Hamburger shtëpie

68

Hamburger shtëpie

Secili nga ne i preferojmë hamburgerët. Por, pavarësisht se ushqimi i njohur si “fast food” nuk cilësohet si i shëndetshëm, na bie më mirë për shëndetin e familjes tonë që atë ta përgatisim në kushte shtëpie, si kulaqin poashtu edhe mishin.

Për përgatitjen e kulaqëve të hamburgerëve na nevojiten:

1 gotë ujë

1 gotë qumësht

Gjysëm gote vaj

Maja buke (1 pako/apo 2 lugë maja instant)

1 lugë e mesme kripë

1 lugë e gjysëm e madhe sheqer

Miell

Përgatitja: fillimisht ngrohim qumështin dhe në të hedhim sheqerin dhe majan dhe I lëmë të qëndrojnë për 10 minuta derisa të shohim se kemi shkumë në sipërfaqe. Kjo tregon se maja është fermentuar. Më pas ia shtojmë ujin, vajin dhe kripën dhe përziejmë mirë që përbërësit të treten mjaftueshëm. Në fund duke përzier vazhdimisht shtojmë miellin derisa të nxëmë një brumë njejtë sikur të bukës. E mbulojmë me peshqir dhe e lëmë të qëndrojë në një vend të ngrohtë për rreth një orë.

Ndërkohë fillojmë me përgatitjen e mishit të hamburgerit.

Përbërësit që na nevojiten janë:

500gr mish I bluar

1 qepë

1 thelb hudhre

3 lugë të gjellës thërrmija buke(mundet edhe bukë bajate e imëtsuar)

3 lugë gjelle uthull

3 lugë gjelle mustardë

Kripë dhe piper I zi

Mënyra e përgatitjes:

Në një enë vendosim mishin e bluar, aty shtojmë qepën e grirë imët dhe të gjithë përbërësit e tjerë që i kemi përmendur më lartë. Me dorë përziejmë mirë masën njejtë sic veprojmë me brumin në mënyrë që të fitojmë një masë sa më të kompaktësuar. E lëmë të pushojë për pak minuta.

Ndërkohë, nga brumi i nxënë për kuleqët, ndajmë topa të vegjël të cilët i ngjeshim pak dhe i vendosim mbi tavën e mbuluar me letër kuzhine. I lyejmë sipër me kos dhe i hedhim susam dhe i fusim në furrë në 230 gradë Celsius. Pasi të piqen i lëmë mënjanë që të ftohen, derisa të piqet mishi i hamburgerëve.

Nga masa e mishit formojmë rrumbullakë, të cilët i ngjeshim mirë me duar që të lidhen njejtë në të gjitha anë. Nuk i lëmë shumë të holla. I pjekim në tigan të lyer me gjalpë.

Kuleqët e hamburgerëve i prejmë me thikë në mes dhe mbi njërën gjysmë vendosim gjethe marulle, sipër saj vendosim mishin, sipër mishit vendosim domate të freskëta të prera hollë, kastravec turshi dhe djathë dhe e mbulojmë me gjysmën tjetër.