Sindikalisti Hilmi Gashi drejtues i ri i migracionit në sindikatën Unia

533

Unia është sindikata më e madhe dhe më e fuqishme e Zvicrës. Ajo njëherazi është edhe organizata më e madhe emigrantëve në Zvicër dhe përtej saj. Pasi nga 200’000 anëtarët e saj mbi 100’000 veta janë migrante e migrantë. Për shumëkënd emri „Unia“ ndërlidhet me angazhim të suksesshëm për përmirësimin e pagave, të drejtave në punë, mbrojtje të shëndetit, pensioneve.

Rishtas, nga 1 maji 2019 Hilmi Gashi është zgjedhur drejtues i ri i migracionit në sindikatën Unia. Hilmiu ka një bagazh të madh dhe shumë vite përvoje pune profesionale në kuadër të sindikatës Unia, të cilën ai si organizatë e njeh shumë mirë. Që nga viti 2010 ai bashkëdrejton seksionin e sindikatës Unia Berner Oberland. Me pozitën e tij të re si Shef i Migracionit, Hilmiu përsëri iu është kthyer rrënjëve të punës së tij profesionale fillestare sindikaliste. Ai që nga viti 2005 deri në 2010 ka punuar si sekretar profesional për migracion në Sekretariatin Qendror të Sindikatës Unia.

Kryetarja e sindikatës Unia, Vania Alleva gjatë fjalës hapësë në konferencë e migracionit dhe prezantimin e drejtuesit të ri të migracionit Hilmi Gashin

Angazhim i vazhdueshëm edhe për migrantët
Në këto 14 vite që nga themelimi, sindikata Unia është angazhuar fuqishëm në shumë lëmi: qoftë për pensionimin e mëhershëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë, qoftë kundër orarit të zgjatur të punës nëpër shitore, apo edhe kundër dumpingut në paga dhe vjedhjes së pensioneve.
Unia është angazhuar në vazhdimësi edhe për migrantët. Qoftë për të drejtat nga rrafshi i sigurimeve shoqërore apo edhe kundër iniciativave të panumërta ksenofobe, sikur ajo për dëbim ose atë mbi migrimit masiv. Edhe në të ardhmen ky angazhim do të vijoj të fuqizohet edhe më shumë!
Suksesi më i madh i kësaj Sindikate është krenaria dhe dinjiteti i punonjësve, të cilët kanë kuptuar, se vetëm së bashku janë më të fortë. Këto sukseset forcojnë bindjen te punëtorët se shumëçka mund të ndryshojë nëse bashkojnë forcat.

Sindikata dhe migrantët
Në sindikatën Unia, nga gjithsej 200’000 anëtarë, mbi 100’000 anëtarë janë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000 janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën Unia përpos aktivistëve sindikalistë shqiptar janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në stafin profesional të saj. Unia publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të ndryshme informuese nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste Horizonte edhe në gjuhën shqipe.

Sindikata Unia dhe shqiptarët e Zvicrës
Nga angazhimi i sindikatës Unia në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar kanë përfituar edhe shqiptarët. Këtu përpos përfitimeve të përgjithshme nga Kontratat Kolektive të Punës, të drejtat dhe mbrojtjen në punë, do të veçonim angazhimin e Unia-s për qarkullimin e lirë edhe të migrantëve shqiptarë të punësuar në Zvicër në hapësirën Shengen e veçanërisht angazhimin i gjithanshëm i saj dhe partnerëve tjerë për Marrëveshjen e anuluar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës e Kosovës, me ç ‘rast shumë punëmarrës nga Kosova, si kontribuuesit kryesorë në të dy vendet dhe shoqëritë, vazhdojnë të përjetojnë diskriminim selektiv nga lëmi i sigurimeve shoqërore, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së vullnetit të mirë në mes të zyrtarëve të dy vendeve. Ky angazhim shpresojmë të kurorëzohet me një zgjidhje retroaktive edhe per periudhen pa marreveshje si dhe ratifikimi e fuqizimi sa më i shpejte i Marrëveshjes së re në fjalë.
Edhe përkundër rezultateve të arritura, sindikata Unia zotohet se do të angazhohet edhe më tej fuqishëm për të avancuar të drejtat e të gjithë punëmarrësve dhe për ti bëre ballë sulmeve për dobësimin e sindikatave dhe lëvizjeve punëtore gjithandej si dhe sulmeve karshi të arriturave të deritashme në botën e punës. Dhe edhe në të ardhmen nën moton: Bashkë jemi më të fortë!

Angazhim i gjithanshëm vullnetar shoqëror
Drejtuesi i ri i migracion në sindikatën Unia, Hilmi Gashi ka një traditë të pasur dhe shumëllojshme të angazhimit vullnetar shoqëror në Zvicër. Fillimisht ai është angazhuar vullnetarisht në Radio RaBe në Bernë, si njëri ndër kultivues i saj. Në kanalin alternativ kulturor ai krijoi programin shqiptar LAME (lajme, aktualitete dhe muzikë), ku ndihmoi edhe në ringjalljen e redaksisë (RaBe-Info). Më pas, ai pastaj profesionalisht kaloi në Kryqin e Kuq Zviceran si bashkëkryesues i një qendre punësimi dhe informimi për refugjatët kosovarë në Biel / Bienne. Hilmiu ishte gjithashtu shumë aktiv dhe i suksesshëm si gazetar dhe regjisor. Pos tjerash ai udhëhoqi projekte në HEKS, si autor i pavarur i filmit dhe menaxher i projektit.

Hilmi është bashkëkryesues në OJQ-në Solidarité sans frontieres (Solidariteti pa kufij), President i Konfederatës së Sindikatave Thun dhe kryetar i Komisionit për Integrimin e Qytetit të Bernës dhe anëtar i Bordit Këshillëdhënës të Germin, me seli në Evropën Juglindore (Kosovë). Së fundi ai është edhe anëtari kryesisë së prointerga.ch, qendër kjo profesionale e migracionit dhe kompetencës shqiptaro-zviceranë si dhe platformë informacioni e avancimi për shqiptarët e Zvicrës.

Një ndër eksponentët kryesor të jetës sindikalist dhe shoqërore shqiptaro-zvicerane
Hilmi Gashi, njëri ndër eksponent kryesor të skenës së sindikalistëve shqiptarë të Unia-s në Zvicër, shquhet edhe për njohurit e tija teorike të „veprimit shoqëror“ si dhe veprimin konkret praktik në situata të caktuara grupore dhe shoqërore.
Gjatë pjesëmarrjes në debatet e ndryshme publike nga lëmi të ndryshme sindikaliste, politike e shoqërore, ai prore e pasuron debatin me kontribute konstruktive dhe e ngre shkallën intelektuale të debatit si dhe konkretizon sugjerimet për veprimet e nevojshme praktike.

Hilmiu gjatë prezantimit të rezolutës rreth marrëveshjes kornizë me BE-në dhe kundër iniciativës përkatëse anuluese të SVP/UDC-së

Iniciues e përpilues i parashtresave, kërkesave e qëndrimeve grupore e kolektive
Dje, Hilmi Gashi në cilësinë e drejtuesi të ri të migracionit në sindikatën Unia, gjatë konferencës së fundit për migracion të sindikatës Unia paraqiti një rezolutë, të përpiluar nga vet ai, mbi Marrëveshjen Kornizë me BE dhe kundër iniciativës të SVP, e cila dëshiron të anulojë lëvizjen e lirë të personave mes Zvicrës dhe BE-së. Kjo rezolutë u miratua njëzëri nga Konferenca e Migracionit e datës 11 maj 2019 në Bernë. Shpresojmë që ai bashkë edhe me sindikalistë tjerë shqiptaro-zviceranë si dhe kolegë të tjerë zviceranë e migrantë ai do të intensifikoi veprimet për jetësimin e të drejtës themelore për lëvizje të lirë edhe për shtetaset/it e Kosovës.

Pamje nga konferenca e migracionit të sindikatës Unia, me 11 maj 2019 në Bernë të Zvicrës

Disa nga qëllimet dhe sfidat vjetore e afatgjata të sektorit të migracionit
Për portalin e shqiptarëve të Zvicrës, prointegra.ch, Hilmiu shpalosi disa nga qëllimet dhe sfidat e e sivjeme të Grupi të interesit  (GI) të migracionit, të cilin ai edhe e drejton në kuadër të sindikatës Unia:

“Grupi i interesit i migracionit do të kontribuon në mënyrë aktive në sensibilizimin dhe mobilizimin e grave (dhe punëtorëve) me sfond migrimi për grevën e grave të 14 qershorit 2019 me aktivitete konkrete gjithandej nëpër Zvicër.
Sektori i migracionit anëtarësisë dhe migrantëve në përgjithësi do të ofrojë informacion mbi përkeqësimet në Ligjin e ri për të Huaj dhe Integrim. Në kontekstin e punës së pasigurt, GI i migracionit do të bënë një analizë të situatës së migrantëve në kontekstin e sigurisë së qëndrimit (lejet e qëndrimi afatshkurtër, humbje e lejeve C ose B, etj.) dhe do të diskuton e do të merr qëndrim si dhe do të vendos për masat eventuale që duhet ndërmarrë. Ndërsa GI nëpër regjione diskutojnë dhe zbatojnë elemente arsimore mbi prekaritetin (marrëdhënieve e pasigurta të punësimit).
GI i migracionit do të zhvilloi aktivitete sensibilizimi mbi lëvizjen e lirë të personave dhe nevojës së forcimit të masave mbrojtëse në punë edhe përmes një fushatë të ngre vetëdijen kundër iniciativës se Partisë Popullore të Zvicrës që ka për qëllim anulimin marrëveshjes për lëvizje të lirë mes Zvicrës dhe BE-së. Për këtë qëllim sektori i migracionit është duke përgatitur një modul arsimor mbi të drejtat themelore njerëzore dhe ato të punës (me rastin e 100 vjetorit të ILO) në ndërlidhje edhe me Lëvizjen e lirë të personave dhe masave mbrojtëse të kushteve të punës në Zvicër.
GI përpos që do të angazhohet në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Zvicrës bashkë edhe me organizatat tjera sindikale për njohjen e diplomave të huaja, do të vazhdon të japë informacion mbi fondin e asbestit dhe përfshirjen në këtë aktivitet edhe të grupeve të migracionit nëpër regjione.” theksoi ndër të tjera Hilmiu.

O. Osmani, Bernë me 12 maj 2019