Sherri në kohërat e tërmetit

199

Arbën Xhaferri ishte i pari. I pari lider shqiptar që u ankua nga mediat. Sado gjatë politizimit të tij ka qenë i përkëdhelur prej tyre. Ai humbjen e partisë së vet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2008 ia mvishte raportimit tendencioz të mediave për rastin e Brodecit. Aksionin spektakolar të forcave speciale të Maqedonisë në një katund të thellë të Tetovës. Vrasjen e gjashtë kryengritësve shqiptarë të ngujuar aty. Arrestimin e një duzine banorësh. Terrorizimin e një popullate të tërë. Preludi i asaj çkishte ndërmend Gruevski me shqiptarët. Në kohën e partisë së Xhaferrit në pushtet.

Në qeverisjen e tij të dytë Sali Berisha gjetjet e hulumtimit të opinionit për korrupsionin në vend i interpretonte si rezulate të raportimit të mediave për korrupsionin. Në të dytën, sepse në qeverisjen e parë s’i ka dhënë hesap askujt për asgjë. Mediat ishin ose të vetat, ose të shtruara. Në dru. Janë djegur redaksi dhe janë rrahur gazetarë. Ndër këta, me gjasë, edhe vetë Kryetari i sotëm i Ministrave. Në qeverisjen e dytë u shtrua edhe vetë, po korrupsionin e shihte si një perceptim të formuar nga mediat.

Ai i cili në mënyrë epike po grindet me mediat, është Edi Rama. Prej gjashtë vjetësh, sa është në pushtet, ai nuk i duron pyetjet e mediave që e dyshojnë paraqitjen e tij të gjërave. Dhe këto media numërohen me gishtat e njërës dorë. Sepse shumicën e tyre i ka në dorë. Ai ka madje edhe televizionin e tij personal! Ligjërimi i tij kundër mediave është bërë rapsodi. Me kazanë e me gam-gamë. Ai nuk përmbahet as në valën e rrëmujës e zisë nga tërmeti në Shqipëri. Tani është xhindosur fare. Së fundmi, si në një rrëshqitje frojdiane, qahet se ka rënë përtokë besueshmëria te ndërtuesit. Ndërtuesit! Shkaku i mediave. Tani gjen rastin të mbyllë media! Të burgosë qytetarë për postime në rrjetet sociale! Një ligj për kriminalizimin e mediave rri pezull.

Ndikimi i mediave është një debat i njohur në botë. Politik dhe shkencor. Ai zë fill në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas aferës së Watergatetit, kur u ndie një rënie e besimit në politikë. Politologu amerikan Michael J. Robinson gjeti një korrelacion ndërmjet përdorimit të televizionit dhe mosbesimit në politikë. Video-Malaise quhet teza e tij. Ky realitet, sipas tij lidhet me strukturën e publikut të televizioneve, sepse ai ka aftësinë të depërtojë aty ku nuk arrijnë mediat tjera. Me besueshmërinë që gëzon televizioni dhe me raportimin negativist.

Në Evropë ky kauzalitet është hulumtuar sidomos në Gjermani. Studiuesit gjermanë kanë gjetur në një sërë studimesh shkencore që media të ndryshme dhe formate të ndryshme mediatike prodhojnë efekte të ndryshme. Aty herë është zbuluar që formatet mediatike argëtuese kanë një efekt tëhuajsues kundruall politikës. Herën tjetër ka dalë që konsumi i përmbatjeve mediatike informative ka pasur për rezultat mobilizimin për participim politik. Para së gjithash, pjesëmarrjen në zgjedhje.

Meraku i atyre që e marin seriozisht problemin është delegjitimimi i politikës. Sipas një skenari, humbja e besimit në politikë shpie në abstenimin politik. Sidomos në dimenzionin konvencional, të pjesëmarrjes në votime. Skenari tjetër është simpatizimi me ofertat politike radikale. Gjithsesi efektet varen edhe nga thellësia e pezmit politik. Është me rëndësi të indentifikohet nëse ky refuzim orientohet nga aktorët, apo nga sistemi. Politikanët, apo demokracia. Rrezikimi i besimit politik, sidomos atij në demokracinë si sistem, është malin.

Rreziku që i kanoset politikës shqiptare nga mediat është nuhatur me saktësi. Prandaj edhe ky alarm. Por kjo nuk është domosdo dhe në vetvete me rrezikshmëri shoqërore. Duhet vetëm të sqarohet nëse raportimi është vërtet tendencioz, apo relativisht profesional. Duket sikur politika shqiptare s’e ka me merak abstenimin nga votimi. Aty pak rëndësi ka sa shkon pjesëmarrja në votime, sepse nuk ka prag të legalitetit. Census. I cili mund ta vinte sistemin në stres. Pjesëmarrja ka qenë e rëndësishme – për arsye imazhi – vetëm në zgjedhjet e fundit lokale moniste në Shqipëri… Prandaj edhe shifrat e pjesëmarrjes u bënë çorap. Frika e politikanëve duket qëndron gjetiu.

Studimet e shkencave të komunikimit në shoqëritë shqiptare sikur gëzojnë konjunkturë. Sado që nganjëherë ngjet që akcenti i këtyre studimeve bie te fusha e marrëdhënieve me publikun. PiaR-i! (Ajo që ndonjëri prej politikanëve e ka ushtruar si propagandë deri në rekordet më të liga historike.) Le të verifikohet pra shkencërisht se në ç’raport qëndron raportimi mediatik me ngjarjet dhe aktorët. Ka një mbireprezentim të dështimeve? Ka tendencë negativizmi? E kundërta?

Sa të përgjigjen shkencat e komunikimit, njerëzit do ta kujtojnë Brodecin, siç e kanë përjetuar. Këtë fshat të këputur të Malësisë së Tetovës, pa punësim në shtet dhe pa kurbet. Ku u dynd një aparat i tërë shtetëror dhe vrau, përdhosi shtëpi të njerëzve dhe të Zotit, rrahu, tërhoqi zvarrë burra dhe fëmijë të fshatit në Shkup; disa u dërrmuan, njëri vdiq në burg, ca ngelën gjallë e për gazep, të çnderuar, shfytyruar e përçudnuar. Në ethet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mu pranë Kosovës. Dhe, partia e Arbën Xhaferrit bënte sehir në qeveri! Partia e Ali Ahmetit – njëherë në opozitë, pastaj në qeveri!

Sa të përgjigjen shkencat e komunikimit, njerëzit do ta kujtojnë Gërdecin siç e kanë përjetuar. Atë që më 2008 desh e hodhi në erë rajonin! Dhjetëra jetë njerëzish të humbura. Sa e sa të plagosur. Në vigjilje të integrimit të Shipërisë në Aleancën Veriatlantike. Sabotazh…? Sidoqëtëjetë! Gjithsesi fije të stërngatërruara korruptive zgjidheshin e lidheshin në opinion e në gjykata. Edhe 21 Janari në thelb kishte një akuzë për korrupsion. Që pavarësisht të gjithave – dhunë, provokim, kurth, grackë apo… – mbaroi me jetë të humbura në një demonstratë të shekullit 21 në Evropë.

Sa të përgjigjen shkencat e komunikimit, njerëzit do t’i kujtojnë ndërtuesit siç i kanë përjetuar. Të cilët e kanë promovuar Ramën dhe ai i ka promovuar ata. Ai është arkitekti i Tiranës së kullave. Aty përfunduan dy kinematë e vjetra, „7 Nëntori“ dhe „Republika“. Aty përfundoi stadiumi me murin historik. Në vend të tij erdhi një stadium pa tender me një kullë që zë mijëra vende tifozësh. Sa herë të mos ketë biletë për një lojë, tifozët do ta mallkojnë atë kullë. Dhe ndërtuesin e saj. Aty po shkon Parku Rinia. Për levërdi të ndërtuesve i është qepur Teatrit Kombëtar si jeniçer. U shemb një lagje te Unaza ilegalisht. Është shkelur zona historike e Durrësit. Janë dhënë leje me shkrim e pa shkrim për ndërtime që dhjetëra njerëz i zunë brenda dhe mijëra të tjerë i lan jashtë…

Ka edhe një precedent: Trazirat e marsit të vitit 2004 në Kosovë. Kur u vranë njerëz dhe u shkatërruan prona. Në dy-tri ditë. Administrata e Kombeve të Bashkuara i identifikoi menjëherë mediat si frymëzuese të ngjarjeve. Sikur në rastet më sipër, barra e provës iu la të akuzuarit!

Në fakt, kush akuzon, duhet ta provojë atë vetë!