Gështenja – Poezi

Gështenja

Këtij njeriu që pjek gështenja
Fare pranë e jashtë rrethojave
Të oborrit të shkollës
Era ia merr nga duart letrën e alumintë
Si peshk vezullues
E përcjellë dorë mbas dore
Lozonjarisht siç ia nisin fëmijët një loje
Ky fëmijë vrapon
Erës ia merr letrën nga duart
Gështenjëpjekësit ia kthen
Pranon një gështenjë të pjekur e të ëmbël
I gëzuar nga shpërblimi që mori
Vocërraku buzëqesh
E hap dorën si lulja kur çel
Gështenjën si guaskë deti
Ma dhuron mua për ta ngrënë