Muzeu i Vakaricës në Kalabri me koleksion të rrallë kostumesh arbëreshe

 

 Kësaj radhe portali ynë prointegra do tu prezantojë Muzeun e veshjeve dhe të arteve në qytezën arbëreshe, Vakaricë ( It.Vaccarizzo Albanese) në provincën e Kozencës në Kalabri. – Në këtë muze që e vizitova me disa mërgimtarë nga Zvicra, pashë se si me kujdes të veçantë në një nga pallatet më të vjetra të qytetit janë ekspozua kostume arbëreshe nga Jugu i Italisë por edhe nga vet Shqipëria.  

Teksti e fotot. Rexhep Rifati

Vakaricin, që sipas të dhënave u themelua rreth vitit 1470, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, pas pushtimit osman,  e vizitova me 3 Mars 2019, meqë rast  në sheshin “Skandarbek” u pritëm nga një grup vendasish e më pastaj vizituam edhe këtë muze të pasur.  Në këtë muze, të vendosur në njërin nga pallatet më të mëdha e më të vjetra të qytetit të stolisur me flamurin shqiptar, italian e të bashkimit evropian, mund të gjesh veshje origjinale nga lokalitete te ndryshme arbëreshe por edhe nga Shkodra, Vlora e të tjera e së fundit edhe një kostum lab dhe një zadrimor.

Po aty hasëm edhe në foto të hershme që tregojnë zhvillimet e jetës arbëreshe në këtë anë, sidomos atë kulturore kur prej vitesh Vakarici kishte edhe një bandë të vetën muzikore. Ndërkohë këtu u zhvillua edhe  Ekspozita XXXII e Kostumit Arbëresh në ambientet e Muzeut të Vakaricës, i njohur për koleksionin më të pasur të atyre kostumeve.

Për ruajtjen e traditës së kostumeve arbëreshe në Vakarici, flet edhe vet fakti së këtu, çdo vit në Prill, zhvillohet Festivali Kombëtar i Kostumit Arbëresh. Kjo ngjarje lindi në 1982 me urdhër të papas Giuseppe Faraco dhe administratës komunale të kohës. Festivali është një mundësi për të promovuar dhe forcuar trashëgiminë kulturore arbëreshe. Në ditët e ngjarjes ju mund të merrni pjesë në konferenca, ekspozita dhe sfilata të kostumeve tradicionale nga shumë komunitete arbëreshe. Për më tepër, në mbrëmje, vallëzimi dhe këndimi tradicional nga grupet e pranishme dhe shijimi i pjatave dhe ëmbëlsirave tipike.

Më gjerësisht një shkrim nga vet muzeu në gjuhën arbëreshe, ku flitet edhe për llojet e veshjeve dhe kujt i dedikohen ato:

Muzeu i Veshjes dhe i Arëvet Arbëreshë

Tek Pëllasi i Kumënit, më i vjetëri i katundit, sot ka seli, Muzeu i Veshjes dhe i Arëvet Arbëreshë e përgatitur ka Administrata e Bashkisë së Vakaricit dhe ka Papàs Giuseppe Faraco te viti 1984. Pëllasi mbledh, sot, në sallat e gjera dhe e ndrequra, ekspozitën e përhershme e kostumit nuseje, e kostumit të dytë dhe e kostumit për nga dita e dica Bashkësive Arbëreshe. Bashkë me kostumin e Vakaricit mund admirohen, në fakt, kostumet e Farnetës, e Shën Benedhitit, e Frasnitës, e Shën Mitrit, e Shën Sofisë, e Spixanës, e Horës së Arbëreshëvet dhe e Shkodrës.

Kostumi ynë, i vluar me zili, përfaqëson edhe sot një simbol të identitetit dhe të përkatësisë etnike. Transformimi i kostumit është i lidhur me zhvillimin e kohës për lidhjet çë kaluan ndë mes të kulturës sonë dhe të kulturës zyrtare, megjithatë, kostumi arbëresh, çë ndryshon për forma dhe për ngjyra, mbajti nomenklaturën origjinale e vendevet të ardhjes shqiptare dhe strukturën e pangarë e dicave elementeve: kezë, vel – tuvalë, linjë me mbërrlletë, cohë, panderë.

Petku i përdorur për këto kostume ish, lesht për të nëmurat, pumbakun, liun dhe mëndafshin për të bëgetët, petk shumë herë të prodhuar me argalinë mbë shpi, kështu si kostumet çë ishin të qepura me ata. Te shekulli XVIII gjendjet ekonomike dhe shoqërore e ndryshme i dhanë Arbëreshëvet mundësinë sa të bin e qepëjin kostumet ka mjeshtrat e katundit. Këta i vlerësuan dhe ndërruan cilësinë, punimin dhe shumicën e qëndimavet tue përdoruar petk më të vlershëm, të laminuar me ar, vulltin, etj. çë vinej ka Napuli, qendër e përhapjes kulturore për katundet arbëreshe si për gjithë Jugun e Italisë.

Stolitë

Gratë arbëreshe mbjidhjin lesht tek kucjeti me dy këshetë të ngatërryer me jetulla të barda – llecet, dhe prana të bashkuara me këshetët anësor më të vikërr – miçet, e lidhur me një jetull të zezë, ata kështu bëjin një tup çë mbulojin me kezën.Ditën e martesës nusja veshej me Stolitë. Linja këmishë, liu ose pumbaku të bardhë e zbukuruar me një mbërrlletë të bërë tek gërsheu ose tulli, ish e mbullitur ka petila me qëndisje. Mbi linjës, nusja vënej xhipunin llastri – e laminuar me ar në ngjyrën e cohës, ngjyrënenë. Xhipuni llastri kish edhe, dorëzat, anat dhe krahët e zbukuruar me galune ari. Shumë të bukura ishin sutana razi dhe coha llastri me qika të ndëndura të bëra me avullin. E para ish razi të kuq të laminuar me ar dhe me galune ari, e dyta e vënë mbalë kësaj ish mëndafshi, zakonisht ngjyrëtrëndafil, edhe këtë të laminuar me ar dhe me galune ari. Nusja sa të burtonej sutanën razi ngrënej cohën llastri përpara dhe e mbërthenej praptë. Tundu tundu mesit lidhnej, një brez, pandera e dekoruar me fij ari ose argjendi me mbylljen drejtkëndore e vënë mbi barkun dhe e qëndisur me zbukurime si kezën mbulesa-tupi. Këto elemente ishin të dyja shenjë se gruaja ish e martuar.

Pjotësojin Stolitë: pani razi ngjyrënenë me galune ari i sjellë mbi krahët, tuvala treni ose ari dhe tuvala tulli të kuq çë mbulonej kryen dhe faqen e nuses, kollocjetët pumbaku të bardhë të bërë me hekurëzit dhe këpucët e bëra me petkun e cohës llastri.

 

Stolitë ishin, në fund, e zbukuruara me arët: serpa ari të kuq me një varëse si çufë dhe një bërrllok të dekoruar me smalte të ngjyruara, tek gjishti i unazës së dhjathtë unazën e besës, tek mbërrlleta e linjës spingullën, tek veshët rriqint me një thekë të gjatë dhe me dekorimin e serpës dhe e spingullës.

Kostumi i dytë

Kostumi i dytë, çë nusja vënej sa të venej mbë qishë të dielën pas martesës, për vizitat mirësjelljeje ose tek festat, ish i përbërë ka linja, liu ose pumbaku të bardhë, e zbukuruar me mbërrlletën, ka sutana razi me qika të ndëndura ngjyrënenë dhe e dekoruar, tek ana e poshtme, me galune ari të gjera, ka sutana kapsholle ose sutana me pedhan e zbukuruar, tek ana e poshtme, me një rrip razi të gjelbër. Xhipuni kastori, i bërë me shqënd të zi ose vulltini, ish i zbukuruar tek krahët dhe tek dorëzat me galune ari, mëngat kishin qëndisje lulesh të bëra me penj mendafshi ari. Pjotësojin kostumin e dytë vandezini mendafshi të kaltër me qëndisje ari, skamandili mendafshi të verdhë ose ngjyrëportokall dhe facëlletuni kashëmiri i dekoruar me thekë.

Kostumi për nga dita

Edhe sot tek katundi ynë shihet ndonjë pjakë me kostumin për nga dita, një kostum çë duket i thjeshtë për formën dhe për petkun, por nëng është i lehtë as t’e veshësh as t’e sillësh. Linja është e veshur nën llanetën, një jelek pumbaku me ngjyra të ndryshme çë mban gjirin. Dekolteja e thellë e linjës është e mbullitur me petilën, gratë kështu mbulojin gjirin dhe mund tundshin më mirë kur shërbejin tek dherat. Xhipuni zuavë është razi, leshi ose vulltini të zi dhe i qëndisur me penj mendafshi të zi. Sutana me riç ose sutana pupagjeli pumbaku të kuq, ka fundin e zbukuruar me një riç. Gratë mbulonjën kryen me një skamandil pumbaku ose leshi të lidhur tek kucjeti, kurse prëhrin me një vandezin pumbaku.

 Veshja ndër të zeza

Bjerrja e një të afërm ish shumë e ndier ndë katund. Në veçanti, gratë çë birjin të shoqin, ditën e varrimit, veshjin stolitë por mbulojin cohën me një vandizin të zi dhe lesht e zgjidhur me një skamandil edhe këtë të zi. Të tjerat ditë, dhe njëherë për gjithë jetën, gruaja veshej e tërë ndër të zeza për shenjë zije, vet linja ish e bardhë por pa mbërlletë. Pjotësojin veshjen edhe facëlletuni, skamandili, kollocjetët dhe këpucët të zez.