Kemi mësuar…

673

Përhapja e virusit Korona po na bëhet shkollë, e akademi. Po na bëhet libër, e enciklopedi. Po na bëhet pësim e mësim.

Kemi mësuar këto ditë për rrugët e infektimit me një virus. Kemi mësuar për rrugët e frymëmarrjes së organizmit. Kemi mësuar për numrin e frymëve në Vuhan. Për organizmat e këtij qyteti… Kemi mësuar për rajonin e Lombardisë në Itali. Kemi mësuar sa banorë ka njëri vend, e sa ka një vend tjetër. Kemi mësuar, e ç’nuk kemi mësuar.

Kemi mësuar si përshëndetet pa u puthur. Si përshëndetet madje pa shtrënguar dorën. Si përshëndetet në një kulturë të botës dhe si në tjetrën. Me duar të bashkuara kulm, e me duar të kryqëzuara në kraharor. Dhe madje pa duar. Kemi mësuar të përshëndetemi me këmbë, të përshëndetemi me bërryla, e të përshëndetemi duke u përkulur. Kemi mësuar të mos përshëndetemi fare. Kemi mësuar të mbyllemi në shtëpi!

Kemi mësuar të bëjmë pazar njëmend. Kemi mësuar të ushqehemi me mend. Shëndetshëm dhe aq sa kemi nevojë. Kemi mësuar edhe të gatuajmë. Kemi mësuar të pimë cigare me karar. Kemi mësuar të mos bredhim kot me veturë. As në këmbë. Kemi mësuar të luajmë me fëmijët dhe të merremi me ta. E kemi mësuar të bëhemi të duruar. Me njerëzit e shtëpisë dhe të tjerët.

Kemi mësuar të flasim më urtë dhe kemi mësuar të dëgjojmë. Kemi mësuar të shikojmë filma dhe kemi mësuar të lexojmë libra. Kemi njohur aktorë dhe kemi njohur autorë. Kemi mësuar të rruhemi në shtëpi dhe kemi mësuar se gjërat nuk mësohen vetëm te berberi. Kemi mësuar të bëjmë merimetime në shtëpi dhe kemi mësuar të mbjellim kopshtin. Kemi mësuar se atë që e mbjell vërtet edhe e korr!

Kemi mësuar t’u qëndrojmë njerëzve më larg fizikisht. Dhe kemi mësuar t’u qëndrojmë më pranë shpirtërisht. Kemi mësuar ta përdorim celularin edhe për të folur! Për të folur me farefisin dhe me fisin fare. T’i pyesim për shëndetin dhe të tjerat. Kemi mësuar sa pak jemi të gjithë. Dhe sa i shtrenjtë është gjithsecili. Në fund po e mësojmë se jemi një. Dhe, se mjerisht na bashkon vetëm rreziku.

Kemi mësuar se edhe bashkë jemi të pamundur. Jemi kaq fragjilë. Se nuk na mjaftojnë as të harruarit. Se rreziku vjen nga s’e kujton. Si rrethim nga jashtë, e si shpërthim nga brenda. Në qiell të kthjellët të rrëshqet trualli ndër këmbë. Se s’të bëjnë pare as paret. Se s’bëjnë qajre as bataret. As raketat balistike as ato supersonike… Se do shumë mjekë. Se do shumë shpirt. Se do një vaksinë! Do besim!

Kemi mësuar edhe të besojmë. Të besojmë në Zot dhe të besojmë në Rob. T’i besojmë së vërtetës dhe t’i besojmë gënjeshtrës. Të besojmë në të mirën dhe të mbarën. Të shpresojmë. Të besojmë në një të kaluar dhe të shpresojmë në një të ardhme. Në të kaluarën që po përsëritet dhe në një të ardhme më ndryshe. Për fëmijët tanë. Për njerëzit. Të gjithë njerëzit. Njerëzimin!

Kemi mësuar, e ç’nuk kemi mësuar. Por sa kemi parë është vetëm maja e Eisbergut. Malakullit! Në horizont kanë filluar të duken shenjat e turbullta të mbarësisë. Por autoritetet thonë se ky është vetëm fillimi i krizës. Thonë se gjëma e madhe akoma nuk ka ngjarë. Megjithatë, shkencëtarët, të cilët kemi mësuar t’i dëgjojmë gjithashtu, thonë se njerëzimi do të shpëtojë.

Kushdo që të rrojë – dhe rrofshin të gjithë! – duhet të mësojë edhe një: Duhet të mësojë të mos harrojë! Të mos i harrojë të mirat që i zbuloi dhe të mirat që i humbi kur u mbyll në shtëpi. T’ua dijë kimetin lirisë, paqës, dashurisë, sigurisë, punës, shëndetit, bereqetit, shokëve, miqve, fisit, prindërve, fëmijëve, gruas a burrit, kulmit mbi kokë…

T’i shkruajë me të mëdha: VETËPËRMBAJTJEN, SKRUPULLIN, KARARIN, PËRGJEGJËSINË, DURIMIN, QËNDRESËN, KURAJËN, MODESTINË, MIRËSJELLJEN, SOLIDARITETIN, KURSIMIN, DHURIMIN, KËRSHËRINË, REFLEKTIMIN, THELLIMIN, VLERËSIMIN, MIRËNJOHJEN, VËMENDJEN, KUJDESIN, RESPEKTIN, PASTËRTINË…

Sepse asgjë nuk është e mirëqenë. Asgjë nuk është e dhënë njëherë e për përherë…