ATDHETAR O BURRË I DHEUT

(Artistit Agim Gashi, nderim postmortum)

E kam njohur një njeri,
që i thonin Agim Gashi,
pushtim shpirti kanga e tij,
e fortë guri, e butë mëndafshi!

Bariton n´solo këndim,
dhe rapsod i madh me vlerë,
ky artist i Kombit tim,
i la Shqipnisë emën dhe nderë!

Jem nderue e jemi dashtë,
kjemë vllazni etnie dikur,
donte trojet t´i lidhim bashkë,
t´iu bëhemi rrugë, t´iu bëhemi urë!

Pasuri s´deshte as bane,
atdhetar o Burrë i Dheut,
pasuri le veprën tande,
që nderë e vlerë i falë Atdheut!

Në k´të jetë t´shkurtër o v´lla,
sall kujtimet e veprat mbesin,
asgjë tjetër vlerë nuk ka,
se sa kur shekujt s´i tresin!

Merre ngryk President Rugovën,
që aq shumë o burrë e deshte,
iu këndove dhe i nderove,
Ali Podrimen e Anton Çetten!

Merr uraten nga Nënë Tereza,
ashtë Shëntore kjo Nanë Bote,
vargjet tua dhuratë për breza,
që ia kushtoj vet dora jote!

Përqafoje fort Ninelin,
ta shkrumboi zemrën për s´gjalli,
dhimbja e tij një çerek shekulli,
të pushtoi si sëmundja e malli!

Tash të erdh edhe NanaLoke,
merre ngryk e çmallu me të,
edhe Gëzim Uruçin, vëlla Shkodre,
xha Dilaverin nga Fterra, bre!

A e morre sharkinë me veti,
se pa të s´mund t´rrish´ o v´lla?
Kanga jote është tallas deti,
sa për t´qeshë, këndu dhe kja!

Lamtumirë o Agim Gashi,
lamtumirë të tha Shqipnia,
edhe të ligjët o burrë, prej tashi,
janë dorëzu, s´t´humbi lavdia!

Mentor Thaqi
9 Prill 2019