Enver Zhinopotoku: TRI DEKADA NGA SHEMBJA E „PERANDORISË SË KUQE“ BRSS-së

Sot është data 19 gusht. Sot siç transmeton Radio Evropa e Lirë, është tridhjetë vjetori i shkatërrimit të shtetit të parë komunist në botë, ish BRSS-së, pas ekzistimit 74 vjeçar, si burg i popullit rus e i shumë popujve jorusë.
Nga profesor Enver Zhinopotoku, Ferizaj
Kreator të kësaj fitoreje në shkallë botërore, perëndimi dhe popujt e kësaj perandorie, e konsiderojnë Mikhail Gorbaçovin, i cili si politikan i lindjes, bashkë me Bekim Fehmiun si aktor me famë botërore, llogariten si dy figurat më të mëdha që i çmon perëndimi me kriterin e vlerave të veta.
Mikhail Gorbaçov do të jetë Presidenti i fundit i kësaj Perandorie, që me rirreshtimin e tij të sistemit komunist, ose „perestrojkën“e tij, arriti ta finalizojë programin e tij, të shpërbërjes së heshtur e të qetë, për të cilën pakkush kishte shpresuar se do të shkatërrohej, së paku jo atëherë dhe jo në mënyrë paqësore, siç ndodhi.
Më 19 gusht 1991 kur njihet si datë e shkatërrimit të këtij vendi, Mikhail Gorbaçov ishte në pushimoren e tij në Krime. Demonstratat kishin filluar në Moskë. Gorbaçov, të cilin në pushime e ruante KGB, nuk i prishi fare pushimet, por as nuk dha asnjë urdhër si të veprohet, që u kuptua si sinjal i qartë se, pushteti nuk do të intervenonte kundër demonstruesve. Edhe pse ushtria doli në rrugët e Moskës, nuk jepej urdhër për veprim. Ushtarakët ishin zënë në befasi, ose nuk ishin të interesuar ta mbronin më këtë sistem. Vet Boris Jeltzin, një zyrtar i lartë, që më vonë për një dekadë do të jetë President i Rusisë së pavarur, kishte hipur mbi një tank ushtarak në përkrahje të demonstruesve, duke mbajtur një fjalim inkurajimi për veprimet e tyre. Gorbaçov, ishte kthyer pas tre-katër ditësh, kur shumë republika të ish BRSS- tanimë kishin shpallur pavarësinë, të cilave u kishte paraprirë vet Rusia si më e madhja dhe më e rëndësishmja.
Kur u kthye Gorbaçovi në Moskë më 23-24 gusht 1991, ishte ndaluar veprimi i Partisë Komuniste Bolshevike, që 74 vjet kishte udhëhequr këtë vend.
Kështu kishte perënduar dhe ishte shembur një Perandori Komuniste, që ishte cilësuar si „rrota e kuqe“ nga shkrimtari rus disident e nobelist Aleksandër Sollzhenicin, mbi popullin rus dhe popujt e shumtë jorusë në këtë vend e në shumë vende tjera nëpër Evropë.
Katër muaj më vonë, në dhjetor 1991, edhe zyrtarisht do të shkatërrohet Perandoria e parë komuniste në botë, që shumë popuj i kishte mbajtur nën sundim diktatorial me forcën e armëve.
Dy vite më herët më 9 tetor 1989 kishte rënë „simboli i komunizmit-Muri i Berlinit“, që ishte ndërtuar sipas idesë sovjetike për ta ndarë Gjermaninë në dy shtete, si fajtore kryesore për LDB dhe 60 milionë viktimat e saj anë e kënd botës, gjysma prej të cilave gati ishin nga BRSS.
Edhe pse ndodhi që komunizmi në BRSS të bie si „gardhi i kalbur“, sikur edhe në shumë vende tjera: Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Gjermaninë Demokratike, Shqipëri, në dy shtete, në Rumani gjatë përmbysjes së Udhëheqësit komunist Çausheskut dhe bashkëshortes së tij Elena, pati trazira dhe gjakderdhje, kurse në shkatërrimin e ish RSFJ-së komuniste, për shkak të mungesës së një udhëheqësi, ose largpamësi të tipit të Gorbaçovit, ose Havelit, kur në krye të shovinizmit serb u vu Millosheviqi, një misionar i përgatitur për shkatërrim me ndihmën e ushtrisë dhe policisë që u instrumentalizua në duart e ideologjisë serbomadhe, ngaj shumë popujve në ish RSFJ “ lau dreqi lesh“, duke u përgjakur pafajësisht nga veprimi dhe politika fashiste serbomadhe, që kishte kthyer kampet e përqendrimit dhe masakrat fashiste, që nuk ishin parë në Evropë nga periudha e LDB. Treqind mijë njerëz u vranë e masakruan në Kroaci, B e H dhe Kosovë nga gjaksorët serbë.
Edhe rënia e komunizmit në Shqipëri dhe çmontimi i diktaturës më të egër në Evropë ishte pritur me ankth nga shqiptarët, sidomos ata në Kosovë, që ishim në gojën e ujkut asokohe. Por, ndodhi fati në fatkeqësi. Me 4-5 viktima në Shkodër, e ndonjë në Tiranë, kishte ndodhur rënia e diktaturës dhe shembja e shtatores së diktatorit. Rol të veçantë në këtë mes kishte luajtur, ish presidenti i fundit komunist Ramiz Alia, nënat shqiptare që kishin dalë në sheshin e Tiranës para demonstruesve dhe forcave të rendit, maturia e tyre dhe akti që shqiptarët ishin ngopur me veprimet diktatoriale që kishin ndodhur në këtë vend. Diktatura, pas një sundimi 45 vjeçar me dorë të hekurt, i kishte lëshuar udhë demokracisë.Ishte mrekullia vet!
Ne shqiptarët e Kosovës, edhe pse kishim ndenjur për gjysëm shekulli nën „hijen e thatë“ të Shqipërisë mëmë, që nuk i bënte hije as trungut të vet, pritëm me ankth erërat demokratike, që kishin përfshirë Evropën e fundshekullit XX, siç kishte filluar në fillim të këtij shekulli në djepin e komunizmit, i cili bashkë me fashizmin kishin qenë dy mortaja botërore të këtij shekulli, që e kishin përgjakur më së shumti njerëzimin, me dy diktatorët më të mëdhenj që njohu njerëzimi, Fyhrerin nga Rajhu gjerman dhe Musteqoshin nga Kremlini, ata që dukej se e urrenin njëri-tjetrin, por siç thonë biografët e tyre e përplotësonin njëri-tjetrin.