Bashkëshortët: Hysni dhe Liri Ekmekçiu nga Elbasani, pishtarë të parë në Gostivar (15)

 

I biri i tyre , tash 80- vjeçar , tregon se si prindërit e tij, shkuan në Gostivar me ditar: “Prindërit e mi Hysni dhe Liri Ekmekçiu, të dy arsimtarë, bashkë me mua, fëmijë i vogël një vjeç e gjysmë, iu përgjigjen thirrjes së Ministrisë dhe u caktuan në qytetin e Gostivarit. Që nga viti 1941 deri në qershor 1944 ata u vendosën në Gostivar dhe pjesërisht në Strugë dhe Tetovë”.

Nga Rexhep Rifati, me foto ekskluzive nga Ali Ekmekçiu

Kur iu rreka temës, që të shkruaja për mësuesit e dërguar nga Shqipëria në hapësirat shqiptare, pikësynim kishe, të ndriçoja sado pak disa nga mësuesit që erdhën në këto troje për të shpërnda xixat e dritës e dijes, por që e pësuan keq nga regjimet sllavo komuniste, përmes arrestimeve burgosjeve e në fund edhe dëbimeve. Por, praktika tregoj se duhet zgjeruar gamën e kësaj teme, aq më parë që kur këta ata pishtarë më nuk janë të gjallë, puna e tyre mund të plotësohet e zgjerohet përmes rrëfimit të fëmijëve apo nipave e mbesave të tyre, që kanë ruajt në kujtesë atë periudhë, duke qenë si fëmijë bashkë me prindër në at mision të madh sa arsimor aq edhe atdhetar, duke ruajt gjithashtu edhe foto ekskluzive që nuk janë botua deri më tash.

Përmes të birit të mësues Vezire dhe të intelektualit e atdhetarit, Adem Selim Gllavica, profesorit Bardhyl Adem Selimit, mësova edhe për një çift bashkëshortor që shkoi nga Elbasani në Gostivar, madje se Liri Ekmekçiu ishte mësuesja e parë në Gostivar, për çka edhe Rasim Gashi kishte botuar një libër të veçantë.

Historia e çiftit elbasanas në Gostivar!

Por kësaj radhe u përcaktova që në vetën e parë për prindërit e tij të na flas vet djali këtij qifti ish profesor e diplomat e që tash mbush të 80-tatë e që jeton në Itali, e ky është Ali Ekmekçiu, që në foto do ta shihni si fëmijë!

“Ishte viti 1941,  kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia, por i ishte dhënë e drejta të administronte trojet shqiptare, që deri në atë kohë administroheshin nga Jugosllavia. Ministria e Arsimit e qeverisë së atëhershme shqiptare vendosi të hapte shkolla e para shqipe në trojet shqiptare në Jugosllavi, të cilat iu ishin mohuar vazhdimisht. Iu bë thirrje arsimtarëve në Shqipëri, që të dilnin vullnetarë, për të ndihmuar në këtë drejtim.

Prindërit e mij Hysni dhe Liri Ekmekçiu, të dy arsimtarë, bashkë me mua. fëmijë i vogël një vjeç e gjysmë, iu përgjigjen thirrjes së Ministrisë dhe u caktuan në qytetin e Gostivarit. Që nga viti 1941 deri në qershor 1944 ata u vendosën në Gostivar dhe pjesërisht në Strugë dhe Tetovë.

Libri: “Mësuesja e parë në Gostivar”

Aktivitetin e tyre e pasqyron më së miri gjuhëtari, prof. Rasim Gashi nga Gostivari me librin e tij “Mësuesja e parë në Gostivar”, botuar po në Gostivar më 2011. Ai cilëson që Liri Ekmekçiu zuri vend në historinë e arsimit shqip në këtë qytet si “Mësuesja e parë e shkollës shqipe në Gostivar”, duke e krahasuar atë me motrat “Qiriazi” për nga rëndësia.

Ato jo vetëm hapën shkollat e para shqipe për fëmijët e vegjël, por organizuan edhe kurse verore kundër analfabetizmit me të rriturit në Gostivar, Tetovë dhe Strugë. Ata e kryen këtë detyrë me shumë pasion.

Liria, ndoqi dy shkolla të misionarëve të huaj në Shqipëri

Liria, që në moshën 13 vjeç, ndoqi dy shkolla të misionarëve të huaj në Shqipëri, italiane dhe amerikane .Në këto shkolla, përveç gjuhës italiane dhe angleze, ajo mësoi kulturën e këtyre vendeve, rregullin dhe këmbënguljen për t’ia dalë në krye një pune të filluar. Pastaj ajo filloi dhe përfundoi shkëlqyeshëm Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë” në Tiranë. Më vonë, në Shqipëri për punën e kujdesshme dhe kontributin që dha në arsim u dekorua me medaljen “Naim Frashëri të klasit të parë”.

Babai i angazhuar edhe ai me klasat e para në Gostivar dha një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër analfabetizmit me të rriturit atje. Edhe ai u dekorua me dekoratën më të lartë nga Kuvendi Popullor, për punën dhe kontributin në konsolidimin e shtetit shqiptar, më 1962;

Pas tri dekadash mësuesit e parë sërish në Gostivar!

Në vitin 1993 arsimtarët e Gostivarit ftuan të gjithë mësuesit shqiptarë të Shqipërisë për të vizituar ato vende ku kishin kryer aktivitetin mësimor duke organizuar një ekskursion turistik disa ditor dhe u çmallën me njeri tjetrin, mësues dhe ish nxënës të shkollës ” Naim Frashëri” në Gostivar dhe gjetkë,

Poshtë po përcjell edhe disa fotografi të asaj kohe, si dhe kopertinën e librit të prof. Rasim Gashi, me një fotografi të Liri Ekmekçiut, bashkë me djalin e saj, Aliun, në moshë 2 vjeç e gjysmë.  Në këtë fotografi është paraqitur Hysni Ekmekciu me nxënësit e klasës së parë të shkollës “Naim Frashëri”. Në fotografinë tjetër ka dalë i gjithë trupi mësimor i shkollës në Gostivar (viti 1942). me Liri dhe Hysni Ekmekçiun. Në qendër është Liria, ndërsa Hysniu i pari në krahun e djathtë.

Ju përshëndes,  Ali Ekmekçiu.

Ç ‘rrugëtim pati, Ali Ekmekçiu, që si fëmijë shkoi në Gostivar?!  

Përmes lidhjeve të siguruara me Bardhyl Adem Selimin, sot pata rastin të kem edhe një bisedë telefonike me të birin e këtij çifti bashkëshortor, Aliun që jeton në Itali, i cili në saje të këtij kontakti më dërgoj edhe disa fotografi, thuaja se ekskluzive që shohin dritë për të parën herë në këtë shkrim.

Me pak rreshta, Bardhyl Adem Gllavica për Ali Ekmekçiun  

Zoti Ali Ekmekçiu është fqinji im, me prejardhje nga Elbasani, ish profesor në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës. Pas vitit 1992 është dërguar sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Suedi. Me mbarimin e mandatit, është zhvendosur në Bergamo, Itali. Ka studiuar ca vjet në ish Gjermaninë Lindore, prandaj e zotëron mirë gjuhën gjermane. Prej kohësh ka hartuar një Fjalor të Madh shqip – gjermanisht me shpjegime. Është i martuar me zonjën Sevim, nga Shkodra, kimiste, bashkëmoshatare me mua. Njëri djalë punon në Stoskhom, vajza jeton në Itali. Të dy të martuar.”.

Ndërsa vet Aliu sot më shkruan edhe këtë:

“Tungjatjeta z. Rexhep! Jam munduar që të dërgoj disa fotografi që mund të ju
vlejnë. Disa sqarime. Hysniu ka mbaruar shkollën normale në Elbasan,
Liria shkollën “Nana Mbretëreshë” në Tiranë. Kanë lindur 5
fëmijë;(djem) dhe kanë 10 nipër e mbesa. Ja dhe një foto tjetër, unë me nënën time Liri Ekmekciu, në një lulishte të Gostivarit viti 1942.

Urime për iniciativën që keni marrë. Ju përshëndes-Ali Ekmekciu

Shënim plotësues, për mësuesit në Gostivar me rrethinë

Historiani nga Maqedonia, Qerim Lita, në një shkrim analitik në këtë temë rreth mësuesve që punuan në vitet e `40 në Maqedoninë Perëndimore, te pjesa e Gostivarit jep vendet dhe emrat e mësuesve që punuan në këtë qytet me rrethinë. “ Gostivar qyteti: Shkolla Nr. 1: Hamdi Gani – drejtor, mësues: Liri Ekmekçiu, Hysni Ekmekçiu, Osman Lufta, Ahmet Gjylaçi, Mit’hat Hoxha, Kov Bibaja dhe Alush Baltëza.
Rrethi i Gostivarit: Dobërdoll mësues Skender Haxhihyseni; Vrapçishtë – Xhafer Qatipi dhe Faik Qatipi; Debresh – Iefan Oruçi dhe Abaz Xhafa; Vërtok – Mit’hat Cami dhe Abedin Faja; Raven – Selman Qorri; Reçan – Gafur Rada dhe Hamdi Zabzuni; Banjicë e Poshtme – Gani Graceni; Banjicë e Epërme – Ahmet Pere; Llakavicë – Mihal Pjeshkazini; Forinë – Petri Serjani dhe Çegran – Kristaq Progri.