„Pa popullin asnjë s’ka gjë në dorë“

Ngjarje të ditëve e viteve të fundit në Zvicër. Ato t’i kujtojnë ca vaki të ditëve e viteve të fundit në viset e shqiptarëve. Imazhe me ngjyra kundruall atyre bardh e zi. Më pak bardh e më shumë zi!

Nëse doni, ato mund t’i shihni nga këndi i teorisë së transformimit të vlerave, e cila vë re një braktisje të vlerave materialiste, si ambicja për standard jetësor, siguria ekonomike etj. dhe dedikim atyre postmaterialiste, si liria, barazia, ambienti. Postmaterialistët, për më tepër, i karakterizon mosbesimi te aktorët politikë dhe besimi te angazhimi i vet dhe demokracia.

1.

Cyrihu nuk po gjen paqë me stadiumin e tij. Tri herë deri më tani është votuar për të. Më 2003 u miratua një projekt privat, por nuk u bë. Dhjetë vjet më pas u refuzua një projekt publik. Vitin e kaluar, pas shumë debatesh, me rreth 54 për qind të qytetarëve, u miratua një projekt i dytë privat. Votimi e autorizon kryesisht një bankë që ta ndërtojë një statdium të ri me 18’000 vende në këmbim të ngritjes aty pranë të dy kullave prej 137 metrave me 500 e kusur banesa dhe zyra!

Si gjithandej ku e djathta është e djathtë dhe e majta e majtë: Ishin socialdemokratët që e refuzonin projektin privat të stadiumit me kulla. Pas humbjes së bastit, ata iu bindën vullnetit të shumicës. Por, të humburit e kanë ende shijen e hidhur të dështimit. Nga perspektiva e regjimit të ri të zero emetimit të CO2-shit në qytet, është përmendur një komunitet ambientalistësh dhe kërkojnë revidimin e projektit të stadiumit me kulla. Tani ata kërcënojnë me referendum të ri. Për këtë duhen sigururar 2’000 nënshkrime brenda gjashtë muajve, për çka thuhet se ata i kanë njerëzit e duhur, sepse edhe kjo do një marifet.

Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të specifikave të tyre, janë të vetmet vende të zhvilluara demokratike me pjesëmarrje të ulët në zgjedhje. Këtu dalja në votime i mbërrin a s’i mbërrin 50 për qind. Por Zvicra është vendi ku votohet më së shpeshti. Në nivel konfederate, kantoni dhe komune. Para pak vitesh tre gazetarë u intriguan ta hulumtojnë sekretin e pushtetit në Zvicër. Në librin e tyre „Kush e qeveris Zvicrën?“ ata përfundojnë se punët e vendit i caktojnë aktorë të panjohur në sfond. Por se „pa popullin asnjë s’ka gjë në dorë.“

2.

Vetëm pak kilometra më tutje, vitin e kaluar një komunitet ambientalistësh mblodhi 4’700 nënshkrime kundër prerjes së një peme. Një ahu. Ah i kuq! “Ah gjaku”, e quajnë nganjëherë. Kurora e saj i pengonte funksionimit të një stacioni të ri tramvajësh. Një debat i madh u ndez. Politik, filozofik dhe shkencor. Pas pleqërimit të çështjes, Komuna doli me kumtin: „Pemët përbëjnë një simbol të së kaluarës. Ahu 80-vjeçar nuk do të pritet”.

U këqyr shëndeti i pemës dhe filloi kujdesi i shtuar për orën e madhe. Por iu deshën shumë orë një firme të specializuar në shkulje-mbjellje pemësh për ta zhvendosur atë 150 metra më tutje. Ahu ishte 20 metra i gjatë dhe 100 ton i rëndë. 60-70 ton peshonin vetëm rrënjët të shtrira 7 me 7 metra dhe 80 centimetra të thella! Dy duzina punëtorësh me makineri tërëndë djersitnin në sytë e 40 mediave dhe qytetarëve të shumtë, që me celularë e dokumentonin aksionin më të madh të zhvendosjes së një peme në Zvicër. 160’000 franga kushtoi ai: 40’000 i ofruan Komuna me ndërmarrjen hekurudhore, 80’000 firma e zhvendosjes vetë, kurse të tjerat u sponsorizuan nga ithtarë të kauzës.

Ahu i kuq në truallin e ri u pozicionua në të njëjtin drejtim qiellor siç kishte qenë. Atij i premtoheshin edhe 80 vite të tjera jetë. Por trualli i mërgimit nuk i ngjiti. Kujdesin e pemës e mori përsipër Komuna dhe zhvillimin e saj e shihte me sy të lirë. Kur u përfshinë specialistët, ishte vonë. Dëmi, sipas Komunës, ishte përfundimtar. Ajo një ditë komunikoi me keqardhje se pema duhej prerë. Dhe para ca ditësh e preu atë pa bujë. Tani në vend të gazetarëve kishte policë, në vend të qytetarëve me celularë – kalimtarë në lot. Këtë herë pemën e tretur dhe me degë të thara firma e kishte shpërbërë me lehtësinë më të madhe.

Ambientalistët aksionin e prerjes së ahut të gjakut, e quajtën ditë të „territ dhe mjegullës“. Ata gjetën ekspertizë dhe mjete të tjera për ripërtëritjen e pemës dhe u ndjenë të prerë në besë me prerjen e saj të padefinuar.

Gjithçka për shkak të tramvajit!

3.

Më 2016 në Zvicër 54 për qind e qytetarëve rrugën për në punë e bënin me autobus, tramvaj, apo me tren. Ndërkohë që mesatarja evropiane ishte 34 për qind. Për më tepër, ka gjetur hulumtimi, shfrytëzuesit e trafikut urban arrijnë më të relaksuar në punë. Akoma më tepër: 94 për qind e zviceranëve janë të përpiktë në vendin e punës me trafikun publik. Përkundër mesatares evropiane prej 75 për qind.

Referuar 2017-tës, për herë të parë pas dhjetë vitesh, në Zvicër shënohet një rënie e shfrytëzimit të autobusëve dhe tramvajeve kundrejt një viti më parë. Edhe atë për 0,335 për qind. Ndërkohë që ishte rritur qarkullimi me tren. Kështu trafiku publik në total rezulton megjithatë më i frekuentuar se automjetet private.

Këto shënime sugjerojnë patjetër një vetëdije ekologjike të qytetarëve. Përgjegjshmëri shoqërore. Nuk mund të jetë se zviceranët nuk kanë vetura. Apo s’kanë të blejnë makina. Ai që nuk proteston me faktin se trafiku publik në Zvicër është shumë i përparuar, nuk e ka ndjekur ligjërimin. Por, ka edhe një: Më së shumti në Zvicër është rritur shfrytëzimi i trafikut të ngadaltë. Para një a dy vitesh zviceranët kanë kaluar 8 miliardë kilometra me bicikleta!

Më 2018 mund të kishte ndonjë lëvizje për 0,335 për qind më shumë, ose më pak! 2019-tën do ta dimë vitin e ardhshëm.