(Për poezitë e Adem F. Gashit, të përmbledhura në vëllimin “Oshtimë përmallimi”)
Shkruan: Gani BAJRAMI
Pas vëllimit të parë me poezi “Loti i ndrydhur”, si dhe dy vëllimeve me poezi për fëmijë, “Kuvendim me kukulla” dhe “Mëso ta pikturosh buzëqeshjen”, autori Adem F. Gashi para lexuesve vjen me vëllimin e tij të katërt, “Oshtimë përmallimi”. Nga vetë titulli fitohet përshtypja se edhe ky vëllim, si edhe ai i mëhershmi “Loti i ndrydhur”, lajtmotiv e ka temën e mërgimit, e cila në një mënyrë gati të pandashme i lidh temat e motivet e shumta që gërshetohen në poezitë e prezantuara.
Tema e mërgimit dhe ajo e atdhedashurisë, mbase edhe janë tipare dalluese të poezisë së këtij autori, i cili gati secilën poezi të tij e shtrin në këto dy rrafshe tematike. Në këtë gërshetim temash e motivesh, që autori i trajton, hasen plot vargje të mbushura me emocione, gëzime e pikëllime, pritje dhe ankthe të zakonshme të një mërgimtari që jeton me mallin për atdhe dhe mungesën e rehatisë shpirtërore në dhe të huaj, si dhe me ëndrrën e vazhdueshme të kthimit në atdhe. Ky fakt bën që shumica e poezive të këtij vëllimi të mbajnë notën e përmallimit të mërgimtarit, i cili i katandisur në dhe të huaj, jeton me peshën e rëndë të mërgimit dhe mallëngjimit për atdheun. Këtë ndjesi autori e ka edhe për faktin se tash e gati dy dekada bën jetën e mërgimtarit në Kanada. Prandaj, malli për atdheun dhe njerëzit i përshkon shumë nga poezitë e tij, madje ai mall përsëritet shpeshherë, por çdo herë del origjinal e njerëzor, me nuanca të ndryshme flakëruese atdhedashurie dhe ide motivuese për vargje poetike.
Në poezitë me motivin e mërgimit, autori paraqet fytyrat e ngrysura e të zymta të mërgimtarëve, por edhe arrin të shpreh urtësinë dhe krenarinë e tyre për kultivimin e dashurisë së madhe për vendlindjen, atdheun dhe farefisin e tyre. Si shumë mërgimtarë të tjerë, edhe autori i këtyre vargjeve shpreh frikën për asimilimin e brezave që po rritën e po lindin në mërgim dhe jep mesazhin e qartë që mërgimtarët duhet të bëjnë më shumë për ta ruajtur gjuhën, kulturën e traditën shqiptare. Mund të thuhet se një nga tiparet dalluese të poezive të Adem F. Gashit është se ai, nëpërmes shumë vargjeve, ka arritur që ta portretizojë mërgimtarin dhe ta shpalojë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun. Ky tipar dallues nuk haset vetëm te poezitë që kanë për temë mërgimin dhe atdhedashurinë, por edhe te poezitë e tjera që trajtojnë ndonjë motiv tjetër të jetës, ndonjë ngjarje a dukuri shoqërore, nga e tanishmja dhe e kaluara. Thënë shkurt, portretizimin e mërgimtarit dhe shpërfaqjen e trazimit të tij shpirtëror e hasim edhe në ndonjë varg të poezive të tjera me motiv shoqëror.
Dhembja shpirtërore e ngritur në kushtrim të një përmallimi mallëngjyes
Duke lexuar vargjet e poezive të vëllimin “Oshtimë përmallimi” të autorit Adem F. Gashi lexuesi depërton në thellësitë e personazheve të tij, së këndejmi edhe në shpirtin e autorit dhe ndjesinë e tij, për ngjarje e njerëz nga atdheu i tij i munguar. Në shumicën e poezive të këtij vëllimi tema e mërgimit dhe ajo e atdhedashurisë perceptohen në mënyrë artistike si shpalosje e brengës mallëngjyese të mërgimtarit për atdheun, ose si ritregim i ëndrrës së mërgimtarit për atdheun, për njerëzit e vet që i mungojnë, por edhe si ndjenjë krenarie për popullin dhe atdheun mbështjellë me përmallim në shkallën më të lartë të mallëngjimit të madh. Prandaj, duke e përjetësuar artistikisht mallin e mërgimtarit dhe dashurinë e tij për atdheun, autori i këtij vëllimi dhembjen shpirtërore e ngrit në kushtrim të një përmallimi mallëngjyes që e pushton: “Oshtimë përmallimi godet zemrën/ Shkëmb në kraharor të mërgimtarit”, ose “Lotin e mërgimtarit asgjë s’e ndalë/ Këngën me mallëngjim e përfundon”.
Pasqyrimi i dramës jetësore, e kthyer në vargje, për mërgimtarin që dergjet në dhe të huaj me pasionet, dëshirat, ëndrrat dhe ambiciet e shkapërderdhura nëpër vite, autorit i jep të drejtë edhe për ngarkesën emocionale që bartin shumë prej vargjeve për të gjitha zhvillimet shoqërore e politike në atdheun e tij që tash e dy dekada e ka lirinë, por jo atë liri që e kanë ëndërruar jo vetëm ata që janë flijuar për të, por edhe ne që po e jetojmë. Prandaj, aty-këtu bashkë me protestën se liria është mirëqenie, barazi, shprehje e lirshme e mendimit, mungesë e korrupsionit dhe jo kapje e shtetit, jep mesazhin e qartë për përgjegjësinë që kanë intelektualët dhe kërkon nga ta angazhim më të madh për t’ua ndalë hovin dallkaukëve dhe injorantëve të shumë, të cilët kanë kapur shtetin dhe nuk dinë asgjë tjetër pos të rrahin xhokës, të merren me hajni, korrupsion e prostitucion. Ndonëse larg vendlindjes, mërgimtari mendjen dhe shpirtin i ka në atdhe dhe shpërthimet e brendshme të shpirtit të trazuar të mërgimtarit lexuesi i vëren te poezitë: “Mall i pashuar”, “Jeta larg atdheut”, “Shpresa e kthimit”, “Katandisja në mërgim”, “Me zemër në vendlindje”, “Loti i mërgimit s’peshohet”, “Rrugë pa shtigje ka mërgimi”, “Acar në zemër të mërgimtarit”, “Rrugëtari i lirisë e ka rrugën e ndritur” etj.
Disa poezi të këtij vëllimi shpalojnë kujtesën tonë etnike tejet tragjike, duke gërshetuar motive nga dramat dhe tragjeditë njerëzore që i përjetoi populli ynë gjatë shekujve të kaluar përballë mësymjeve shfarosëse të hegjemonizmit ortodoks sllavo-grek ndaj çdo gjëje shqiptare. Nëpërmjet vargjeve autori arrin të risjell kujtesën kolektive tejet tragjike dhe rrethanat ogurzeza të zbrazjes së etnisë shqiptare përballë krimeve shekullore më monstruoze të programuara të serbëve, si dhe qëndresën e mbijetesën tragjike të shqiptarëve, të cilëve historia ua përcaktoi fatin vetëm të mbrohet nga armiqtë dhe vazhdimisht të tkurrët në shtrirjen gjeografike në Gadishullin e Ballkanit. Në poezitë me këtë motiv historik të qëndresës shqiptare përballë mësymjeve shfarosëse serbe gjejmë episode të shumta tragjike, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija.
Duke qenë edhe vet pjesëtar i familjeve të shqiptarëve muhaxhirë të Toplicës, të dëbuar me dhunë nga forcat serbe në vitet 1877-1878, autori nuk mund t’i shmanget dramës ekzistenciale që përjetuan shqiptarët përballë krimeve monstruoze e rrëqethëse të serbëve dhe dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e veta etnike në Sanxhakun e Nishit. Nuk mund t’i shmangët as padrejtësisë historike të fuqive të mëdha të Evropës që me vendimet e pa favorshme për shqiptarët i copëtuan pa mëshirshëm trojet etnike të shqiptarëve, duke ua falë sllavëve dhe grekëve gjatë periudhës së rënies të Perandorisë Osmane dhe më vonë. Nuk mund t’i shmangët as mizorive të shumta gjatë dy luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore, por as planeve më të fundit shfarosëse të serbëve në fund të shekullit të kaluar për t’i dëbuar rreth një milion shqiptarë nga Kosova, duke përdorur metodat më barbare të dhunës më çnjerëzore ndaj shqiptarëve. Këtë vulë të tragjedisë tonë kombëtare gjatë historisë së dy shekujve të fundit e mbajnë poezitë: “Dhuna e çmendurisë serbe”, “Gllabërimi i trojeve tona”, “Spastrimi etnik”, “Toplica shqiptare”, “Gjenocidin serb shqiptarët e sfiduan”, “Rruga e eksodit, kujtim i hidhur”, “Vrastarët e librit shqip” etj.
Plaga e muhaxhirëve të dëbuar nga Toplica dhe përgjithësisht nga Sanxhaku i Nishit dhe viset e tjera etnike të shqiptarëve, si dhe përpjekjet serbe për spastrim etnik të Kosovës në përmasa të skajshme gjenocidi para dy dekadash, janë plagë të hapura kombëtare që ende kullojnë. Mirëpo, pavarësisht këtij fakti, autori Gashi gjatë shtjellimit të motiveve të këtilla është frenues i ndjenjave revanshiste, pra e ruan ndjenjën njerëzore, por e thotë të vërtetën për krimet rrëqethje e mizore të serbëve, për ngjarjet e muhaxhirëve shqiptarë të Toplicës dhe të përndjekurve të fundshekullit të kaluar nga Kosova që kaluan “ditë të përgjakura” dhe “net të përflakura”. Në poezitë e përmendura më lart dhe në disa të tjera spikat qëndresa e pamposhtur e etnisë autoktone përballë këtyre mizorive serbe dhe lufta heroike e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e veta. Pra krimi shekullor i serbëve nuk i mposhti shqiptarët, ata nuk u dorëzuan, mbijetuan me kultin e kultivuar të punës dhe me gjenin e pa nënshtruar në gjakun e trashëguar prej të parëve. Në disa poezi janë të fuqishme shpërthimet e brendshme të shpirtit të trazuar të autorit dhe ato lexuesi nuk e ka vështirë t’i dallojë te poezitë: “Të copëtuar në 6 shtete”, “Kush shqiptarët i mallkoi”, “Valle djalli në trojet tona”, “Pse serish gjykatë në Hagë”, “Muri i ndarjes në Mitrovicë”, “Masakra në burgun e Dubravës”, “Një gjuhë, një komb, një atdhe!” dhe “I tretur me vetminë time”.
Monument përjetësie atyre që derdhën gjakun për lirinë e vendit
Tematika kushtuar dëshmorëve dhe personaliteteve që u flijuan për kauzën tonë kombëtare përbën një cikël, që mund të veçohet për ndijim të thellë për rënien e tyre, por njëkohësisht edhe për krenarinë ngase u flijuan për liri kombëtare. Janë disa poezi të cikleve “Liria dhe atdheu”, “Lavdi në shenjë kujtimi” dhe “Gjurmë nderi” në të cilat autori shpreh njëkohësisht dhembje dhe krenari për heronjtë e dëshmorët shqiptarë që u flijuan për liri të atdheut. Në këto poezi autori u ngrit monument përjetësie atyre që derdhën gjakun për lirinë e vendit tonë, si dhe afirmon vlerat më të çmueshme që lidhen me qëndresën e lashtësinë atdhetare të popullit shqiptar. Kjo frymë është e shprehur në poezitë: “Shqiptarët lanë shekuj lufte pas”, “Kullat e pamposhtura shqiptare”, “Shekuj në pritje të ëndrrës”, “Mbi supet e nënave peshon liria”, “Nderim dëshmorëve!” dhe “Kosova dhjetë vjet shtet”. Duket se për autorin Gashi asnjëherë nuk bëhet mjaft për dëshmorët, sepse ata janë pjesa jonë e krenarisë dhe aty ai gjen frymëzimin, prandaj ata i përmend me ndonjë varg edhe në poezitë që nuk e kanë ekskluzivisht tematikën dëshmorëve.
Autori i vëllimit “Oshtimë përmallimi”, Adem F. Gashi, një cikël poezish ua kushton personaliteteve që i kanë bërë nder kombit e vendit të vet, e të cilët si tërësi përthekojnë një hark gjeografik e hapësinor gjithëshqiptar, siç janë poezitë kushtuar shkrimtarëve tanë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, gjuhëtarit të njohur Isa Bajçinca, ideologut të demokracisë, Fehmi Agani, pastaj ato kushtuar Viliam Vokerit, Isa Demajt, Ramadan Berishës – Danit, Daut I. Pllanës, Atifete Jahjagës, Pandeli Majkos, Rexhep Osmanit dhe Dr. Linda Dules. Një përkushtim poetik autori ua dedikon edhe nënave që ua rrëmbyen barbarët fëmijën nga dora dhe minatorëve të Trepçës dhe grevës së tyre të shkurtit 1989. Poezi të kësaj natyre janë edhe ato që i kushtohen Adem Demaçit, në 80-vjetorin e lindjes, mikut të shqiptarëve, Bill Klinton, në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Nënës Terezë me rastin e shenjtërimit të saj dhe heroinës Laskarina Bubulina.
Poezitë e këtij vëllimi janë një larushi përjetimesh të ndara në shtatë cikle: “Qëndresë e traditë”, “Liria dhe atdheu”, “Plagë të pambyllura”, “Duke ëndërruar ditën e kthimit”, ”Lavdi në shenjë kujtimi”, “Gjurmë nderi” dhe “Ecje shtigjeve të jetës”. Edhe pse poezitë janë shprehje letrare që pasqyrojnë një frymëzim artistik, autori Adem F. Gashi në vargun e poezisë së tij, që është reflektim i drejtpërdrejtë i një realiteti, pos ndonjë metafore të thjeshtë, nuk përdor shumë figura stilistike. Ai në vargun e poezisë së tij që është reflektim i drejtpërdrejtë i një realiteti që ofrojnë shumëkuptimësi, por përdorë shprehje të rëndomta me synim për ta dhënë mesazhin e qartë për diçka konkrete që sipas autorit mund të jetë sublime dhe mbresëlënëse.
Pra, ajo që dallohet në këtë vëllim është larmia tematike dhe ndërtimi kompozicional, segmente këto që e bëjnë të lexueshëm librin. Autori me disa poezi të këtij vëllimi depërton lehtësisht në zemrat dhe ndjenjat e lexuesve, ngase poezitë kanë tematika e motive nga jeta jonë, nga e tanishmja dhe e kaluara. Por, krahasuar me vëllimin e parë, “Loti i ndrydhur”, spektri tematik i vëllimit “Oshtimë përmallimi”, i autorit Adem F. Gashi del paksa më i varfër, ngase dominohet nga tema e motive të konsumuara shumë herë deri më tash nga autorë të ndryshëm.
Nga sa u tha më lart del se nuk mund të flitet për një stil të veçantë të poezisë së këtij autori, por mund të nënvizohet se te ai hasim një përpjekje për një varg të gdhendur dhe me një rimë të bukur, që poezinë e bën të këndshme për lexim. Pra, vëllimi me poezi “Oshtimë përmallimi” komunikon hapur me lexuesin, i cili në poezinë e autorit gjen edhe dromca autobiografike, emocione, përsiatje meditative dhe shumë gjendje shpirtërore të autorit apo të personazheve të tij. Poezitë e tij janë të lidhura me jetën e njerëzve dhe realitetin shoqëror në të cilin jetojnë. Në të shumtën e rasteve autori arrin që me vargje ta skicojë realitetin e ngjarjeve të së kaluarës dhe filozofinë jetësore që e përshkojnë fatin e shqiptarëve ndër shekuj. Është për t’u dalluar edhe fakti se në këtë qasje ai vendos raporte të veçanta me kohën e tashme dhe me kohën historike.