Falje-dhënia pa kërkim-falje…

Falje-dhënia pa kërkim-falje aq sa paraqet zëmërgjërsi, po aq paraqet edhe vetëneglizhim

Shkruan Xhevat Hasani, 30 gusht 2024

Mendoj se emisioni „Debat plus“ i quajtur „Tradhti Vëllezërish – Shqiptarët dhe UDB-ja“, që po jepet nga TV-Dukagjini është i një rëndësie të veçantë. Kjo sepse ai nëpërmjet të intërvistimit të ish-të burgosurve politik, po ia rikujton shumkujt se sa e kushtueshme ka qenë lira që kemi sot, e cilia për fat të keq është keqpërdorur e po keqpërdoret nga shumëkush.

Është e çuditshme se si një pjesë ish-të burgosurve politik, të intërvistuar nga moderatori i emisionit „Debat plus“, Ermal Panduri, janë shprehur se ata UDB-ashëve shqiptarë, ua kanë falur vuajtjet dhe tortuat që ata ua kanë shkaktuar atyre, edhe pse UDB-ashët shqiptarë që nga viti 1999 e këtej, qoftë edhe njëherë të vetme nuk iu kanë kërkur falje viktimave të tyre.

Për mendimin tim kjo falje-dhënie e ish-të burgosurve poltik pa kërkim-falje, aq sa mund të konsiderohet zemërgjërsi, po aq mund të konsiderohet edhe vetëneglizhim. Vërtetë ke po e falë një ish-i burgosur politik, kur atij asnjëri nga ish-UDB-ashët që e kanë torturur, nuk i ka kërkuar atij falje?! Në fakt ish-UDBA-shët shqiptarë, duke mos iu kërkuar falje viktimave të tyre, ata po sillen njësojsi Serbia, e cila për kirmet e saj gjenocidale të ushtruara ndaj shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve gjatë viteve të 90-ta të shekullit të 20-të, as nuk ka kërkuar falje dhe as që e ka ndërmend të kërkoj falje.

Nga ana tjetër, derisa ish-të burgosurit politik po ua falin UDB-ashëve shqiptarë torturat ç`njerëzore që ata kanë ushtruar ndaj tyre, UDB-ashët shqiptarë ende nuk i kanë falur ish-viktimat e tyre (ish-të burgosurit politik). UDB-ashët shqiptarë kanë vazhduar t`i luftonin ish-të burgosurit politik edhe pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 e këtej për 24 vite me radhë.

Një pjesë e konsiderueshme e UDB-ashëve shqiptarë e kanë gënjyer vazhdimimisht opinionin, sikur gjoja ish-viktimat e tyre (ish-të burgosurit politik), nuk kanë rënë burgjeve për interesat e Kosovës, por kanë rënë burgjeve sepse kanë qenë komunistë, marksist-leninist, enverist, stalinist dhe bashkëpunëtor të Serbisë, të cilët kanë kërkuar që Kosova të bëhej Republikë, me qëllim që pastaj Serbia ta bënte Kosovën pluhur e hi.

Por, jo vetëm kaq. Ish-UDB-ashët shqiptarë janë përpjekur që ish-të burgosurit poltik, t`i poshtrojnë e kompromitojnë edhe duke thënë, se ata gjatë hetimeve nëpër burgje e kanë kanë tradhtuar njëri-tjetrin, duke i treguar veprat armiqsore të njëri-tjetrit. E si mos t`i tregonin ish-të burgosurit politik vperat e tyre armiqësore dhe të shokëve të tyre, kur UDB-ashët shqiptarë i kanë torturuar ata kafëshërisht.

Dhuna e UDB-ashëve shqiptarë e ushtruar ndaj Ish-të burgosurve politik, kaq qenë aq ç`njerzore sa që ish-të burgosurit politik, ndoshta kanë pranuar edhe vepra penale që nuk i kanë bërë fare, por që pranimin e tyre ua kanë kërkuar atyre UDB-ashët shqiptarë, thënë figurativish edhe duke ua ndukur mishin me dana.

Por, mosfalja e UDB-ashëve shqiptarë nga ana e ish-të burgosurve politik, nuk nënkupton aspak hakmarrje me vetëgjyqësi, por nënkupton bërjen e kërkesës për zbatimin e ligjit të lustracionit ndaj tri kategorive: ish-UDB-ashëve, ish-prokurorve dhe ish-gjyqtarëve hetues, duke u akazuar ata për tejkalimin e kompetencave të tyre, të sanksionuara me ligjet në fuqi të atyre koheve.

Nga ana tjetër, fakti se moderatori i emisionit „Debat plus“, Ermal Panduri, ka marr kërcënime anonime pse ai nëpërmjet të intërvistave me ish-të burgosur politik, po ua nxjerr UDB-ashve shqiptarë të gjitha poshtërsitë sadiste të bëra ndaj vëllezërve të tyre, për llogari të Serbisë e të Jugosllavisë, kjo për mendimin tim flet se në Kosovë po vlojnë spiunët e Serbisë, të rekrutuar nga BIA Serbe që nga viti 1999 e këtej në Kosovën shtet.

Edhe fakti se në opinionin publik deklaratat e ish-të burgosurve politik, lidhur me torturat ekstreme që UDB-shët shqiptarë kanë ushtuar ndaj tyre edhe përjtej ligjeve në fuqi të atyre kohëve, po ndiqen me frikë në kuptim se çfarë mund t`u ndodh ish-të burgosurve politik pas intërvistimeve të tyre nga emisioni „Debat plus“, për mendimin tim flet se popullata shqiptare e Kosovës me ndërvetëdije dhe intuitë, po e ndjen rrezikun e prezencës së bashkëpunëtorëve të Serbisë në Kosovë.