SHËN VASILI – MËSIMI, KUJTESA DHE NDËRGJEGJËSIMI PËR NJË GJUHË QË S’DUHET HARRUAR
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në kuadër të projektit arsimor dhe kulturor “Mos harromi gluhën”, organizuar nga Qendra Albanologjike për gjuhën dhe kulturën arbëreshe, e themeluar nga At Bellusci, një delegacion i nxënësve të shkollës shqipe i mërgata së Zvicër vazhdoi veprimtarinë e vet didaktike në një tjetër qytezë arbëreshe të Kalabrisë: San Basile, ose siç e quajnë vendësit me krenari, Shën Vasili.
Pranimi me zemër të bardhë në qytezën e heshtur
Në këtë ndalesë të rëndësishme, nxënësit dhe mësuesit e diasporës u pritën ngrohtësisht nga institucionet vendore, me në krye kryetarin e bashkisë z. Filippo Tocci dhe përgjegjësen e kulturës së komunës, znj. Francesca Bellizzi, të cilët shoqëruan vizitorët gjatë gjithë qëndrimit.
Në këtë takim, nuk pati vetëm fjalë mirëseardhjeje, por edhe një përkushtim i dukshëm për ta bërë të prekshme historinë dhe identitetin e kësaj qyteze të vogël që e rrezaton një traditë të pasur, ndonëse sot, shfaqen shqetësime nga rreziku për bjerrjen e gjuhës.
Një rrugëtim në gjurmët e historisë dhe shpirtit arbëresh
Delegacioni ynë vizitoi lagjet karakteristike të qytezës, që i ruajnë ende gjurmët arkitekturore të ngulimeve të hershme arbëreshe. Ndalesa të veçanta u bënë pranë te shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, simbol i identitetit dhe krenarisë kombëtare, si dhe në Manastirin Bazilian, dikur qendër shpirtërore dhe arsimore, ku janë formuar shumë priftërinj që u shndërruan në mësues të gjuhës arbëreshe në të kaluarën.
Ishte një vizitë që ndërthurte ndjeshmërinë historike me sfidat e së tashmes: ndonëse Shën Vasili dikur fliste arbërisht, sot kjo gjuhë po hesht. Dhe më keq akoma – nuk ka më as mësues që ta ndihmojnë atë të dëgjohet përsëri në rrugët e qytezës.
Mikpritje që flet më shumë se fjalët
Në mungesë të restoranteve, mikpritësit e Shën Vasilit dëshmuan një shpirt të rrallë solidariteti. Në shtëpinë “Skënderbe” e përgatitur enkas për pritjen e mysafirëve, amviset e qytezës e kishin bërë gati një drekë tradicionale, me gatime tipike dhe dashuri që i kalon kufijtë e kuzhinës. Ishte një tryezë që shpaloste traditën e vjetër shqiptare të mikpritjes, në një vend ku ndonëse gjuha është zbehur, kujtesa dhe lidhja me rrënjët mbeten të forta.
Një apel për ndërgjegjësim gjuhësor
Qëllimi i kësaj vizite, përveç shkëmbimit kulturor, ishte edhe ndërgjegjësimi për rrezikun që i vjen arbëreshes në këto zona. Përmes dialogut me autoritetet lokale, vizitave në qendrat e trashëgimisë dhe bashkëbisedimit me komunitetin, delegacioni nga Zvicra përcolli një mesazh të qartë, duke theksuar me ngulm; “Gjuha është pasuri dhe ajo duhet ruajtur si një pasuri e gjallë, jo si e fjetur.”