Zvicër: 20 vite pensionim të parakohshëm në ndërtimtari – FAR, falë luftës së ashpër!

Hilmi Gashi

Ata punojnë përditë jashtë. Në vapë, shi e acar dhe erë. Punëtorët e ndërtimtarisë kryejnë një punë tejet të mundimshme. Shumica ishin punëtorë sezonierë, ndërsa sot janë gati se 80% migrantë, të cilët nuk kursejnë shëndetin e tyre për ndërtimin e vendit. Para më se gati 20 viteve ata thanë: 40 vite mjaftojnë dhe luftonin për pensionim me 60 vjet. Suksesshëm. Qe 20 vite – pikërisht që nga qershori 2003 – punëtorët e ndërtimtarisë mund të shkojnë në pension me 60 vjet. Kjo është e garantuar edhe me Kontratë Kolektive të Punës.

Albino da Silva i takon këtyre punëtorëve të ndërtimtarisë, që tërë jetën e tyre kanë punuar në ndërtimtari. Nga mosha 55 vjeç punë ishte bërë më vështirë, thoshte ai në bisedë (të publikuar në këtë numër të Horizonte, në faqe 3). “Njeriu donë të jetë i fortë, mirëpo trupi nuk mund të përballojë më shumë”. Lufta e punëtorëve të ndërtimtarisë për pensionim me 60 ishte e vështirë, mirëpo e rëndësishme. Bllokimi i tunelit Baregg ishte kulmi i luftës, nga e cila sot përfitojnë mbi 26’000 punëtorë ndërtimtarie.

Si sekretar sindikate ne njohim këto natyra luftarake dhe i gëzohemi suksesit të tyre si dhe 5 viteve te fituara të jetës cilësore. Shumë punëtorë ndërtimtarie sot festojnë ditëlindjen e 60 të tyre dhe pensionimin. Kështu edhe Xhemshir Zenuni. Festimi ishte organizuar fshehurazi nga fëmijët e tij. Miqtë, kolegët, familjarët festuan bashkë. Pasi që ai është shumë aktiv në Facebook, unë munda ta shihja se si ai e shijonte kohën me familje, udhëtimet me miq dhe përsëri fotografi me nipërit e mbesat e tij. Ai do të pajtohej me kolegun da Silva, ku ai thotë: «Të kem kohë për nipërit e mbesat e mia dhe t’i shikoj ata të rriten është gjëja më e mirë që mund të më ndodhte».

Huazuar nga gazeta e sindikatës Unia në gjuhën shqipe Horizonte Nr. 5, 2023