Kandidatët/et e Zërit Progresiv të Zvicrës për Kuvendin e Republikës së Kosovës

Komunikatë për media

Cyrih, 4 qershor 2017

Zëri Progresiv përbëhet nga anëtarë kryesisht të krahut të majtë në Zvicër, politikanë shqiptarozviceranë, sindikalistë, studentë dhe qytetarë aktiv, të cilët angazhohen në çështjet politike dhe shoqërore të përgjithshme në Zvicër, duke përfshirë këtu çështjet e diasporës shqiptare, duke përkrahur proceset dhe frymën demokratike, duke ruajtur dhe respektuar interesin e përgjithshëm të qytetareve dhe qytetarëve. Diaspora në Zvicër dhe në shtetet tjera është një nga kontribuesit më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës.

Koordinimi dhe bashkëpunimi i mirëfilltë me diasporën nga ana e institucioneve kosovare ka shumë mangësi, të cilat ne mendojmë duhet të përmirësohen dhe të nisi një dialog serioz, për të gjetur mundësi dhe sinergji të reja, për të forcuar dhe demokratizuar institucionet e Kosovës, për të çuar përpara zhvillimin e Kosovës dhe arritjen e një niveli bashkëkohor të drejtësisë sociale, funksionimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik bazuar në një ekonomi sociale. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 11 qershor 2017, Zëri Progresiv ka marrë vendimin të iniciojë një proces transparent dhe të barabartë për përzgjedhjen e kandidatëve dhe kandidateve dhe përkrahjen e tyre, për të mirën e të ardhmes të shoqërisë kosovare.

Gjatë evaluimit dhe procesit përzgjedhes, për Zërin Progresiv ka rezultuar se kandidaturat e Znj. Fatmire Kollcaku dhe Shqipe Pantina, Zt. Faton Topalli dhe Sami Kurteshi u përgjigjen më së afërmi nevojave të qytetareve dhe qytetarëve në Kosovë dhe në diasporë. Prandaj, Zëri Progresiv do të angazhohet në promovimin e këtyre kandidatëve në Zvicër dhe në diasporë, duke u sugjeruar fuqishëm qytetarëve në diasporë t’u japin kandidatëve të lartpërmendur votën e tyre. Zëri Progresiv mendon se diaspora në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet dhe problemet në Kosovë përbën një fat dhe një mundësi të madhe, e cila nga institucionet e Kosovës duhet të merret në konsideratë. Nisur nga ky fakt, institucionet ekzekutive dhe legjislative duhet të ndërmarrin të gjitha hapat për të mundësuar përfshirjen e diasporës në vendimmarrjet në Kosovë, duke përmendur këtu reformimin e kodit zgjedhor dhe krijimin e vendeve të rezervuara për diasporën në Parlametin e R. së Kosovës, duke lehtësuar votimin nga jashtë me harqe kohore reale dhe procedura të pranueshme dhe transparente.

Zëri Progresiv