Më duket se Rexhep Qosjen e kam takuar dy herë. Të parën nga shumë afër, por s’jam i sigurtë nëse ishte ai. Të dytën ishte vërtet ai, po nga largësisa e madhe pothuajse nuk njihej.
“Shih, Rexhep Qosja!”, tregoi A. nga një burrë që po bënte xhiro në sipërfaqen e xhamtë të patinazhit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ishte fundi i viteve 80-të. Unë po i kaloja pushimet e dimrit të klasës së katërt fillore te vajza e axhës, studente e Pedagogjisë në Prishtinë.
Nuk e di në kisha dëgjuar ndonjëherë më parë për Rexhep Qosjen, po atë mbrëmje dëgjova shumë. Nuk ishim të sigurt nëse burri që e pamë me admirim në patinazh ishte vërtet Rexhep Qosja. Nuk folëm me të. Ai i shëmbëllente aq shumë imazhit në faqen 2, a 4 të botimit të asaj kohe të romanit që kishte bërë kaq shumë bujë, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”: ballë i madh, syze të mëdha, mjekër e dendur e zezë, sako dhe këmishë me kravatë të shtrënguar mirë…
Në fillim të viteve 90-të në Basel ishim të sigurt: Rexhep Qosja do t’u fliste mërgimtarëve në një takim të hapur për shqiptarët në kohën e pluralizmit. Në këtë kohë ai nuk ishte më një emër vetëm në qarqet kulturore shqiptare, ai kishte spikatur me publicistikën e tij në mediet shqiptare dhe ato të ish-Jugosllavisë, e njihte i madh e i vogël. Interesimi për ta dëgjuar dhe për të bashkëbiseduar me të në Basel ishte aq i madh, sa atë ditë nuk gjindej vendparkim në qytet. Në sallën e madhe dhe të stërmbushur Rexhep Qosjen mund ta shihje veç me dylbi!
Rexhep Qosjen e kam njohur vërtet nga vepra e tij. Kam lexuar krejt çka më ka rënë në dorë nga ai. Librat e tij i kam kërkuar ku janë e ku s’janë. Për vete dhe për miq. I kam blerë nën dorë e mbi dorë. Me lekë e pa lek. E kam shkëmbyer një libër të tij me dy-tri libra të tjera. Dhe e kam lexuar me kënaqësi. Leximi i krijimtarisë së Rexhep Qosjes është një përjetim i këndshëm. Fjalitë e tij janë të “rrasta”, të gjata, të sakta, elegante. Tekstet e tij janë të mbarsuara me kulturë, dije, mendim, emocion, imagjinatë… Shqipja e tij është e kulluar.
Këndi i fushave letrare të cilat i ka lëvruar Rexhep Qosja është i gjerë. Ai u bë i merituar edhe me vëllimin e madh të krijimtarisë në këto fusha: kritikë letrare, histori letërsie, histori politike, eseistikë, roman, dramë, ditar, polemikë, publicistikë politike… Specialistët thonë se ai i ka qëmtuar dhe trajtuar me kompetencë tema të paprekura të letërsisë shqiptare para tij. Ose ka shqyrtuar tema të njohura me metodologji të re dhe i ka vështruar ato nga kënde të tjara, duke i pasuruar në mënyrë domëthënëse studimet albanologjike.
Rexhep Qosjes nuk i ka shpëtuar pa prekur ndonjë temë e rëndësishme e historisë kulturore shqiptare dhe e kohës që ai e ka jetuar intelektualisht. Më del se veprën shkencore dhe intelektuale të Rexhep Qosjes e përshkojnë dy çështje kryesore. E para: letërsia shqiptare është një dhe e pandarë, pavarësisht se në cilën trevë ajo krijohet. E dyta: bashkimi kombëtar është zgjidhja më e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes shqiptare në Ballkan.
Edhe një gjë nuk është zor ta dallosh në ligjërimin e tij: Rexhep Qosja ideologjikisht qëndron majtas. Sikurse edhe shumë emra të dëgjuar historik dhe të kohës, shqiptarë dhe botëror. Sikurse edhe vogëlsia e autorit të këtyre rreshtave. Po shenjtëri mbi të gjitha sheqnjtëritë për Rexhep Qosjen – e përmend, e përsërit dhe e nënvizon vazhdimisht ai – janë e drejta dhe e vërteta. Këto dy vlera e kanë frymëzuar atë për studime, krijime, ligjërime dhe për t’i mësyrë çdo sherri me këdo.
Në opinionin publik shqiptar, më tepër se vepra e tij letrare dhe historike, të njohur, të admiruar dhe të mohuar, e ka bërë sherri i tij publicistik. Grindja me intelektualët serbë, e përmbledhur kryesisht në librin “Populli i ndaluar” i ka sjellë vetëm pëlqim. Te një pjesë e opinionit publik shqiptar imazhi i tij ka filluar të gërvishtet nga sherri me një pjesë të parisë kulturore të Kosovës. Kjo zënie zë fill me librin “Morfologjia e një fushate”.
Me këtë segment të parisë kulturore të Kosovës, Rexhep Qosja kundërshtitë e tij do t’i vazhdojë deri në fund. Ai e merr në dorë politikën e Kosovës, Rexhep Qosja kalon në kritik politik. Dhe shoqëror. Ligjërimi i tij vijon i pakursyer dhe i papërmbajtur, po jo i pambështetur dhe krejt i paarsyeshëm. Çka e turbullon këtë ligjërim, është natyra patologjike që merr ai nganjëherë. Ky zell për sherr i solli atij mosdurim te një pjesë e opinionit, kurse te tjetra rritjen e namit të tij intelektual dhe moral.
Rexhep Qosja e përkryen zejen e sherrit publicistik në kurriz të krijimtarisë shkencore, historike dhe letrare. Ndonëse viteve të fundit ai ishte shumë produktiv në gjininë e romanit. Rexhep Qosja i denoncon të gjitha trajtat e korrupsionit, nga më të trashat te ato më subtilet. Sherri bëhet një thirrje e tij intelektuale. Rexhep Qosja e ndien veten të detyruar t’i kundërshtojë menjëherë dhe fort gjithçkaje që bie ndesh me kuptimin e tij për të vërtetën dhe të drejtën. Dhe duket sikur ky sherr i shijon.
Në fillim të viteve 90-të Rexhep Qosja iu sul botërisht presidentit Sali Berisha, në kulmin e popullaritetit të tij, për pohimet dhe nënshkrimet e tij me vend e pa vend. Kryesisht për paranimin e parimit të mosndryshimit të kufijve. Ai nuk i është ndarë goditjes së Sali Berishës kurdo që ka rënë fjala për të. Në fund ai u përfshi në një sherr me Ismail Kadarenë, duke e rrëzuar atë nga froni si shkrimtar i madh, për të cilin më parë ka përdorur cilësorët më sipërorë. Ky kuvendim i inatosur publik mes të dyve i ka vënë vërtet ca gjëra në vend, por nuk la shijen më të mirë në opinion.
Rexhep Qosja nuk është i çliruar nga dobësia e përdorimit të kuteve të dyfishta kundrejt njerëzve dhe ngjarjeve. Ai i ka kursyer ata, të cilët atij i kanë përkëdhelur sedrën, madje u ka shërbyer atyre, duke e sfiduar hapur opinionin publik. Parimin e mosndryshimit të kufijve e kanë pohuar edhe kundërshtarët e Sali Berishës, po ndaj tyre e mbajti dorën. Ai u shërbye me lavdërimet më të sheqerosura për dishepujt e tij, të cilat i fshikullon në librin e tij eseistik “Tri mënyra të shkrimit shqip”.
Pena e Rexhep Qosjes u bë ujvarë mjalti për Kryeministrin e fundit të Shqipërisë, tek i cili hedhin valle veset më të shëmtuara të të gjithë politikanëve shqiptarë marrë bashkë. Më tepër se shterje e energjive për arsye të moshës, Rexhep Qosja këtu e braktisi interesin publik; ai dështoi ta ndiqte parimin e së vërtetës dhe së drejtës, duke bërë shurdhin dhe të verbrin për kanabisimin e vendit, kriminalizimin e politikës, manipulimin e zgjedhjeve, korrupsionin e përmasave planetare, pazaret me burimet e Shqipërisë, vëllazërinë me Serbinë në kurriz të Kosovës…
Në fund, Rexhep Qosja i zuri në befasi të gjithë me amanetin për mënyrën e varrosjes së tij. Ai i zhgënjeu me këtë si kundërshtarët e tij, që e akuzonin për kult individi, ashtu dhe ithtarët e tij të verbër, të cilët humbën një rast për t’u dëshmuar. Por, Rexhep Qosja mund t’i kishte përgaditur ndonjë befasi opinionit edhe pas vdekjes. Në ditarin e tij “Dëshmitar në kohë historike” ai rrëfen për ca tekste të hershme të pabotuara, por edhe për ca shënime të vona, të cilat i ka lënë trashëgimi…





















