë. Një i tillë është sot me ne dhe kemi fatin e mirë dhe të rrallë i cili vjen me një sebep në spektaklin tuaj Odeon.

Të falënderoj shumë Naim!
 U bë kohë pa pasur ftesa dhe nuk kam ardhur një kohë të gjatë këtu, të paktën jo për të kënduar, por për të dhënë një eksperiencë tonën që nga koha kur ishte i madhi Agim Zatriqi, drejtori i Radio Televizionit të Kosovës.  Kështu që unë ju falënderoj për këtë ftesë.

 Ne, të falënderojmë edhe për sebepin (shkakun) e madh që na erdhe në këtë emision, në këtë spektakël tonin, duke e treguar Kastriotin e madh që gravon diçka të bukur për jetën e njeriut, se çfarë vendimi duhet të marr në një moment të caktuar të madh të jetës një njeri dhe na erdhe. 

Të dashur telespektator sapo dëgjuam një këngë të jashtëzakonshme të realizuar prej mjeshtrit në sheshin e fjalës së mirë siç është Odeon. Kështu Odeoni ishte shesh i fjalës së bukur në Pellazgjinë e Ilirinë e vjetër. Kështu i vuri bazat teatri i lashtë dhe në qytet e mëdha nëpër botë është Odeoni.   Është një këngë Kastriot, a mund të na tregoni, kushtuar?

Po, i dashur Naim. Kënga të cilën sapo e dëgjuam është një këngë kushtuar një personaliteti, akademike, Doktor Vlora Mehmeti-Tërshani e cila ka ndërruar jetë shumë e re. Familja, sidomos i ati, i kishte një marrëdhënie të mrekullueshme me të madhin Naim Gjoshi, kompozitor, dhe vijnë e takohemi në Tiranë për një kafe, më tregon për jetën e vajzës. Vlora vërtetë është një personalitet, një akademike, një shkencëtare e madhe me të cilën nuk krenohet vetëm familja, por e gjithë shqiptaria. Ajo ka mbrojtur në Vjenë, në një nga Institutet më me emër, ka mbrojtur titull me profesor nga Japonia, profesor me titull e emër botëror ( Prof. Dr. Takoshima Asakawa, -poltësimi ynë) dhe siç e pamë nga realizimi i shkëlqyer me aq mjeshtëri nga Blearti, Dhe, unë e përjetova afër, u ndjeva mirë që të jap dhe unë një emocion sikur të isha pjesëtar i familjes, nga se kemi nevojë për këto personalitete.  Kështu që i dashur Naim, u desh oxhaku i juaj që ne ta promovonim këtë këngë. 

Të lutem!

Sa e bukur është kur të mëdhenjtë që e kanë për detyrë të shtyjnë jetën e njeriut, me e zbërthye jetën e njeriut, kryejnë detyrat e tyre, ashtu sikur Vlora Mehmeti, shkencëtarja e cila mbetet heroinë edhe për shkencën, për dijen dhe për ne që e kemi, se do ta kemi gjithmonë, vepra e saj e mban në mesin tonë gjithmonë. Nuk ka nevojë të kërkojmë kurrfarë modestie në këtë rast kur ju jeni veç gjiganti i skenës, i zërit të bukur dhe kur kjo gravohet (gdhendet) si një përmendore e përjetshme në art.

Keni të drejtë Naim, ka vlera sepse do jetë shembull për brezin e ri, për shkencëtarët e ri, për këtë brez të mrekullueshëm. Është  mirë dhe me vlerë që t’i rikujtojmë. Sot u ndjeva shumë i emocionuar në shumë aspekte. Sot e pash lotin e nënës së Vlorës, pash lotin e motrave, lotin e mbesës, lotin e vëllait, andaj e shkëputem xhirimin nga se as unë nuk isha vetvetja. Është këngë me shumë emocion dhe do pëlqehet dhe do jetë një emocion për të gjithë ata që do ta dëgjojnë dhe shumë e shumë më i madh për ata që e kanë njohur veprimtarinë e Vlorës.

Vlora në këngë, Vlora në auditorë, Vlora në shkencë, Vora në zemra, Vlora meteor që ndritë gjithmonë.