DITAR TETOVAR
24 dhjetor 2024
Bora ka pushuar së reshuri.
Mërgimtari ka një agjendë. Një ditë është e administratës, një ditë është e terzisë, një ditë… Çdo ditë është e takimeve me fisin dhe me miqtë! Policia, terzia dhe kushërinjtë e mi të parë, që kanë një dyqan fastfudi, gjinden në një trekëndësh në largësi prej rreth 200 metrash nga njëri-tjetri. Dita e dytë në Tetovë është dita e të treve.
Zakonisht filloj te terzia. Ustai ka punuar në Zvicër. Ai ka marifet dhe sqimë. Pasi kam lënë te ai një deng me pantallona, me devizën „ose bëhen ose gjuhen!”, kthej te Gjakoni dhe Rezoni, kushërinjtë e mi mikpritës e bujarë. Pastaj sorollatem nëpër polici. Deri së fundmi, secilën vizitë këtu nxjerrim nga një pasaportë të re.
Kemi dy herë që nuk e vazhdojmë pasaportën e B-së së Vogël. “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë e të dalin me një pasaportë tjetër, pa qenë të detyruar të lajmërohen për qëndrimin e tyre këtu”, na tha një polic kufitar herën e fundit në aeroport. Po nuk ia kemi edhe aq besën. Nuk duhet t’na skadojë pasaporta dhe ne të tjerëve që të nxjerrim një të re. Qëndrimin e padeklaruar me pasaportë të huaj ndonjëri e ka paguar sa frëngu pulën.
As kësaj radhe s’shkova në polici për pasaportën e B-së së Vogël, po dua të shënoj diçka për këtë përvojë. Aty më bien kaq shumë në sy ca zyra. Ato ofrojnë shërbimin e plotësimit të lutjeve për nxjerrjen e dokumentave të reja. Pyes njëherë në polici për formularët e aplikimit. “Nuk i kemi”, më thotë nëpunësi, duke më treguar vendin e zbrazët ku qëndrojnë ato. „I kanë këto zyrat këtu jashtë”. Policia nuk ka formularë për dokumentat që i lëshon vetë?! Ua ka dhënë zyrave private!
Iu drejtova njërës nga këto zyrat: “More, pse i keni zaptuar këto formularët e lutjeve?!” Pronari i zyrës më sfidoi: “Ja po ta jap një, me kushtin të kesh stilolaps dhe pulla postare”. Thash me vete: “Ky i paska mbledhur edhe të gjithë stilolapsat e pullat postare të Tetovës!”. Dhe ia ktheva me të njëjtën monedhë, duke hapur çantën e vogël të krahut: “Stilolapsa kam më shumë se e gjithë zyra juaj. Po nuk njoh njeri të zgjohet në mëngjes dhe të kujdeset të marrë me vete pulla postare.”
Këto zyra, sikurse edhe shumë zeje të tjera, kanë konjunkturë sidomos në verë e në dimër. Aty dynden mërgimtarët si në pelegrinazh. Ata gjithmonë kanë një dokument për të nxjerrë, përveç letërnjoftimeve, të cilat nuk lëshohen për ta. Edhe kjo është një gjë interesante! Viteve të fundit koto zyra kanë qarkulluar shumë para me ekzodin që ka pasur Tetova.
Prototipi i këtyre zyrave është e para fare, e cila nuk ekziston më, në krah të shkollës së mesme medicinale. Ajo u hap nga mesi i të 90-tave. Nuk kishte as kompjuter, punonte me makinë shkrimi mekanike. E mbaj mend për shkak të emrit: “Zyrë për shërbime intelektuale”!
Intelektuale quhet të plotësosh aplikime për një certifikatë lindjeje, martese, një letërnjoftimi, pasaporte. Për kaq punë duhen vetëm kompetenca elementare qytetare: shkrim dhe lexim. Vërtet ato janë një biznes legal e i zgjuar. Problemi qëndron te konsiderimi i tyre si pjesë e sistemit dhe procesit shtetëror. Më tepër qëndron në decivilizimin e gjindes. Ata i delegojnë dhe detyrat më triviale te këto zyra. Klientët e këtyre zyrave janë nga ata me shkollë fillore deri tek ata me doktoraturë.
Nuk ka abuzim më të shëmtuar se ai me fjalën “intelektuale”. Kohëve të fundit po bën bujë një shprehje e Kreut të Prokurorisë Speciale në Shqipëri, i cili kërkoi më shumë durim për hetimin e disa veprave të bujshme korruptive, si inceneratori i Tiranës. Ai i quajti këto “krime intelektuale”.
Krime intelektuale ka vërtet! Kush nuk ka dëgjuar për plagjiaturat në universitetet tona? Dhe prapë askush nuk trazohet për këtë gjëmë. Secilën herë që vij në Tetovë dëgjoj për një biznes të ligë. Një pazar të zi. Shërbime njëmend intelektuale! Ca bashkalema zullumqarë shkruajnë magjistratura dhe doktoratura kundrejt pagesës për ca dembelë e mediokër.
Ka ardhur koha të dekriminalizohen dhe të ligjërohen të gjitha.
Pra, o burra! Ngrehni çadrat tuaja për shërbime intelektuale te dyert e universiteteve të Tetovës! Paguani të paktën tatim për shërbimet tuaja akademike në dobi të prodhimit të kuadrove të rreme!