DITAR TETOVAR
23 dhjetor 2024
Tetova nuk na zhgënjen. Këtu është vera – verë dhe dimri – dimër!
Tetova ditën e parë na gostiti me borë! Herën e fundit që erdha dimrit në Tetovë, pllakosi borë ditën e mbrame. Sikur donte t’ma bënte qejfin për fund. Sikur donte të më përcillte me një bardhësi në sy. T’më ngelej një imazh i bukur i Tetovës në mendje.
Borë bie në Tetovë. Ajo i ka fshirë të gjitha mbetjet në rrugë. Dhe vetë rrugën! Shtëpia ime e vjetër duket e re sikur ajo e fqiut. Bora i ka zhdukur dhe muret ndërmjet nesh. Gjithçka është e tyre, gjithçka është e jona! Veturat në lagje duken të një marke. Ajo i ka shlyer dhe kujtimet tona të hidhura të dy netëve më parë. Tani mund të nisim me agjendën tonë tetovare.
Jemi përçudnuar nga udhëtimi i stërmundimshëm. Edhe ashtu nga vendimi sot për nesër për t’u nisur këndej, nuk kishim kohë për shumë gjëra. Në Tetovë rëndom vij si për Bajram…! Rrugës për te berberi ka trafik të madh e të ngadaltë. Kanë ardhur shumë mërgimtarë, thonë. Këtu edhe ashtu ka shumë vetura. Viteve të fundit më bën përshtypje që fëmijët nuk shkojnë vetë në shkollë, si në kohën time. Prindërit e kanë merak udhën e tyre nga trafiku dhe i shpijnë në shkollë me veturë. Nga frika e veturave në rrugë për fëmijët, bëjnë akoma më shumë vetura, sa rrezikohen hem fëmijët hem të rriturit!
Ka dalë policia ta rregullojë komunikacionin. Mendoj ndodh për shkak të borës që e ka goditur trafikun. “Jo”, më shpjegon berberi duke puqitur gërshërët ckck, sikur i hap thonjëzat e një citati: “Ka ardhur për vizitë një zyrtar i lartë turk”. Aha! Sipas legjendave urbane, berberi e di dhe agjendën e fshehtë të takimeve të vizitorit, por nuk e bisedojmë më gjatë. Turqit kanë ca sajgi më tepër këtu. Mbase do t’i kishin sajdisur edhe të tjerët, por ata s’begenisin të dalin nga ana jonë. Nuk më kujtohet ndonjë vizitë e ndonjë zyrtari të lartë perëndimor në Tetovë. Mos vijnë pa bujë? Mirë që nuk i burgosin një ditë më parë “të dyshimtët”, si në vitet 90-të, kur kalonte ish presidenti Gligorov për në Kodrën e Diellit. Atë kohë, një ditë më parë i fusnin në hapsane të gjithë ish të burgosurit politikë dhe i lironin pasi ai ta kishte lëshuar Tetovën saksalem. Këtu s’ka asi turkofobie, siç ka një jugoskepticizëm. Ka njëfarë turkofilie të hapur, siç ka edhe një jugonostalgji të fshehur. Për këtë është kujdesur shumëkush. “Sa mirë që na burgosën”, thoshte me rastin e vizitave të Gligorovit një i afërm i yni, ish i burgosur politik, “se s’bëhemi shpesh bashkë për t’u çmallur!”
Ne u çmallëm sot me njerëzit e zemrës këtu afër. Bora është një rast i shkëlqyer për t’i takuar njerzit në shtëpi. Ajo i lidh ata për vatre. Si asnjëherë tjetër gjatë vitit, ata kanë kohë për njëri-tjetrin. Kështu i dedikohen më fort gruas a burrit dhe të dy bashkë fëmijëve. Një bukë nga duart e gruas, një kafe nga duart e burrit, një përqafim mëngjesor i fëmijës, ca kohë televizor bashkë në darkë, një bisedë e shtyrë vazhdimisht për një rast tjetër, një shaka me lezet… janë përjetime të rralla.
Dimri me borë është pranverë për arkat e familjeve. Ato përfitojnë prej abstenimit nga pazaret e kota. Po ne sot ishim të detyruar të bëjmë pazar për të filluar jetën në Tetovë për këto pak ditë që do të qëndrojmë këtu. Ditë të bukura na presin!
Mbrëmë kishte pasur demonstrata në Serbi, sot protesta ka pasur në Shqipëri. Mbrëmë kundër Vuçiçit, sot kundër Ramës. Vazhdon mosbindja civile e opozitës. Ajo ngul këmbë për qeveri teknike për zgjedhjet 2025-ës. Tani e dëgjoj një shprehje më të bukur për këtë: “qeveri kujdestare”. Është një kërkesë e përligjur pas manipulimit sitematik të zgjedhjeve nga Rama. Përfshi ato lokale, kur ai kandidoi pa opozitë. Kur iu desh një muaj e kusur për t’i sjellë në terezi numrat që nuk përputheshin kurqysh. Manipulimi i zgjedhjeve është fundi i çdo tolerance! Qeveria kujdestare s’është fundi i botës. Kush s’ka ç’të fsheshë, s’ka pse trembet nga një qeveri kujdestare. Maqedonia e Veriut e ka vendosur këtë si një standard. Ajo është njëfarë garancie për zgjedhje të pranuara nga palët.
Në rrjetet sociale tonin e jep Parashqevi Simaku. Vazhdimisht shfaqen sekuanca video në shoqëri të ngushta. Ajo këndon, po zëri s’i bindet. Ngjet më shumë me një tifoze të përmalluar të vetes. Duket ka dalë nga derexheja ku ishte katandisur. Koha që po kalon vazhdon të jetë intriguese për publikun. Sidomos portalet janë të interesuara ta mbajnë gjallë këtë dramë. Ajo po merr përmasat e një fushate të mirëmenduar mediatike. Dhe zor se do të mbetet pa u kapitalizuar nga dikush. Ka aktorë që i gjuajnë me kënaqësi protagonistët mediatikë.