Dhuna në marrëdhënie nuk nis gjithmonë me goditje. Shpesh ajo fillon me kontroll, nënvleftësim dhe frikë të heshtur. Në kuadër të fushatës kundër dhunës dhe për barazi mes gruas dhe burrit, platforma prointegra.ch zhvilloi një intervistë me znj. S. Berisha nga BIF – Beratungsstelle für Frauen gegen Gewalt in Ehe und Partnerschaft (Qendra e këshillimit për gratë kundër dhunës në martesë dhe partneritet), e cila ndan përvojën profesionale mbi shenjat e hershme të dhunës, pengesat për të kërkuar ndihmë dhe rolin që luan respekti e barazia në parandalimin e saj.
Ky rrëfim është një thirrje për ndërgjegjësim dhe për krijimin e hapësirave të sigurta ku viktimat dhe komuniteti mund të gjejnë mbështetje.
1. Shenjat e hershme të dhunës
Fushata thekson se dhuna fillon shumë para dhunës fizike. Cilat sjellje ose modelet e sjelljes nuk njihen shpesh si dhunë nga përvoja juaj profesionale, por në të vërtetë janë shenja të hershme paralajmëruese?
Dhuna zakonisht fillon shumë përpara se dikush të reagojë me goditje. Sidomos sjelljet kontrolluese dhe poshtëruese shpesh nuk njihen si dhunë, edhe pse tregojnë shenja të hershme paralajmëruese. Këtu përfshihen mosbesimi i vazhdueshëm, xhelozia e madhe, akuzat për tradhëti, si dhe thirrjet kontrolluese ose nevoja për të ditur vazhdimisht se ku dhe me kë ndodhet partneri ose partnerja. Ky kontroll shpesh justifikohet në emër të dashurisë dhe shoqërohet me pretendime pronësore si „Ti më përket mua“.
Një shenjë tjetër paralajmërues është nënvleftësimi i vazhdueshëm, fyerjet ose ulja e tjetrit, që shkatërron gradualisht vetëvlerësimin e personit të prekur. Veçanërisht alarmuese është kur lind frika nga reagimi i partnerit ose kur sjellja e vetëpersonit drejtohet për të shmangur konflikte dhe eskalime. Në këto marrëdhënie, konfliktet nuk zgjidhen më në mënyrë të barabartë, por përmes fuqisë dhe frikësimit.
Këto sjellje dhe situata janë vetëm shenja paralajmëruese – ato nuk nënkuptojnë automatikisht se ekziston dhunë, por mund të tregojnë një rrezik të shtuar dhe duhet të vëzhgohen me kujdes.
2. Kontrolli dhe presioni në jetën e përditshme
Cilat shenja të përditshme tregojnë se një person është nën presion, po kontrollohet ose ka të kufizuar lirinë e tij personale – edhe nëse nuk ka dhunë fizike të dukshme?
Kontrolli dhe presioni në jetën e përditshme shpesh janë të vështira për t’u vërejtur nga të tjerët. Shumë herë, personi i prekshëm ose partneri që ushtron kontroll përpiqen të tregojnë një pamje normale jashtë shtëpisë, shpesh nga turpi ose frika.
Një shenjë i mundshëm është kur një person tërhiqet gjithnjë e më shumë nga rrethi i tij shoqëror dhe duket i izoluar. Po ashtu, mund të jetë shqetësuese nëse personi duhet të jetë gjithmonë i/e gatshëm/gatshme për të përgjigjur në thirrje ose video-thirrje, madje edhe në situata të papërshtatshme.
Shenja të tjera paralajmëruese shfaqen gjithashtu në jetën e përditshme , për shembull kur personi nuk ka një llogari bankare personale dhe të gjitha vendimet financiare kontrollohen plotësisht nga partneri. Ose kur personi pas punës duhet të shkojë menjëherë në shtëpi, ka pak mundësi për aktivitete të veta dhe nuk mund të marrë vendime pa kërkuar leje.
Edhe pa dhunë fizike, këto sjellje tregojnë qartë se liria personale po kufizohet gradualisht, shpesh në mënyrë të fshehtë, saqë qëndron e padukshme për një kohë të gjatë.
3. Grupet e rrezikuara
Gratë janë më shpesh viktima të dhunës, por nuk janë të vetmet. Cilat persona ose grupe të tjera, sipas përvojës suaj profesionale, janë veçanërisht të rrezikuar – dhe pse?
Në parim, dhuna shfaqet në të gjitha shtresat e shoqërisë, pavarësisht prejardhjes, nivelit arsimor, fesë apo statusit shoqëror. Megjithatë, ekzistojnë disa faktorë që e favorizojnë dhunën ose e bëjnë më të vështirë largimin prej saj. Këta përfshijnë, ndër të tjera, vështirësi financiare, sëmundjet e varësisë, kushte të pasigurta banimi, si edhe përvoja personale me dhunë ose trauma gjatë fëmijërisë, si te dhunuesi ashtu edhe te viktimat. Veçanërisht të rrezikuara janë personat që janë në varësi nga partneri i tyre i dhunshëm, për shembull për arsye financiare, gjuhësore, ligjore në lidhje me qëndrimin, ose sepse kanë fëmijë të përbashkët. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë largimin nga spirala e dhunës.
Nga këndëvështrimi profesional gratë e moshuara, migrante, që nuk flasin gjuhën ose gra me aftësi të kufizuara fizike ose mendore janë më të ndjeshme, sepse shpesh kanë nevojë për mbështetje dhe shkeljet e kufijve janë më pak të dukshme.
Në këtë kontekst nuk duhet harruar se fëmijët janë gjithmonë të prekur, qoftë sepse janë dëshmitarë të dhunës ose e përjetojnë vetë dhunën. Për shkak të moshës dhe varësisë së tyre, ata janë veçanërisht të pambrojtur.
4. Pengesat në kërkimin e ndihmës
Shumë persona të prekshëm ngurrojnë të kërkojnë ndihmë ose të dalin nga marrëdhëniet e dhunshme. Cilat janë arsyet kryesore për këtë ngurrim, dhe çfarë roli luajnë faktorë të tillë si statusi i qëndrimit, varësia ekonomike, frika, si dhe presioni kulturor ose familjar?
Sa më e madhe të jetë varësia nga personi dhunues, aq më të mëdha janë zakonisht pengesat për të kërkuar ndihmë ose për t’u shkëputur nga marrëdhënia e dhunshme. Shumë të prekur e kanë të vështirë ta imagjinojnë jetën pa këtë person, për shembull për arsye financiare, emocionale, gjuhësore ose ligjore në lidhje me qëndrimin, ose sepse kanë fëmijë të përbashkët.
Megjithatë, faktori më i madh pengues është frika. Kjo përfshin frikën se dhuna mund të shtohet pas një përpjekjeje për ndarje. Studimet tregojnë se periudha e ndarjes është, statistikisht, faza më e rrezikshme për personat që përjetojnë dhunë në familje. Kësaj i shtohet edhe frika nga pasiguria e së ardhmes, nga ndryshimet dhe nga reagimet e rrethit shoqëror. Mjedisi familjar mund të jetë si një burim mbështetjeje, por edhe një pengesë shtesë, veçanërisht kur dhuna minimizohet ose vazhdimi i marrëdhënies shihet si më i rëndësishëm se siguria e personit të prekur.
Shumë persona nuk dinë ku të drejtohen dhe çfarë do të ndodhë pas kërkesës për ndihmë. Prandaj janë shumë të rëndësishme shërbimet e këshillimit për viktimat, që ofrojnë mbështetje falas, rreptësisht të besueshme dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim pa dëshirën e shprehur të klientit. Nuk ka masa policore automatike, klienti vendos vetë se çfarë hapi të ndërmarrë. Gjatë këshillimit, viktimat informohen mbi të drejtat e tyre dhe mbi opsionet e mundshme, por vendimi për veprim mbetet gjithmonë tek personi i prekur.
5. Të flasësh për dhunën
Kur ekziston dyshimi se një person përjeton dhunë: Si mund të trajtohet kjo temë me kujdes dhe ndjeshmëri, pa ushtruar presion dhe pa rrezikuar më tej personin e prekur?
Kur dyshohet se një person po përjeton dhunë, është e rëndësishme të flitet për këtë temë me kujdes dhe mbi të gjitha, të shprehësh shqetësim, jo akuza. Një bisedë e hapur mund të fillojë me shprehje të thjeshta si: “Po shqetësohem për ty” ose “Kam vërejtur që je ndryshuar”. Në të njëjtën kohë, nevojitet mirëkuptim që personi mund të mos jetë ende gati për hapa të mëdhenj ose ndryshime të mëdha në jetën e tij/saj.
Është shumë e rëndësishme që tregimet e personit të merren seriozisht dhe të mos dyshohet ose të ushtrohet presion, madje edhe nëse personi nuk mund ose nuk dëshiron të largohet nga marrëdhënia. Ndihma mund të ofrohet duke treguar për mundësitë e mbështetjes, ose duke propozuar që të kontaktohet së bashku një shërbim si shërbimi i këshillimit për viktimat. Edhe të afërmit ose miqtë mund të këshillohen fillimisht vetë atje, për të fituar siguri në hapat e mëtejshëm.
Në qendër duhet të jetë gjithmonë forcimi i personit të prekur, jo imponimi i vendimeve. Përvojat pozitive të përbashkëta, ruajtja e kontakteve dhe tregimi i besueshmërisë janë shpesh më ndihmuese sesa presioni. Veprimet kundër vullnetit të personit të prekur rrezikojnë që ai të tërhiqet më shumë dhe të izolohen. Besimi, durimi dhe një vesh i hapur janë çelësi për të ndihmuar në mënyrë të sigurt dhe efektive.
6. Reagimi i mjedisit
Kur në publik ose në rrethin shoqëror vërehen fyerje, kërcënime, poshtërime ose forma të tjera të dhunës psikologjike: Çfarë mund të bëjnë të afërmit, miqtë ose dëshmitarët për të ndihmuar, duke ruajtur njëkohësisht sigurinë e tyre?
Kushdo që vëren fyerje, kërcënime apa forma të tjera të dhunës psikologjike në mjedis publik ose privat mund të ndihmojë në mënyra të ndryshme pa rrezikuar veten. E rëndësishme është fillimisht të merret seriozisht situata dhe të mos shmanget shikimi.
Anëtarët e familjes, miqtë ose dëshmitarët mund t’i tregojnë personit të prekur për qendra ndihme dhe këshillimi ose të ofrojnë mbështetje për kontaktimin e tyre. Edhe marrja e informacionit nga një qendër për viktimat mund të ndihmojë për të vlerësuar më mirë se si të veprohet.
Në rastet e dhunës akute, situatave që po eskalojnë ose kur ndjeni diçka jo të mirë, për shembull si fqinj, është e rëndësishme të mos vononi dhe të njoftoni policinë. Siguria juaj gjithmonë ka përparësi. Ofrimi i ndihmës nuk do të thotë të ndërhyni vetë por të veproni me përgjegjësi dhe të përfshini institucionet e duhura.
7. Roli i respektit dhe barazisë
Si kontribuojnë respekti, trajtimi i barabartë dhe normat jo-diskriminuese konkretisht në parandalimin e dhunës në marrëdhënie, familje dhe shoqëri në përgjithësi?
Respekti, barazia dhe normat jo-diskriminuese janë faktorë kryesorë të mbrojtës kundër dhunës. Sa më të barabarta të jenë marrëdhëniet dhe strukturat shoqërore, aq më pak krijohen marrëdhënie varësie dhe pabarazi fuqie dhe kështu ka më pak vend për dhunë.
Në strukturat patriarkale ku shoqërisht legjitimohet që burri është “kryefamiljari” shpesh pritet nënshtrim dhe kjo krijon varësi që mund të favorizojë dhunën. Në anën tjetër marrëdhëniet e barabarta promovojnë respekt reciprok, aftësi për kompromis dhe vendimmarrje të përbashkët në mënyrë të barabartë dhe në të dy drejtimet.
Barazia nuk nënkupton vetëm mbrojtje për gratë por edhe lehtësim për burrat. Në shoqëritë e barabarta është e ligjshme të tregosh dobësi, të pranosh përvojat e dhimbshme dhe të pranosh ndihmë. Kjo i forcon individët dhe marrëdhëniet dhe kontribuon afatgjatë në një shoqëri pa dhunë.
8. Perspektiva e komunitetit shqiptar në Zvicër
Vëreni sfida specifike për gratë, burrat ose familjet shqiptare në Zvicër lidhur me njohjen e dhunës, thyerjen e heshtjes dhe qasjen ndaj shërbimeve këshilluese?
Edhe brenda komunitetit shqiptar në Zvicër, ashtu si në komunitete të tjera, ekzistojnë realitete shumë të ndryshme të jetës. Megjithatë, nga këndvështrimi profesional, shfaqen sfida të veçanta. Në familjet që janë ende të forta nga rolet patriarkale ose konceptet e nderit, mund të jetë më e vështirë të njohësh dhunën si të tillë ose të flasësh hapur për të. Heshtja shpesh kuptohet si mbrojtje e familjes, gjë që e vështirëson edhe më shumë qasjen ndaj ndihmës.
Njëkohësisht, diaspora shqiptare në Zvicër është pjesërisht ende e ndikuar nga përvojat e luftës dhe arratisjet. Trauma të papërpunuara mund të jenë një faktor rreziku për dhunë, veçanërisht kur nuk ka hapësirë për të folur për ngarkesat psikologjike.
Pikërisht për këtë është e rëndësishme të krijohen hapësira ku burrat guxojnë të flasin për përvojat e dhimbshme dhe të pranojnë mbështetje pa e përjetuar këtë si dobësi. Një përballje kritike dhe e përbashkët me rolet tradicionale mund të ndihmojë që dhuna të mos jetë më temë e ndaluar dhe të forcohen mënyra të reja bashkëjetese pa dhunë.
Mjedisi gjithashtu mund të marrë një qëndrim dhe të përballet me personin kërcënues përmes sjelljes së tij, natyrisht pa u vënë vetë në rrezik. Gjatë qasjes në ofertat e këshillimit vërehet shpesh re se shumë persona ngurrojnë të paraqiten për shkak të barrierave gjuhësore. Me këtë rast, të gjitha qendrat e këshillimit për viktimat ofrojnë mundësi për përkthim dhe pjesërisht ofrojnë edhe këshillime direkte në gjuhen shqipe.
9. Shërbimet e ndihmës dhe mbështetjes
Cilat shërbime falas dhe të besueshme ndihme në Zvicër do t’u rekomandonit personave të prekur – por edhe atyre që kanë frikë se mund të bëhen vetë të dhunshëm?
Në Zvicër ekzistojnë shërbime të ndryshme falas dhe të besueshme ndihme, si për personat që përjetojnë dhunë, ashtu edhe për ata që shqetësohen se mund të bëhen vetë të dhunshëm. Këtu përfshihen shërbimet e këshillimit për viktimat, që punojnë në mënyrë të besueshme, ofrojnë mbështetje vullnetare dhe sipas nevojës, gjithashtu sigurojnë shërbimë përkthimi. Për burrat që kanë frikë se mund të bëhen (përsëri) të dhunshëm, ekzistojnë edhe pika të veçanta kontakti, si Zyra e burrave në Cyrih, e cila ofron edhe këshillim direkt në gjuhën shqipe.
Gjithashtu, mund të merret ndihma terapeutike për të përpunuar pasojat e dhunës ose për të reflektuar mbi mënyrën se si menaxhohen agresionet.
Të gjitha këto shërbime punojnë sipas parimit të vullnetarizmit dhe konfidencialitetit. Personat e prekur vendosin vetë se cilat hapa duan të ndërmarrin dhe mund të këshillohen pa ndonjë presion.
Kjo intervistë u zhvillua me mbështetjen e Zyrës Federale për Barazi Gjinore (EBG/BFEG). Më shumë informacion, mund të gjeni edhe këtë adresë: www.ohne-gewalt.ch



















