Skenderi Ibishi bashkonte në një – kombëtaren dhe njerëzoren

(Fjala e kolegut dhe bashkëveprimtarit Selver Nuhiut në tubimin pükujtimor për Skender Ibishin në Schaffhausen të Zvicrës më 3 nëntor 2018) 

Në jetë takojmë shumë njerëz të ndryshëm. Ka të tillë që kishim dëshirë t’i harrojmë sa më shpejtë. Por ka edhe të tillë që, për shkak të vlerave kombëtare dhe njerëzore, hyjnë aq thellë në zemrat tona, sa që bëhen pjesë e kujtimeve të përhershme të njeriut. Njërin nga këta, Skënderin – mikun tonë të shtrenjtë, e përkujtojmë sonte, në këtë tubim të përbashkët përkujtimorë.

Pamje nga tubimi përkujtimor per Skender Ibishin në Sc^haffhausen të Zvicrës, më 3 nëntor 2018

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

E nderuara Marigona, bija e Skenderit,

Nga shumë vlera që kishte Skenderi, për të cilin mburrej jo vetëm familja, por edhe ne – shokët e tij, unë i përmenda dy – atë kombëtaren dhe njerëzoren. Dhe te këto vlera do të ndalem pak.

Një mendimtarë gjerman thotë: “Jeta nuk është të marrësh dhe të kesh, por të japësh dhe të jesh”.

E Skenderi ka dhënë shumë, prandaj edhe ISHTE – në kuptim të plotë të fjalës.

Kur kombëtarja dhe njerëzorja bashkohen në një, atëherë çdo punë, veprim, mendim është i sinqertë.

Prandaj edhe Skenderi, me punë, veprim dhe mendim ishte gjithmonë i sinqertë.

Me ardhjen e Skenderit në Zvicër, ai menjëherë u vu, sikurse edhe shumica nga ne, në shërbim të qeverisë së Kosovës në egzil.

Në këtë organizim kishim aktivitete të ndryshme. Por me kalimin e kohës, kur  aktivitetet tona donim  t’i konkretizonim, kishim pengesa nga vet Kryeministri Bukoshi.

Në ndërkohë, morëm vesh për një vizitë të Kryetarit Rugova në Zvicër, dhe me shumë pengesa, e bëmë një takim me te. E njoftuam se kush ishim, për aktivitetin tonë dhe i treguam problemet me Bukoshin. E pyetem nëse duhet ta ndërpresim aktivitetin. Kurse ai na rekomandoi, që aktivitetin kurrsesi mos ta ndërpresim, ndërsa problemet do ti zgjidh vetë me Bukoshin.

Kjo na inkurajoi shumë. Filluam punën çdonjëri në lëmine e vet. Unë isha përgjegjës për ndërlidhje. Organizimi i sistemit të ndërlidhjes në mes të njësive nuk paraqiste kurrfarë problemi. Brenga ime më e madhe ishte ndërlidhja me Komandantin Suprem, pra me Kryetarin e Shtetit, sidomos në fazën e parë të luftës.

Në bisedë interne me Agim Mehmetin, koordinatorin tonë për Zvicër, i propozova Skenderin si ndërlidhës, për shkak të vlerave njerëzorë dhe të kaluarën e tij atdhetare. Ai pranoi pa hezitim.

Pse po e them këtë? Për shkak se, Skenderi nuk e dinte, që unë e dija funksionin e tij. Edhe pse ishim shokë, kolegë, fqinjë – Skenderi kurrë nuk e ka përmendë funksionin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Kur ishte puna e atdheut, ai ishte i pa kompromis.

Si njeri dhe shok e kemi njohtë pothuajse të gjithë. Ndonjëherë ishte më shokë se që duhej të ishte: më shok për të tjerët, se sa  për vetveten. Të tjerëve ju mbante çadrën, e vet qëndronte në shi.

Një proverb indianë thotë: “Në jetë njeriu duhet të jetë si reja mbi oqean: thith ujin e njelmët të oqeanit dhe lëshon shi me ujë të ëmbël”. I tillë ishte Skenderi.

Në fund Zoti na e morri. Skënderin na e morri, por kujtimin por jetën e tij jo edhe aq të lehtë, dhe veprën e tij të ndritur kurrë nuk mund të na e merr.

Tavolina me foton dhe librin e mbresave për të ndjerin Skender Ibishin

Kujtimi për Skënderin është i përjetshëm!

Selver Nuhiu, Schaffhausen, më 3 nëntor 2018