Gjatë vizitës në familjes, për ti shpreh ngushëllime të bijës Irmes dhe bashkëshortit, Pjetër Rodiqit, pamë sesi trupi i Vaçes ishte i mbuluar me flamurin e atdheut që aq shumë e pati mall, ndërsa që edhe Zvicra për disa muaj në tri spitale ia ofroi një përkujdesje të veçantë.- Përmes një telefonate, të përshkuar me vaj, familjen e ngushëlloi Nexhmije Pagarusha
Rexhep Rifati, Bazel
Për të madhen Vaçe Zela, janë thënë shumë epitete dhe të gjitha nuk janë të mjaftueshme. Ndaj edhe ne miqtë e saj, që ishim sot në qytetin e Bazelit, për ti dhënë lamtumirën e fundit, në rrugën Burgfelderstrasse 11, ku edhe mbrëmë ndërrojë jetë, kësaj radhe kishim pse të piklloheshim.
Trupi i këngëtares së famshme pushonte në një shtrat, mbuluar me flamurin e atdheut, që aq shume e deshi dhe e pati mall. E rrethuar nga të afërmit: vajza e vetme Irma dhe bashkëshorti Pjetri, që aq shumë bënë për te dhe të afërme të ardhur nga vendlindja. Modestia dhe thjeshtësia e dhomës, që i ngjasonte një biblioteke dhe korridoret e mbushura piktura e vazo lulesh, tregonin adhurimin e artistes edhe për artet tjera, e jo vetëm këngën.
Në një deklaratë, për portalin tonë, prointegra.ch, bashkëshorti dhe intelektuali i shquar, Pjetër Rodiqi, tha se: “ Vaçja vazhdimisht gëzonte një respekt për bashkatdhetarët dhe se kudo që merrte pjesë ngazëllehej, siç e ndien njeriu veten midis bashkatdhetarëve. Sidomos u gëzohej arritjeve të tyre. Por fatkeqësisht gjendja shëndetësore nuk e lejonte, përkundër dëshirës, që të këndonte për kontingjentin e bashkatdhetarëve tanë.
Pjetri, gjithashtu kujtoi se edhe autoritetet e vendit e çmuan dhe e respektuan Vaçes, si artiste me reputacion ndërkombëtar, për çka edhe në 50 vjetorin e martesës organizuan një pritje të veçantë festive.
Në pyetjen rreth kujdesit në spitalet zvicerane, ai tha se: “Përfitoj nga rasti që të shprehi mirënjohjen më të thellë për organizimin shëndetësor në Zvicër, i cili kurdoherë u kujdes në mënyrë më të shkëlqyer për Vaçen për pesë muaj e gjysmë sa ajo qëndroi e shtrire në tri spitalet e këtushme.
Familja e Vaçes sot gjatë tërë ditës kishte marrë telefonata dhe telegrame ngushëllimi. Por ajo që i kishte prek ma së shumti familjen, ishte telefonata e Nexhmije Pagarusha, një mikeshe dhe adhuruese te madhe të Vaçes, e cila derisa telefononte më shumë qante sesa fliste.
Edhe sot si edhe nga ardhja e Vaçes në Zvicër, familjet e Ali e Skender NIkoliqi dhe Nazmi Jakurtit, ishin të angazhuara rreth përcjelljes së trupit të artistes në atdhe. Këto familje do të marrin pjesë edhe në përcjelljen e fundit deri në Shqipëri, ku do të prehet trupi i Vaçes.
Gjithashtu, sot në vizitë për ngushëllime ishte edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, z. Naim Malaj, i cili në emër të ambasadës kishte dërguar edhe një telegram. Ashtu siç e deshi dhe e pati mall Kosovën, fati e deshi që trupi i Vaçes nga Cyrihu të fluturoj më parë në Kosovë e prej andej për Shqipëri.
FotoAlbumi: Disa foto të mëhershme të Vaçe Zelës në Zvicër si dhe rruga ku ajo i kaloi vitet e fundit të jetës së saj