Qyteti Wil i kantonit St. Gallen si model për Zvicrën

Osman Osmani, 27 qershor 2020

Përveç koronës dhe protestave të rëndësishme “Black Lives Matters” në mbarë Zvicrën, kemi edhe një ndryshim tjetër, madje një lëvizje që po zhvillohet aktualisht në Wil të St. Gallen-it. Më konkretisht, bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, të cilat do të zhvillohen në 27 Shtator 2020 në tërë kantonin St.Gallen. Qyteti Wil, falë angazhimit shoqëror e politik të aktivistëve shqiptaro-zviceranë, po shëndërrohet në model të pjesëmarrjes aktive në jetën politke e shoqërore të Zvicrës.

Të enjten e 26 qershorit 2020 në mbrëmje, Partisë Socialdemokrate (PSd) Wil, nën udhëheqjen e politikanit të mirënjohur shqiptar Arber Bullakaj, nominoi kandidatët për zgjedhjet e parlamentit të qytetit. Nuk ishte një emërim i zakonshëm, por një veçanti në aspekte të ndryshme. Për herë të parë në histori, PSd Wil ka arritur të nominojë një listë të plotë me 40 burra dhe gra kandidatë. Deri më tani, 20 njerëz ishin dyfishtë në listë. Shumica e partive (psh. SVP/UDC) nuk e arrijnë as kufirin e 20 kandidatëve. Kjo tregon interesin e madh politik të treguar në Partinë Socialdemokrate. Një veçori tjetër ishte se 22 nga 40 personat janë gra dhe kështu ato përfaqësojnë një shumicë prej 55%. Pra, këtu lëvizja e grave merret seriozisht dhe edhe zbatohet.

Ajo që është edhe më e jashtëzakonshme është që një 40% mbresëlënëse e njerëzve në listë kanë një histori migracioni. Disa prej tyre madje erdhën në Zvicër si refugjatë pas luftërave në Ballkan.

“Qëllimi ynë ishte që nga kandidatët të kemi të paktën 50% gra në listë dhe 25% -35% të njerëzve me sfond ose prejardhje migracioni. Ne gjithashtu donim një shpërndarje të mirë të grupmoshave dhe profesioneve, si dhe të lagjve të qytetit. Ne i kemi tejkaluar qartë të gjitha qëllimet dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Ishte e rëndësishme për ne që në listën tonë të prezantojmë popullsinë e përgjithshme dhe ia kemi arritur që të kemi një listë e cila është reflektim i popullatës. Ne, në listën tonë, e vendosëm qytetin Wil në miniaturë!», prononcohet Arbër Bullakaj ekskluzivisht për portalin prointegra.ch.

Nga 40% e kandidatëve me prejardhje migracioni, 3 gra dhe 1 burrë janë shqiptaro-zviceanë. Ata përfaqësojnë 10% të listës, që është identike me pjesën e 10% të popullsisë së qytetit Wil. Meqenëse këta i përkasin besimit mysliman dhe katolik, ata disi përfaqësojnë tërë diasporën shqiptare në Zvicër dhe gjithashtu refuzojnë klishet dominuese e paragjykuese që tek ne shqiptarët vetëm burrat duan të kenë diçka për të thënë.

Ky është një hap i madh përpara që duhet të pranohet si i tillë.

Sikur të mos ishte vetëm ky fakt një përparim i mjaftueshëm, edhe kandidatja e vetme për këshillin shkollor nga PSd Wil, Albertina Palushi-Bullakaj ka prejardhje shqiptare. Kështu, si për mandate legjislative ashtu dhe ekzekutive të Wil-it, kandidojnë zviceran me origjinë shqiptare. Kjo situatë tregon qartë se diaspora shqiptare më në fund ia ka dalë të shënojë arritshmërinë në Zvicër. Në PSd Wil, ato nuk janë vetëm një pjesë pasive e Zvicrës së re, por gjithashtu portohen dhe promovohen si bartës vendimmarrës të rëndësishëm për të ardhmen. Jemi të ngazëllyer për të parë se si kjo pozitë e jashtëzakonshme nismëtare do të shpërfaqet në rezultatin e zgjedhjeve.