Intervistë me Emsale Selmani, kandidate për Asamblenë e Ostermundigen-it


Emsale Selmani është juriste dhe iniciatore e Streetfood Festival në Ostermundigen. Si asambleiste e Ostermundigen-it, ajo zotohet se do të përkushtohet e të punoj për barazi dhe drejtësi sociale. Të dyja këto janë shtyllat kryesore për një shoqëri funksionale. Ajo don të mbështes çdo qytetar dhe do të jetë zëri i të gjithëve. Bashkë edhe me ndihmën Tuaj, do të ndërtojë kushtet më të mira për të gjithë në komunën Ostermundigen!

 

Për ta njohur kandidaten shqiptaro-zvicerane më afër prointegra.ch zhvilloi një intervistë të rastit me te. Ju ftojmë që ta lexoni.

 

Prointegra.ch: Na thoni diçka për ju. Kush është Emsale Selmani?

Emsale Selmani: I kam 27 vjet dhe kam lindur ne Zvicër. Me prejardhje jam nga Bujanoci, prej nga lufta me familjen po jetojmë në Gjilan. Shkollimin e kam përfunduar ne Zvicër dhe jam juriste e diplomuar.

Prointegra.ch: Si keni vendosur të angazhoheni politikisht dhe në jetën shoqërore?

Emsale Selmani: Kanë qenë disa iniciativat të partisë popullore të Zvicrës që më kanë shtyrë të angazhohem në politikë dhe të luftoj padrejtësinë. Si tip jam aktive dhe mënyra e vetme te kundërshtoj te padrejtën ishte te aktivizohem ne politikë.

Prointegra.ch: Nga kur jeni angazhuar si asambliste?

Emsale Selmani: Që nga viti 2019 jam pjesë e kuvendit komunal te Ostermundigen-it.

Prointegra.ch: Ju angazhoheni për drejtësi sociale në Zvicër. Besojmë edhe më gjerë, deri edhe në vendin dhe shoqërinë amë (të prejardhjes suaj apo të prindërve tuaj), apo jo?!

Emsale Selmani: Mund të them që e përcjelli me vëmendje zhvillimet dhe aktualitetet të politikës dhe shoqërisë kosovare. Deri me tani nuk jam anëtare e ndonjë subjektit politik në Kosovë. Por qartazi pozicionohem si simpatizante e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbështesë plan programin të saj.

Prointegra.ch: Njëherazi ju doni të jeni zë i i njerëzve të disfavorizuar të shoqërisë. Cilët janë këta njerëz?

Emsale Selmani: Unë dua të punoj dhe të angazhohem për të gjithë, por sidomos për shtresën e ulët dhe të mesme që shpeshherë janë të shtypur në të drejtat e tyre. Shoqëria jonë përbëhet nga punëtorë të thjeshtë, nga njerëz me aftësitë të kufizuar, nga nënat dhe vajzat, nga pensionistë, nga migrantë dhe shumë tjerë. Duke punuar për barazi, drejtësi dhe zhvillim mund te përmirësohet jeta e të gjithëve që bëjnë pjesë në këtë shoqëri.

Prointegra.ch: Cili është mesazhi Yti për komunitetin shqiptar në Zvicër?

Emsale Selmani: Shqiptarët janë pjesë e shoqërisë këtu në Zvicër. Është e rëndësishme të marrin pjesë ne votimet dhe zhvillimet politike dhe shoqërore, sepse jetët e tyre preken. Injorimi i zhvillimeve politike është fatal. Duke jetuar dhe punuar këtu, çdo shqiptar/e duhet të jep një kontribut për këtë shoqëri. Me një votë shumë gjëra mund të ndryshohen.