Për sindikata në shërbim të anëtarëve dhe punëmarrësve në Kosovë

Punonjësit e Kosovës janë të shfrytëzuar rëndë. Edhe pse luajnë rol kyç në procesin e punës në sektorin privat dhe shtetërorë, ata trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Sidomos në sektorin privat. Këtu kanë dështuar edhe sindikatat, të cilat janë ende duke u përballur me një krizë serioze: zvogëlimi i numrit të anëtarëve, ankorim i varfër para së gjithash në sektorin privat, ankorim i varfët në regjione, fragmentim (copëtim) i sindikatave, varësia nga partitë politike në pushtet, përfshirje në procesin e privatizimit dhe shpronësimit të pasurisë shoqërore.

Shkelja e të drejtave të punëtorëve është prezent si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Moszbatimi i ligjit të punës; mosrespektimi i orarit 8 orësh, mungesa e kontratave të punës dhe e rrogës të garantuar minimale, mungesa e mbrojtjes ligjore në rast të sigurie, lëndimi apo rrezikimi të shëndetit në punë, mos-pagesa për orët shtesë të punës, mbrojtja e shëndetit dhe siguria në vendin e punës etj. Shto kësaj edhe mungesën e një sistemi të sigurisë elementare shoqërore në vend, pamundësinë që me pagën aktuale të përballojë harxhimet elementare jetësore, bënë edhe më rëndë situatën e punëmarrësve dhe shumicën e popullatës së aftë për punë në Kosovë, të cilët në mungesë të perspektivës jetësore preferojnë migrimin e parregullt.

Sindikatat: pjesë e zgjidhjes apo edhe e problemit

Po ndalem së pari te pjesa e problemit. Sindikatat kanë dështuar për të mbrojtur interesat e klasës punëtore në vend. Përveç disa protestave të organizuara në sektorin e Shëndetësisë dhe Arsim, ato nuk kanë pasur një plan afatgjatë dhe strategji përkatëse për të mbrojtur anëtarët e tyre dhe klasën punëtore nga pasojat e ekonomisë së pasluftës, procesin kaotik të privatizimit dhe mbrojtjen e pasurisë shoqërore, sidomos të fabrikave dhe ndërmarrjeve shoqërore. Sindikatat kanë dështuar edhe në krijimin e një raporti të forcave në favor të punëtorëve. Bile edhe vetë eksponent të sindikatave e pranojnë se kanë qenë pjesë e agjendës politike, qoftë për të mos rrezikuar procesin e pavarësisë, qoftë për ruajtjen e paqes sociale në favor të shtet formimit. Kjo është shfrytëzuar nga ndërmarrjet, strukturat shtetërore dhe investitorët e shumtë për të çrregulluar plotësisht tregun e punës dhe instalimin e një ekonomie të egër, e cila ishte e orientuar drejt profiteve maksimale për shtresën e pasur.

Sindikatat munden me qenë pjesë e zgjidhjes së problemit. Kjo është gjithmonë e mundur. Duhet një reformë gjithëpërfshirëse për t’u bë faktor vendimtar dhe shtytëse e interesave të punonjësve. Për këtë kërkohet dhe një vullnet i theksuar, sidomos në udhëheqjen Sindikale, që të lëvizin gjërat përpara. Ky do të ishte rasti ideal. Një udhëheqësi, e cila nisë vetvetiu procesin e reformimit. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë lypet një angazhim nga jashtë, sidomos nga anëtarësia e sindikatës, që të detyrohet aparati i paguar Sindikal të bëj reforma. Pa një reformë thelbësore, nuk do të mund të adresohen problemet e shumta të fuqisë punëtore në vend.

Do të ishte e nevojshme formulimi i një projekti reformues sindikal me qëllime të qarta: Tejkalimi i copëzimit sindikal, organizimi ndër-profesional dhe ndër-sektorial, ankorim nëpër regjione, organizimi i shkretëtirave sindikale, rritja e aftësisë mobilizuese, pavarësia politike nga pushtetarët, përforcimi i bashkëpunimit sindikalist në përgjithësi.

Pikënisje për jetësimin e këtij projekti të mundshëm do të ishte bashkëpunimi i sindikatave të veçanta përparimtare dhe të gatshme për reforma në bashkëpunim konkret, si dhe kooperimi me faktor tjerë nga jeta publike e politike. Nuk rekomandohet një reformë e tërësishme „nga lart“, kjo d.m.th. përmes çatisë së sindikatave të bashkuara, pasi që një gjë e tillë nuk funksionon, sikurse tregojnë shembujt e shumtë në Evropë.

Në një projekt të mundshëm për fuqizimin e sindikatave në Kosovë do të mund të kontribuonin edhe sindikalistët shqiptaro-zviceran bashkë me Sindikatat e Zvicrës dhe partnerët e tyre si SolidarSuisse e Solifonds si dhe përfshirjes të paraparë përkatës të diasporës së Kosovës në politikat e zhvillim-bashkëpunimit ndërshtetëror.

Kontributi i diasporës për botën e punës në Kosovë 

Këto përfundime të përgjithshme në formë rekomandimesh për një projekt ndër të tjera të janë rezultat nga tri takimet e punës që janë zhvilluar gjatë vitit 2012/2013 mes Hilmi Gashit, Hans Schäppi-t, Ruzhdi Ibrahimit, Osman Osmanit. Si të tilla këto rekomandime janë prezantuar me 15 qershor 2013 në Konferencën e mbajtur në Bernë të Zvicrës: „Gjendja sociale në Kosovë: analizë, sfidat dhe propozimet për tejkalim të gjendjes së rëndë“.

Ndërsa në konferencën “Kosova në Lëvizje” e organizuar me 18 qershor 2021 nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës morën pjesë rreth 60 pjesëmarrës nga Zvicra, Kosova dhe vende tjera të Ballkanit perëndimor. Aty u diskutua se çfarë kontributi mund të jap diaspora për zhvillimin demokratik dhe të qëndrueshëm të Kosovës dhe u aprovua unanimisht një rezolutë, ku në lidhje me ketë çështje adresohet kërkesa dhe pritshmëria vijuese: “Ne presim nga të gjithë aktorët politik e shoqëror që përmes mbështetjes dhe përfshirjes së diasporës të kontribuojnë për ndërtimin e sindikatave të pavarura dhe të fuqishme. Vetëm me sindikata të forta dhe shoqata të punëdhënësve të afta për të negociuar, partnerët socialë mund të negociojnë dhe zbatojnë zgjidhje të qëndrueshme e të përgjithshme (kontrata kolektive të punës, marrëveshjet kolektive). Këto krijojnë bazamentin për paga të mira dhe të drejta dhe kushte të mira dhe të sigurta të punës si dhe zhvillimin e një sistemi të fortë të aftësimit profesional. Pos tjerash ne presim që qeveria e Kosovës të futë pagën minimale, premtim ky i saj në fushatën zgjedhore.

Përgatiti dhe përshtati: Osman Osmani, 21.03.2022