Shukrije Ramadani: Copëzat e poezive tua më përzihen me ngjyra…

Sot veç dhembjes asgjë s`mund të fali shpirti im, më fal që jam ligshtu e malli marrë më ka për magjinë e buzëqeshjes sate. Kërkova e fortë të bëhesha e në krah lirie të fluturoja qiejve të ëndërruar, ti gëzohesha buzëqeshjes së foshnjeve të palindura e dashurisë së fëmijëve tanë, duarve që thurin veshje për gjeneratat e lirisë e djersës që bulon nga balli i punëtorit që ndërton të ardhmen e vendit! Por sytë më janë mjegullua nga dhembja e angushtia që ma rëndon frymëmarrjen në kërkim të diellit të lirisë!

Copëzat e poezive tua më përzihen me ngjyra punimesh të mbetura në gjysmë e më kot mundohem ti radhis sirtarëve! Kitara jote e nemitur mbeti, e fyellin veç flladi i lirisë e përkëdhelë! Ëndërrat po zhdavaritën mjegullnajave që nga Karpatet frymën po na e zënë e krenaria më lëndohet kur para shtatores tënde shoh lypësin Migjenian të shtrirë si në legjenda!

Dua ta gjej diellin e premtuar e t’ ia ngrohë duart e ngrira me ofshamat e krejt vashave duarthata në pritje t ‘përqafimeve të trimave që përqafuan lirinë! Loti më tradhton e nga shpirti më vie të bërtas sa ti tundi malet, pse liria kaq dhembje paska!

( Portali ynë, me rastin e rënies Agim Ramadanit në altarin e lirisë, përzgjodhi këtë shkrim mëse shpirtëror të bashkëshortes së heroit, zonjës Shukrije Ramadani)