Nderim gjeniut Aleksandër Moisiu, sot në 86-vjetorin e vdekjes

 Do rikujtuar se aktori Aleksandër Moisiu, vdiq më 22 mars të vitit 1935 në një spital të Vjenës, kur lajmi për vdekjen e tij tronditë jo vetëm familjen e miqtë, por të gjithë opinionin dhe publikun artdashës botëror. Ndërkaq, në emër të miqve nga ai, me rastin e varrimit një fjalim mortor e pat mbajtur shkrimtari i shquar gjerman, Stefan  Zweig..- Kësaj here disa foto të shkrepura në Marcote afër Luganës, në 80 vjetorin e kalimit në amshim meqë rast realizuam homazhe të varri, si dhe ca foto nga Shtëpia – muze e Moisiut në Durrës si dhe shtatoren e Moisiut në një park të Vjenës

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pikërisht më 22 mars 2015, në 80-vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar të përmasave botërore, Aleksandër Moisiut isha për homazhe në Lugano ku edhe ndodhet shtëpia dhe varri i Aleksandër Moisiut. Me atë rast bëmë homazhe duke vendos lule e kurore në vendin ku pushojnë eshtrat e aktorit tonë. Për të arrit deri tek varri i aktorit tonë në Marcote u desh të ngjitemi në lartësi prej mbi 500 e sa shkallëve, prej nga poshtë  mbetej liqeni i rrethuar me një relief tërheqës. Pos grupit tonë, që kishim udhëtuar nga Cyrihu, aty për homazhe diçka pas mesdite kishte mbërri edhe një grup i organizuar nga qyteti Parma e Italisë. Jubile i vdekjes së Aleksander Mosiut, u shënua kryesisht me një lloj pelegrinazhi meqë rast vizitorët edhe njëherë kujtuan aktorin e madh shqiptarë.

Lule edhe në emër të hero Agimit

Për një vizitë të tillë nga Cyrihu kishte udhëtuar edhe zonja Shukrije Ramadani, drejtuese e Qendrës kulturore të Kosovës në Kosovë me të motrën e saj, mësuesen e mësimit plotësues, Alije Mujaj. Ajo me veti kishte sjell edhe një buqët trëndafila, meqë rast për secilin trëndafil shqiptoi me zë emrin e njërit nga anëtarët e familjes së saj, duke filluar nga burri i saj hero Agim Ramadani dhe deri tek nipi i vogël, Agimi që ka trashëguar emrin e gjyshit.

Në mënyrë të organizuar në homazhe merrte pjesë shkolla shqipe e mësimit plotësues «Scanderbeg» nga Parma e Italisë (shkollë kjo e themeluar në Tetor të vitit 2009) e përberë nga nxënës, prind dhe anëtarë të shoqatës me të njëjtin emër. Ata kishin udhëtuar në mënyrë të organizuar me autobus, duke vu edhe një kurorë në vendin ku prehen eshtrat e  Moisiut.

Pas përfundimit të vizitës, një pritje na e organizoi kryetari i Shoqatës «Aleksander Moisiu»  me seli në Lugano, piktori, shkrimtari dhe ish- i burgosuri politik Sylë Mujaj.

Me këtë rast Sylë Mujaj, i cili përkundër dëshirës për shkaqe shëndetësore nuk mundi të ngjitet deri në Markote, për shkak lartësisë së madhe, na njoftoi për përpjekjet që po bënë shoqata tij për kthimin dhe shndërrimin e shtëpisë së Moisiut në një muze, ku do të ekspozoheshin të gjitha materialet që lidhen me jetën dhe veprën e aktorit.

Shtëpia e Moisiut nën dry!

Edhe gjatë kësaj vizite, mësuam se shtëpia e Aleksander Moisiut vazhdon të qëndron e mbyllur dhe e mbyllur nga jashtë edhe me një dry. Mesa duket rreth saj vazhdon edhe një kontest gjyqësor.   Vet, veprimtari, Sylë Mujaj, tregon më tej se si në vitet 91 me një grup shokësh te rinj shkuam për herë te parë në varrezat e Morcotes:

-Ngjitja ishte e vështirë, por panorama e bukur na beri të bëheshim me krahë e sforcim të ndjenjës kombëtare, që kishim nderin të ishim ndër shqiptarët e paket në ato vite që te përkuleshim me nderim përpara këtij gjeniu te teatrit botëror. Aq më tepër që gjendeshim përpara një monumenti të një bashkëkombësi qe e ngriti shumë lart emrin e shqiptarit. Kjo ditë do mbetet e paharruar. Dhe koha qe ne jemi këtu sot e vërteton me se miri këtë kujtesë tonë. Më mban shpresa, se kjo ndjenjë dhe ky adhurim nuk do të shuhet dhe do të vazhdojë ndër breza.- nënvizoj Mujaj për të shtuar se: – Do te flas thjeshtë me fjalë zemre rreth aktiviteteve te një grupi shqiptaresh nga Kosova, të cilët të përzënë e te burgosur nga regjimi i urryer serb u vendosen ne këtë vend të Zvicrës në Kantonin e Ticinos për të punuar e jetuar përkohësisht. Ne fillim e kishim te vështirë të ambientoheshim, por ditët muajt rrodhen dhe ne si emigrante u lidhem me njeri tjetrin deri sa arritëm te organizohemi ne shoqata për te punuar për vete edhe prej këndej për Kosovën tonë të shtrenjtë.

Vdekje që tronditi publikun artdashës

Përndryshe, do rikujtuar se aktori Aleksandër Moisiu, vdiq më 22 mars të vitit 1935 në një spital të Vjenës. Lajmi i vdekjes së tij, siç merret vesh nga shtypi i kohës pat tronditë jo vetëm familjen e miqtë, por të gjithë opinionin dhe publikun artdashës botëror. Ndërkaq, në emër të miqve nga ai, me rastin e varrimit një fjalim mortor e pat mbajtur shkrimtari i shquar gjerman, Stefan  Zweig.

Ndaj edhe tash, pas 80 vitesh nga ndarja, Moisiu edhe njëherë u kujtua gjeniu ynë i skenës teatrore, duke u nderuar me pietet nga vizitorët e pakt në varrezat Marcotos. E rëndësishme është se ai nuk është harruar plotësisht, ndërkaq që incizimet e interpretimeve të tij edhe më tej ruhen nëpër arkiva e teatro si model i pashembullt interpretimi. ( Dy nga fotot na i ka realizuar shkolla shqipe «Scanderbeg» nga Parma e Italisë.)

Edhe gjatë shtegtimeve të mija në Durrës kam vizituar edhe Shtëpinë muze ku janë të vendosura ca statuje bronzi të Aleksandër Mosiut, të ngritura nga skulptorë botërorë, por edhe materiale të tjera që ruhen aty.